Identikiti i vrasësve të Cukut
Një kamera në rrugën që të çon në pallatin ku jetonte ish-drejtori i policisë Artan Cuku u ka dhënë shpresë grupit të hetimit se mund të identifikojnë njërin nga ekzekutorët, mosha e të cilit është jo më shumë se 30 vjeç.
Ai është i maskuar me një kapele, thanë hetuesit, ndërsa për ndërtimin e identikitit të tij janë bashkangjitur edhe dëshmitë e 11 personave të shoqëruar dhe të pyetur. Por, ajo që mund të ofronte pamje më të sigurta është një kamerë sigurie në hyrje të pallatit, që, pas kqyrjeve, rezulton të jetë jashtë funksionit.
Sikurse thonë hetuesit, Artani është përleshur me dy vrasës, njëri prej tyre ka ardhur nga hyrja e jashtme. Vrasësi i parë ju shfaq Artan Cukut në shkallët e bodrumit dhe sikurse tregojnë hetuesit, e ka qëlluar atë dy herë. Në tentativë për të shpëtuar, Artani ka thirrur ashensorin e katit të tretë, por sërish vrasësi e ka arritur dhe e ka qëlluar edhe dy herë të tjerë, ku ish-efektivi ndërroi jetë në sheshpushimin e pallatit, në “Rrugën e kosovarëve”.
Artan Cuku, 42 vjeç, baba i dy fëmijëve, i shërbeu Policisë së Shtetit për 16 vjet, në detyra që nisin nga shef krimesh e deri zv/drejtor policie në Tiranë e drejtor i Policisë së Vlorës. Në vitin 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra dhe pas tre viteve pa punë, së bashku me të afërmit ishte angazhuar si administrator i një shoqërie policore private që siguronte disa objekte edhe jashtë Tiranës.
Ndërsa po hetohen të gjitha pistat që kanë lidhje me detyrën e mëparshme si zyrtar policie të Artan Cukut, por edhe detyra e tij e re si administrator policie private, Policia e Tiranës kërkon ndihmën e publikut. Për këdo që ofron informacion të vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes dhe duke ofruar anonimatin, policia vë në dispozicion numrin 0694110299 si dhe shpërblimin e 3 milionë lekëve.