Zhernovski: Në Maqedoni po zgjerohet ndikimi mediatik i botës serbe, Mickoski dëshiron kontroll njejtë si Vuçiqi
Siç paralajmëruam, operacioni për errësirë mediatike sipas recetës së Vuçiqit po zbatohet edhe në Maqedoni, deklaroi Andrej Zhernovski, sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar në LSDM.
„Sot në konferencën për media duhet të themi një temë jashtëzakonisht të rëndësishme, një operacion që po zhvillohet pikërisht në këtë moment. Siç paralajmëruam, operacioni për errësirën mediatike që do të ndodhë në Maqedoni nën patronazhin dhe regjinë direkte të Vuçiqit, tashmë është në proces. Për këtë kemi paralajmëruar edhe para dy muajve“, tha ai.
Zernovski informoi se dje në Serbi është përfunduar shitja e mediave të Adria News Network tek grupi investues Alpac Capital.
„Në këtë grup mediatik janë N1, Nova, Radar, Forbes Serbia dhe Danas. Kush është Alpac Capital? Bashkëpunëtor, këshilltar dhe mik i Viktor Orbanit. Në vitin 2022 Alpac Capital mori shumicën e aksioneve në Euronews. Më vonë u bë e ditur se për këtë transaksion 45 milionë euro erdhën nga një fond shtetëror hungarez, ndërsa 12,5 milionë euro u siguruan përmes një kompanie të lidhur me operacionet e komunikimit të qeverisë hungareze. Pra, nuk flasim për marrëveshje të izoluara biznesi, por për një koncept për kontroll total të hapësirës mediatike në vendin tonë. Ky është model që tashmë zbatohet në Serbi dhe po zbatohet edhe tek ne. Nuk është rastësi që kompania hungareze 4iG mori licencën për operatorin e tretë mobil në Maqedoni. Kështu ngadalë po vendoset i gjithë koncepti dhe modeli për të cilin kemi paralajmëruar“, tha Zhernovski.
Ai shtoi se kjo çështje nuk duhet parë si temë e zakonshme, por si shumë më serioze.
„Po realizohet hyrja dhe zgjerimi i mediave nga ‘bota serbe’, të afërta me pushtetin e Vuçiqit. Nuk është rastësi që dy vite me radhë raportet nga Brukseli – nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian – flasin për ekzistencën dhe ndikimin e ‘botës serbe’ në Maqedoni. Informacionet tona tregojnë se një nga planet është hyrja përmes grupit ALO në hapësirën televizive në Maqedoni, me opsionin e marrjes së pronësisë së Nasha TV. Në këtë operacion rol kyç do të ketë Ivana Taleska me projektin Euronews që nisi në shtator. Dhe nëse përmendim atë emër, natyrisht arrijmë edhe te Latas, i cili është ekzekutues i politikës së Mickoskit“, tha Zhernovski.
Sipas tij, pushteti e bën këtë për të mos pasur kush të pyesë për krimet, tenderët dhe mungesën e reformave, sepse nuk ka perspektivë evropiane.
„Qëllimi është i qartë – qytetarët të marrin vetëm një të vërtetë, atë që do të serviret si e vetmja. Për fat të keq, na pret errësirë mediatike, jetë ‘demokratike’ pa media të lira, pa kritikë dhe pa të vërtetë. Këtu jemi ne, LSDM. A është tani e qartë pse Muçunski dha intervistë pikërisht për Euronews? Koncepti është i qartë. Kjo nuk është vetëm çështje e pronësisë së një televizioni apo portali, por kontroll i hapësirës publike në vendin tonë“, përfundoi Zhernovski.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.