Historia e përgjimeve nuk mund të lihet kështu
Nëse kjo histori mbetet kështu, shumë shpejt do të lindin dyshime të tjera që do ta helmojnë edhe më klimën tejet të helmuar. Për shembull, do të lindin dyshimet se maxhoranca dhe Kryeministri nuk bëri transparencë ose pse janë të përfshirë vetë në përgjime që i komprometojnë ose pse nuk kanë synim ndërtimin e një Shërbimi Sekret që t’i shërbejë luftës kundër krimit dhe terrorizmit, por kanë synim ta kapin SHIK-un për ta përdorur për vete, ashtu siç kanë akuzuar paraardhësin.
Nga Fatos Lubonja
Para disa ditësh, në emisionin “Opinion” të Fevziut mbi përgjimet e SHIK-ut, u tha, midis të tjerash, se ndër gazetarët e përgjuar bën pjesë edhe Fatos Lubonja. Ishte një pohim i hedhur si shumë pohime që u hodhën në atë emision, që mbeti pezull, pa pasur një përgjigje, duke ushqyer edhe ai thashethemnajën rreth kësaj teme që u hap së fundi në këtë vendin tonë ku e vërteta dhe gënjeshtra luajnë si macja me miun në mendjet e shumë njerëzve.
Sigurisht, nuk është ndjenjë e mirë të dëgjosh se je përgjuar, veçanërisht kur mendon se nuk bën ndonjë aktivitet kriminal në jetë që të të bëjë të rrezikshëm për shoqërinë. Është po ashtu shumë e pakëndshme të jetosh me hamendjet, që mund të çojnë deri në paranoja, nëse je përgjuar apo nuk je përgjuar në të kaluarën, nëse përgjohesh apo jo edhe në këtë moment. Përgjimi i pamerituar dhe i pambështetur në ligj është një dhunim i të drejtave të njeriut, një dhunim i privatësisë që përbën krim. Jo vetëm, por nuk mund të mos mendosh: kush janë këta që i dhënkan vetes të drejtën të të përgjojnë? A nuk mund të presësh edhe më keq nesër prej tyre në kuptimin e kërcënimit që i bëjnë lirisë dhe demokracisë? Prandaj dhe nuk arrij të kuptoj përgjigjen e Ilir Metës që u shpreh me humor për përgjimet që i qenkan bërë edhe atij, sipas këtij lajmi, ndërkohë që, sipas meje, do të duhej të mërzitej e shqetësohej tri herë, për veten, për ligjin dhe për ata që përfaqëson.
Nga sa dëgjova në “Opinion” dhe nga sa jam informuar, më rezulton se variantet se si mund të kem rënë në përgjim – gjithmonë nëse kjo është e vërtetë, por tek e fundit këtë shkrim nuk po e bëj për veten, por po nisem nga vetja për të përgjithësuar problemin – janë disa.
Së pari, është varianti i përgjimit të ndonjë individi për të cilin është lëshuar një leje përgjimi nga organet kompetente pasi ka të dhëna se ai mund të merret me ndonjë aktivitet kriminal. Dhe sikurse merret me mend, ky ka telefonuar edhe me persona të ndryshëm për punë të ndryshme, të cilët, dashje pa dashje, janë regjistruar.
Por nuk është vetëm ky varianti i përfolur e që duket se është i ligjshëm. Është përfolur edhe një variant sipas të cilit personi është përgjuar me ligj, d.m.th. duke u gjetur një vjegë ligjore, por jo për shkak të ndonjë aktiviteti kriminal, por për shkak të paranojave të të pushtetshmëve (akuza kryesore bie mbi Sali Berishën) që kanë dhënë ndonjë urdhër, apo pse ndonjë punonjës apo drejtues i SHIK-ut ka bërë të zellshmin.
Por ka një variant edhe më të keq akoma: kur përgjimi është bërë pa u marrë asnjë leje, thjesht me urdhër verbal nga lart duke qenë se personi duhet përgjuar.
