☀️
Tiranë 29°C · Kthjellët 23 June 2026
S&P 500 7,473 ▼0.37%
DOW 51,713 ▲0.29%
NASDAQ 26,167 ▼1.32%
NAFTA 72.79 ▼1.45%
ARI 4,139 ▼1.53%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191 EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191
₿ CRYPTO
BTC $63,011 ▼ -1.93% ETH $1,693 ▼ -3.03% XRP $1.1153 ▼ -2% SOL $70.4400 ▼ -5.17%
S&P 500 7,473 ▼0.37 % DOW 51,713 ▲0.29 % NASDAQ 26,167 ▼1.32 % NAFTA 72.79 ▼1.45 % ARI 4,139 ▼1.53 % S&P 500 7,473 ▼0.37 % DOW 51,713 ▲0.29 % NASDAQ 26,167 ▼1.32 % NAFTA 72.79 ▼1.45 % ARI 4,139 ▼1.53 %
EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191 EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191
23 Jun 2026
Breaking
Opinion

Hapa prapa drejt fillimeve të demokracisë së brishtë…

Nga Pandeli Bardhi

…Dhe jo hapa përpara për forcimin e demokracisë së konsoliduar. Përtej “cikërimave” dhe kërkesave ultimative të protestës, problemin duhet ta shohim më thellë. Të çudit fakti që disa politikanë kërkojnë të gjejnë disa “cikërima” se cilat ishin shkaqet e fillimit të kësaj proteste dhe jo të shqetësohen për atë më kryesoren, nëse janë të drejta kërkesat e tyre apo jo. Sikur politikanët, të majtë e të djathtë, t’i bënin një analizë të hollësishme vetvetes e t’i thërrasin mirë mendjes, do të gjenin edhe arsyet e vërteta të kësaj proteste. Po t’i hedhim një sy tërë kësaj periudhe të quajtur “demokratike”, që nga “Dushku” i Nanos, “Gërdeci” i Berishës, “Zvërneci” i Ramës e shumë të tjera, të gjitha këto kanë lënë gjurmë për shtrembërimin e demokracisë me mënyrën si qeverisin.

Cilido mund të ketë vërejtje për ato kërkesa ultimative që ata bëjnë për politikanët, që nuk është e drejta e tyre duke marrë kompetencat e të tjerëve, veprimet që bien ndesh me kulturën demokratike apo fjalori i përdorur që bie ndesh me moralin e demokracisë. Të gjitha këto e shumë të tjera nuk i zbehin kërkesat e saj kryesore se kjo klasë politike është shkaktare e gjendjes së krijuar ku qameti thërret, turpi ulërin, çmenduria hedh “valle”, pabesia bën kërdinë, transparenca është mbyllur në “koçek”, shpresa është pesimiste dhe mosbesuese ndaj të ardhmes. Në këto kushte, sikur të marrim një model demokrati, një idealist të vërtetë, e ka të pamundur të qëndrojë në këtë teatër absurd si aktor episodik dhe do të zgjedhë rrugën të ikë nga sytë këmbët… Në këtë derexhe e ka sjellë kjo politikë këtë sistem demokratik dhe kjo është thelbësore, po të mendojmë se çfarë kërkuam në fillimet e demokracisë dhe çfarë rezultate kemi sot.

Ku janë qindra idealistët që u rreshtuan me Partinë Demokratike, si Gramoz Pashko, Edmond Trako, Eduard Selami e sa e sa të tjerë, apo në Partinë Socialiste ku të aftët lihen në “hije” dhe në diell dalin ata të “koçekëve të mbyllur”, që nuk kanë parë një rreze dielli e pesë shkrapa dije. Ka disa arsye themelore kjo gjendje, që politika dhe politikanët e kanë bastarduar keqazi demokracinë edhe në brishtësinë e saj, edhe në këtë kohë ku ndodhemi qysh nga viti 1998, kur me ndryshimet kushtetuese ndodhemi në një fazë tjetër, atë të konsolidimit të demokracisë me marrëdhëniet e reja në prodhim në kushtet e ekzistencës së pronës private dhe tregut të lirë. Protesta ka hyrë në ditën e saj të 22-të dhe kërkesat e tyre janë pa kthim.

