Hetimet për Inceneratorët, SPAK kërkon arrestimin e deputetit të PS, dorëzon sot shkresën në Kuvend
Krahas urdhër arresteve të lëshuara sot për inceneratorin e Fierit si edhe atyre që pritet të ekzekutohen gjatë ditës, SPAK pritet të dorëzojë në Kuvend edhe një kërkesë për autorizimin e arrestimit të deputetit të PS, Alqi Bllako.
Ky i fundit ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në periudhën kur janë miratuar koncensionet për inceneratorët.
Më herët, SPAK kërkoi arrestimin e Bllakos, ish-ministrin e Mjedisit me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.
Deklarata e SPAK
Së pari, nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, nga anëtarët e Komisionit të Koncesionit, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, janë kryer veprime në kundërshtim me nenet 18, 21, 22,24, 31, 32, të ligjit nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i ndryshuar, në kundërshtim me nenet 27, 38 të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, në kundërshtim me nenin 8 të VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar.
Së dyti, në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.
Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Veprimet dhe mosveprimet e personave të mësipërm janë në kundërshtim me VKM nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.584, datë 28.8.2003 “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, Kreu II, “Nisma për Projektaktin”, pika 3 dhe 4 e saj.
Së treti, nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.
Shtetasi K. Z. në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, si dhe shtetasi A.M., në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria e koncesionit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., përfitime të parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij dhe prej personave familjarë të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Së katërti, nga hetimet e kryera kanë rëzultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.