Nëse do të më thoshin se jam përgjuar sepse ka ndodhur që më ka telefonuar një person i ndjekur për një lloj krimi, atëherë do të më brente dyshimi se cili është ky person, pasi tek e fundit, një shoqëri e tillë është sadokudo një rrezik. Por gjithsesi, do të isha i qetë për dy arsye: së pari sepse nuk është përgjuar telefoni im, por i atij, pra nuk jam përgjuar në çdo orë e minutë dhe për çdo telefonatë, duke m’u dhunuar privatësia dhe intimiteti dhe, së dyti, sepse do të mendoja se megjithëse nuk është e këndshme, gjithsesi të përgjohesh, ndoshta në këtë rast përfitimi është më i madh sesa dëmi, pasi këto telefonata direkt apo indirekt kanë shërbyer për të thelluar pozicionin e një personi të dyshuar për krim.
Megjithatë, në këtë rast unë nuk mund të mos ngre pyetjen: A ka qenë funksional SHIK-u në përgjimin e këtyre personave të lidhur me krimin? Cilat janë rezultatet që të mund të justifikohet edhe fakti që ne paguajmë taksa për punonjësit e SHIK-ut apo edhe fakti se jemi vënë edhe ne indirekt në përgjim? Aq më tepër kur nga sa di unë, në rastet kur ka të dhëna të tilla informohet edhe Kryeministri, edhe Presidenti, dhe Kryeministri ka për detyrë të urdhërojë ndjekjen apo thellimin e çështjes.
Nga sa më rezulton mua, rezultatet janë shumë të dobëta duke pasur parasysh nivelin e kriminalitetit që ka në vend. Dhe për këtë mendoj se duhet të bëhet një lloj transparence. Dhe duke ngritur këtë problem nuk mund të mos sjell ndër mend se ka qenë një kohë e qeverisjes së parë të Sali Berishës kur përgjoheshin gazetarë e politikanë (ka prova për këtë edhe pse nuk janë bërë shumë publike) dhe ndërkaq nuk hetohej se si punonin piramidat financiare dhe cilët ishin bosët e tyre. Me pasojat që dihen.
Përsa u përket dy varianteve të tjera, nuk di të them se cili është më i keq: rasti kur SHIK-u ka gjetur një vjegë ligjore për të futur në përgjim një person me synim ndjekjen e aktivitetit të tij politik, apo gjetjen e ndonjë fakti komprometues për të mundur shantazhimin e tij, apo rastin kur përgjimi është bërë me urdhër verbal pa u merakosur fare për të gjetur ndonjë pretekst. Për të parin di të them se duhet të ketë mjete ligjore që të investigohet kjo nëpërmjet shqyrtimit të lejeve të përgjimit që kanë dhënë organet kompetente. Askush nuk mund të jetë jashtë parimit të check and balance në një demokraci, a aq më pak SHIKU që ne na kujton edhe kohë të mbrapshta.
Për rastin e dytë mund të them se është më vështirësisht i investigueshëm sepse ata që kanë urdhëruar përgjimet dhe ata që i kanë kryer pa u merakosur për ligjin, ndoshta i kanë fshirë gjurmët e në këtë rast kemi të bëjmë me një krim të pastër, që mund të zbulohet e mund të mos zbulohen, por si çdo krim nuk mund të mos ketë lënë asnjë gjurmë dhe shteti duhet të ketë mjete për të hetuar edhe për këtë rast.
Gjithsesi, kjo histori nuk mund të mbetet kështu as në hije, as në dritë. Ne si qytetarë dhe si taksapagues kemi të drejtë të dimë se si funksionojnë institucionet tona për mbajtjen e të cilëve paguajmë taksa. Nëse kjo histori mbetet kështu, shumë shpejt do të lindin dyshime të tjera që do ta helmojnë edhe më klimën tejet të helmuar. Për shembull, do të lindin dyshimet se maxhoranca dhe Kryeministri nuk bëri transparencë ose pse janë të përfshirë vetë në përgjime që i komprometojnë ose pse nuk kanë synim ndërtimin e një Shërbimi Sekret që t’i shërbejë luftës kundër krimit dhe terrorizmit, por kanë synim ta kapin SHIK-un për ta përdorur për vete, ashtu siç kanë akuzuar paraardhësin.