Këtë politika duhet ta kuptojë dhe të mos përpiqet për të manovruar. Përgjegjësia kryesore për gjendjen ku kemi arritur, jo për të qenë brenda, por të “rrimë shtrembër e të flasim drejt”, bie mbi drejtuesit e politikës, të sotëm dhe atyre që kanë kaluar, sepse ne kemi një të keqe të madhe që mangësitë tona të mos i shohim në sy. Është apo nuk është e drejta e protestuesve “Rama në burg”, “Berisha në burg”, nuk pretendojnë që janë kompetentë për këtë, por janë përgjegjësit kryesorë që demokracia është deformuar dhe për pasojë është krijuar një gjendje ku është tepër e vështirë të gjendet “filli” i kësaj gjendjeje për t’u përmirësuar. Askush nga këta politikanë, përtej opinioneve që japin gazetarët e “orëve të vona”, të ndarë sipas “parcelave politike”, jo vetëm që nuk ndreqin gjë, por prishin edhe më shumë punë duke nxitur urrejtje dhe përçarje.

Edhe kryeministri aktual, për të mos folur për ish-kryeministrin, sepse ai i flet vetë të gjitha e për gjithçka për të tjerët, por jo për veten, megjithëse vetë i flet e vetë i dëgjon… Këta të dy drejtues të politikës, njëri në mazhorancë e tjetri në opozitë, kanë devijuar rrugën e idealeve dhe në plan të parë kanë vendosur interesat e tyre dhe të të afërmve të tyre. Nuk mund të themi që Edi Rama nuk ka bërë punë, por duke e mbajtur tërë “tepsinë” si pronën e tij, nga kjo “tepsi” kanë ngrënë më shumë “qorrat” sesa të aftët që i dalin zot punës. Është e rrezikshme kur vetja të hyn në qejf dhe mania për t’i grumbulluar të gjitha pushtetet, janë bërë të plotfuqishëm. Është metoda e punës së tij që emërimet që ka bërë, duke filluar qysh nga zëvendësat e tij deri te kryetari i bashkisë më të largët, i kanë dalë “fycka” dhe e askujt tjetër.

Të gjithë që janë marrë nën hetim nga SPAK-u, mbajnë firmën dhe vulën e tij. E keqja më e madhe vjen më pas kur edhe sulmon drejtësinë si fajtore dhe duke marrë në mbrojtje përgjegjësit që kanë shpërdoruar me të dyja duart paratë e popullit, duke ndërtuar dhjetëra vila e vendosur pasuri të paluajtshme në një kohë kur shumica e këtij populli vuan për bukën e gojës. Që ka intelektualë dhe drejtues me integritet, kjo është e vërtetë, por e keqja është që të aftët nuk para i pëlqejnë kryetarit, nga frika mos i marrin karrigen dhe për këtë detyrohen të emërojnë deputetë të tipit “Zegjine” apo drejtues dikasteri të tipit “Manastirliu” etj., jo me qëllimin e vetëm për të bërë punën, sepse edhe drejtuesi ka rëndësinë e vet, por për të qëndruar me “mendje të fjetur”, që kartonin këta “besnikë” do ta ngrenë apo do ta ulin sipas “daulles” që i bie kryetari.

Koha ka treguar që i paafti gjithmonë është i bindur dhe servil, sepse këto i ka mënyrë jetese. Edhe një metodë pune e tillë ka dëmtuar jo pak demokracinë, siç e shpreha edhe më lart, brishtësinë e saj, edhe në përpjekjet për konsolidimin e saj që nuk po futet në shina. Që të dy, edhe Rama, edhe Berisha, partitë e tyre i kanë kthyer në “koçekë”, ku të hyjnë e të dalin vetëm ata që duan ata dhe jo të tjerë, për të bërë të mundur që të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, sepse institucioni i dorëheqjes, që është jetëdhënës për demokracinë, nuk funksionon fare. Të dy këta kryetarë, si megalomanë që janë, e quajnë veten të pazëvendësueshëm.

