Ekonomia

Hidrokarburet, puset e naftës i kalojnë shtetit, “Albpetrol” përjashtohet nga kërkimi në puse

Kompania “Albpetrol” nuk do të disponojë më të gjithë puset e naftës, por zona do të ndahet në blloqe për kërkimin dhe zbulimin e zonave të reja naftëmbajtëse. Ky është në thelb ndryshimi i ligjit për hidrokarburet i miratuar dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Deputetët miratuan disa ndryshime në ligjin “Për hidrokarburet mbi kërkimin dhe zbulimin”.nafte

Kjo do të thotë se kontrolli mbi zonat apo blloqet që po shfrytëzohen nga kompani private i hiqet “Albetrolit” dhe i mbetet vetëm shtetit. Kjo i hap rrugë shfrytëzimit të këtyre blloqeve për kërkim dhe zbulim të hidrokarbureve për investitorët. “Ky ligj ka kaluar një kohë relativisht të gjatë nga momenti i inicimit nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, miratimi në Këshillin e Ministrave dhe përcjelljes në parlament. Ka të bëjë me shkrirjen e situatës së ‘Albpetrolit’ ‘të madh’, i cili ka qenë gati si pjesë e strategjisë për privatizim, duke e bërë situatën më fleksibël, duke krijuar mundësinë që blloqet rast pas rasti, sigurisht me vendime përkatëse të qeverisë të jenë të lira për t’iu dhënë investitorëve të mundshëm”, tha Koli Bele, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjetikës. Ndryshimet i kanë mbështetur edhe deputetët e opozitës të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Genc Ruli u shpreh se pasuritë natyrore duhet t’i mbeten shtetit.

“Në thelb, vetëm shteti e mbart këtë sovranitet që të negociojë për pasuritë publike kur këto jepen për shfrytëzim etj. Dhe kjo ka qenë e menduar prej kohësh, asnjëherë nuk është realizuar dhe unë e gjej me vend që është realizuar sot. Zotërimin në emër të shtetit, të së drejtës për të negociuar për këto zona, për t’i futur në qarkullim ekonomik dhe për të tërhequr investime e ka qeveria e përfaqësuar nga ministria në këtë rast përkatëse dhe jo nga ‘Albpetroli’”, tha Genc Ruli, nënkryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi kaloi nen për nen ndryshimet në ligjin për hidrokarburet. Ndryshimet në ligjin për hidrokarburet kanë edhe votat e deputetëve të djathtë në komision.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button