Hoxha telefonatë me Konjufcën: Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e gjithanshme për Kosovën
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca. Në një postim në platformën X, Hoxha e cilësoi bisedën si “të ngrohtë dhe miqësore”, duke rikonfirmuar marrëdhënien vëllazërore mes dy vendeve.
Ai ritheksoi se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve do të thellohet në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia.
“Pata sot një bisedë shumë të ngrohtë dhe miqësore me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca. Rikonfirmuam marrëdhënien tonë vëllazërore, lidhjen e veçantë e të patjetërsueshme mes dy vendeve tona, dhe ritheksova se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme. Ndamë angazhim për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, shkruan Hoxha.
Ministri Hoxha vlerësoi heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri në marrëdhëniet Kosovë–BE, duke shprehur bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Vlerësova zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE, me bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat”, thekson Ministri.
Sipas Hoxhës, gjatë bisedës u dakordua edhe për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar.
Hoxha siguroi Konjufcën për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për zgjerimin e njohjeve, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe përparimin e proceseve integruese evropiane e euroatlantike.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë. Në këtë frymë, rikonfirmova gatishmërinë time dhe të Ministrisë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në funksion të avancimit të objektivave të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah, me një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit”, përfundon Ministri postimin e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.