I kanë vendosur partitë brenda “koteceve”, ku të mos hyjë as drita dhe as normat elementare të demokracisë. Të flas për Berishën është e tepërt, sepse ai, përveç atyre që broçkullit vetë ditë e natë, edhe kur protestuesit bërtasin “Berisha në burg”, ai nga ky vesh nuk dëgjon dhe flet për gjithçka, vetëm për Ramën; ai është “burimi i tërë të këqijave” dhe jo ky që e ka katandisur partinë e tij në një “mbetje” nga “ishi” i saj, pa formë, pa norma, pa ideale, pa alternativa, pra thjesht një “mbetje” vetëm për të zhurmuar… Edhe sikur të kishin realizuar qoftë një alternativë të vetme në interes të Shqipërisë, nuk do të ishin gëzuar aq shumë sa i janë gëzuar një falsiteti sikur kryetarit iu hoq “Non Grata”! Në kuptimin e vërtetë të fjalës, Berisha, kjo “figurë politike”, e ka mbyllur ciklin e vet dhe tani ka mbetur vetëm për të qeshur të tjerët qysh në fillimet e tij e deri kur tha: “Unë erdha. U krye”! Po ç’të thuash tjetër kur të gjithë ata që mban rreth e rrotull, në të njëjtën linjë me Ramën, flasin të gjithë me gjuhën e tij, që nga Këlliçi, një muaj para zgjedhjeve të vitit të kaluar, kur “bisedoi” me Trumpin, kur ky i “premtoi” që u hoq “Non Grata” për shefin e tij, për të vazhduar me komunistin vullnetar të Enverit, kur shembte objektet e kultit në vitin 1967, Tritanin kur pa dosjen e shefit në Kongresin Amerikan që nuk figuronte “Non Grata”, për të vazhduar me “zëdhënësin” e Shtëpisë së Bardhë, Nard Ndoka, tek Edi Harxhi e për të përfunduar tek Fevziu, sikur Berishës iu hoq “Non Grata”. Këto nuk kanë rëndësi aq sa ka ngazëllimi i vetë Berishës, kur hyri në Parlament sikur të kishte ardhur si “Pëllumb i shkruar” vetë Skënderbeu për të shpëtuar Shqipërinë! Këto janë edhe më shumë se për të qeshur… “Non Grata” e tij është në fuqi, por kjo është hiçgjë përpara asaj që këtij “Non Gratën” ia ka dhënë populli me bëmat që ka bërë dhe Amerika le të bëjë punën e saj, por është fare e parëndësishme… Nejse, çdo gjë që të themi është e tepërt për këtë lloj “specieje” dhe mirë do të ishte që me të mirat e bëmat e tij të dilte në pension e të shijonte pa strese vitet e pleqërisë… Por edhe hakun e vetes e di “Mavria”, prandaj edhe e ka të vështirë të mos ketë një për t’ia “qarë” hallet e shumta dhe ka zgjedhur disa militantë që i quan Partia Demokratike… Edi Rama, nga ana e tij, është i vonuar për të dhënë dorëheqjen, megjithatë asnjëherë nuk është vonë.

Që të dy janë përgjegjësit kryesorë që kanë shkelur edhe normat më elementare të demokracisë, siç është mendimi i lirë në parti apo zëri ndryshe. Kushdo që nuk është në unison me kryetarin përjashtohet pa “çak pa bam”: Ben Blushi, Ditmir Bushati, Spiropali etj., etj., një metodë kjo edhe më e keqe se autarkia, dhe të punosh për të konsoliduar demokracinë me forma autarkike, sikur nuk shkon. Që të dy këta bashkëpunëtorë, Edi Rama dhe Sali Berisha, kanë punuar për të kalbëzuar “shtyllat” që mbajnë në këmbë demokracinë, kanë kalbëzuar të katër pushtetet e këtij sistemi vetëm për interesat e tyre, duke filluar qysh nga pushteti legjislativ, ku tre të katërtat e deputetëve vijnë nga “koçekët” e mbyllur, dhe të mos akuzojnë një farë koçeku që ikën nga partia sepse nuk është faji i saj që i mungojnë idealet që përfaqëson dhe nuk është për t’iu zemëruar sepse në këtë “stan” që e kemi mbushur me deputetë të tillë, nesër do të presim edhe largimin e tyre, sepse as vetë ata nuk e dinë se çfarë përfaqësojnë.

Këto e shumë e shumë të tjera kanë bërë atë që gjendja të mahiset aq shumë saqë tani të gjithë vijnë vërdallë dhe askush nuk jep zgjidhje. Të gjitha këto janë vetëm disa, por “vrimat” nga fut ujë anija demokratike janë të shumta dhe nuk duhet të reshtin as britmat e protestuesve, as heshtja lemeritëse e “Sovranit” për qëllimin e madh të konsolidimit të demokracisë, sepse sindikatat, kjo politikë e këta politikanë, me thërrimet që u kanë dhënë, i kanë varrosur njëherë e mirë…

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.