Haradinaj dorëzon në Kushtetuese kërkesën për interpretim të dorëheqjes së tij
Në një konferencë për media, Haradinaj deklaroi se ai paraqiti një kërkesë sot në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar dorëheqjen e tij, nëse kjo nënkupton dorëheqje dhe një kujdestari qeverisjeje, edhe pse, siç tha ai, bazuar në praktikën e mëparshme, Zyra Ligjore në kabinetin e tij vlerëson se ai mund të vazhdojë të udhëheqë qeverinë.
“Nuk është se krejtësisht jeta ndalet në këtë periudhë kohore, mirëpo shoh se po përzihen temat. Unë kam dhënë dorëheqje, një qeveri duhet të dalë nga zgjedhjet por deri sa të vijë ajo qeveri, kush mban përgjegjësi për qeverisjen në vend? Këtë përgjigje nuk e jep askush, ndërsa unë nuk guxoj ta lë në kaos vendin deri sa nuk zgjidhet një qeveri tjetër. I siguroj qytetarët e vendit që nuk do t’i lë në vakum qeverisës, por për të qenë në anën e ligjit iu kam drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse kërkesa e tij dërguar Gjykatës Kushtetuese do të ngadalësonte shkuarjen e vendit në zgjedhje, Haradinaj tha se ai ka kërkuar nga presidenti, Kuvendi dhe subjektet politike të ndërmarrin hapa për shpalljen e zgjedhjeve në një periudhë të rregullt kohore, në mënyrë që të mos vonoheshin.
Ai theksoi se Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon se çfarë ndodhë pasi kryeministri të japë dorëheqje, kështu që ai e sheh fjalimin e tij si diçka që do të përdorë Kosova edhe në situatat e ngjashme në të ardhmen.
Haradinaj përsëriti se ka dhënë dorëheqje, sepse nuk dëshironte që në intervistim si i dyshuar në Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitej si kryeministër por si qytetar i Kosovës.
Ai gjithashtu theksoi se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kësaj radhe në zgjedhje do të dalë e vetme por partnerët e koalicionit i ka ftuar nesër për konsultime.