Politika

Grupi i PS-së: Asnjë të mos mungojë në seancën për shkarkimin e Fullanit

Braçe

Të enjten i shkarkojmë të dy

“Të enjten në Kuvend, i shkarkojmë të dy. Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe inspektorin e përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë! Të paktën në Bankë nuk do të jenë më pas vjedhjes historike të ndodhur atje”, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook

Kryeministri i jep kritika grupit për mosmarrjen pjesë në komisione

NGA ARTEMISA HOXHA

edi rama“Askush nuk duhet të mungojë në seancën e së enjtes nga deputetët. Ky është një vendim grupi për të votuar të gjitha pikat e rendit të ditës”, ishte thirrja që u ka bërë kreu i PS-së, Edi Rama, deputetëve të majtë gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar. Apeli ishte pikërisht për votimin që do të bëhet ditën e enjte në seancën plenare për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si dhe inspektores së përgjithshme, Elivar Golemi. Kreu i qeverisë iu është drejtuar deputetëve prerë se të gjithë duhet të votojnë seancën e së enjtes. Ndërkohë që edhe pse disa prej deputetëve të majtë e kanë kritikuar vendimin e gjykatës për lirim nga burgu të guvernatorit Fullani, mësohet se kjo çështje nuk është diskutuar dje në mbledhjen e grupit, pasi vetë kreu i qeverisë zgjodhi që të sqarojë kritikat që janë bërë mbi atë dhe qeverinë nëpërmjet një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook. Për rreth një orë diskutim, kryesocialisti nuk ka ngurruar që të kritikojë deputetët për mungesa të paarsyeshme në komisionet parlamentare, që, sipas tij, shpesh kanë qenë edhe shkak të shtyrjes së mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Seancën e nesërme parlamentare do të jetë pikërisht Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili do të lexojë dhe do të hedhë në votim relacionin e raportit që do të hartohet nga Komisioni i Ekonomisë për shkarkimin e guvernatorit Fullani. Raporti hartohet pas propozimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të shkarkuar Fullanin nga posti i guvernatorit. Njëherësh Komisioni i Ekonomisë ka nisur procedurat për hartimin e vendimit për shkarkimin e inspektores së përgjithshme, Elivar Golemi.

Reagimi i Braçes

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, një prej zërave kritikë pas vendimit të gjykatës për lirimin e guvernatorit nga burgu, shprehet se shkarkimi i tij do të votohet të enjten në seancën parlamentare. Ai shkruan se, edhe pse gjykata la të lirë Fullanin, shkarkimi nga Kuvendi do të sjellë të paktën largimin e tij përfundimisht nga Banka e Shqipërisë. “Të enjten në Kuvend, i shkarkojmë të dy. Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe inspektorin e përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë! Të paktën në Bankë nuk do të jenë më pas vjedhjes historike të ndodhur atje”, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook. Ndërkohë që dy ditë më parë, deputeti socialist ka kritikuar edhe aktin e gjykatës për lirimin e Fullanit, të cilin e konsideroi pabarazi, duke marrë parasysh këtu se gjykata ka lënë në burg inspektoren e përgjithshme, Elivar Golemi. “Më e keqja është se hetimi u shkatërrua përfundimisht!! Jo për shkak të Prokurorit! Pabarazia e vendimit është e qëllimshme po e po, por mbi të gjitha synon: të shkatërrojë hetimin, të dekurajojë të gjithë ata që dinë dhe bashkëpunonin për të zbardhur mekanizmin e vjedhjes dhe përmasën e saj, të bëjë të heshtin të gjithë ata që dinë e mund të dëshmonin se si mbi 7 milionë dollarë kanë hyrë në qarkullim”, shkruan Braçe. Një tjetër pikë që u diskutua në mbledhjen e grupit ishte pikërisht edhe ajo e festimeve që do të mbahen në çdo rreth në lidhje me 70-vjetorin e Çlirimit të vendit. “Deputetët duhet të marrin pjesë në festimet që zonat e tyre elektorale do të organizojnë në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të vendit. Të gjithë duhet të jenë të pranishëm në këto aktivitete”, – mësohet të jetë shprehur kryesocialisti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button