Ilirian Ali: Emocioni i skenës dhe lidhja me teatrin mbeten të pandryshuara pavarësisht kohës
Në skenat teatrore në vend vihen vepra shqiptare dhe të huaja, por rëndësi ka edhe mënyra se si realizohet procesi krijues. Në lidhje me procesin krijues në teatro, aktori Ilirian Ali thekson se mungesa e debatit artistik dhe e analizës ndikon në cilësinë e shfaqjes. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Ilirian Ali ndalet gjithashtu te rrugëtimi i tij i gjatë në teatër dhe lidhja e pandarë me skenën. Ai kujton vitet e punës mes provave dhe shfaqjeve, që sipas tij kanë formësuar identitetin e tij artistik. Ai tregon se gjatë karrierës së tij ka interpretuar role të ndryshme, duke lëvruar si komedinë ashtu edhe dramën, sipas natyrës së tij artistike. Për të edhe leximi i poezisë dhe letërsisë mbetet një pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së tij. Ai shton se poezia i shërben si burim frymëzimi në punën e tij si aktor. Aktori Ilirian Ali është një nga emrat e njohur të teatrit, ku jeta e tij artistike ka nisur që në vitin 1978 në Vlorë në fillim me trupën e estradës dhe më pas me teatrin.
-Ju keni një karrierë të gjatë si aktor. Pas kaq vitesh në teatër, çfarë ju emocionon ende sa herë ngjiteni në skenë?
Ne jemi rritur me pluhurin e skenës dhe jetën më tepër e kemi kaluar më tepër në teatër, me provat, shfaqjet bashkë me kolegët, siç bëhet në përgjithësi edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se kanë ndryshuar raportet apo mundësia ose mënyra e të punuarit, por emocionet janë të jashtëzakonshme. Unë edhe kur dal për të pirë një kafe e kthej kokën vazhdimisht aty, sepse më duket sikur më përshëndet vetë godina e teatrit. Edhe pse jam në profesion të lirë, kafen vazhdoj ta pi aty afër me kolegët e Teatrit të Vlorës.
-Ju keni përmendur edhe ndryshimet në teatrin e sotëm krahasuar me më parë. Si ju duket mënyra si punohet sot në krahasim me dikur?
Në përgjithësi unë, kur takoj miq dhe kolegë të mi që jemi të një moshe afërsisht, por edhe me të rinjtë, bisedojmë e diskutojmë dhe shpesh unë e them se jemi të lumtur që kemi jetuar në një periudhë kur bëhej art i vërtetë. Sepse tani, në emër të lirisë, ose të gjitha rrymave të teatrove që janë në botë, tani janë futur në Shqipëri dhe luhen nëpër skenat e teatrove tona. Por realisht, siç jemi formuar ne, siç e kemi konceptin e kulturës tonë profesionale, siç jemi rritur ne në atë periudhë, teatri realist është ai që është sot dhe mbizotëron edhe në jetën e përditshme dhe në botë, pavarësisht se ka rryma të ndryshme. Pra, ndryshimi që ka ndodhur në Shqipëri me teatrin është se janë futur rryma të ndryshme, koncepte të ndryshme, formime të ndryshme të aktorëve që kanë studiuar jashtë. Por unë ruaj dhe ndjej kënaqësi për atë periudhë që kemi jetuar ne, brezi ynë, jo vetëm në kohën e monizmit, por edhe më vonë në përgjithësi bëhej teatër i vërtet.
Kishte përgjegjësi, bëhej një provë, analizohej, kaloje përpara komisionit apo këshillit artistik, evidentoheshin arritjet, bëheshin vërejtje dhe riparoheshin, deri në momentin që dilte premiera. Ndërsa tani shpesh nisen vetëm nga mendimi dhe besimi që ka regjisori që zgjedh pjesën dhe kaq, ai mban përgjegjësi. Po ku konsiston përgjegjësia e tij? Sa spektatorë? Sa shfaqje jepen? Pra pjesa, zgjidhet dhe del si spektakël vetëm me mendimin e tij, pa u bërë produkt i një debati dhe analize, ku të thuhet kjo figurë nuk është realizuar, këtu nuk ka dalë ideja, etj. Këto janë gjërat që mua më bëjnë të jetoj dhe të mbaj në ndërgjegjen time të kaluarën, interpretimet, veprat, teatrin, kohën që ka punuar brezi ynë. Edhe tani punohet, por këtë mënyrë pune apo praktike që ndiqet sot, unë nuk e përqafoj. Unë e kam jetuar atë kohë dhe më ka pëlqyer më shumë arti që bëhej atëherë.

-Ju si aktor keni sjellë role të ndryshme në skenë. Çfarë ju tërheq më shumë te një personazh, kompleksiteti psikologjik, mesazhi që përcjell apo sfida interpretative?
Aktori është për të luajtur në skenë, për atë ka studiuar dhe punuar. Ne kemi një specifikë të veçantë, ne e kemi zgjedhur vetë këtë profesion dhe shkojmë vazhdojmë shkollën nga pasioni, nga dashuria për teatrin, dhe dalim aktorë, jo të gjithë e kanë atë fat, por sepse kanë një dhunti të tillë, të cilën e kanë zhvilluar në shkollën e arteve. Në këtë aspekt aktori është i detyruar t’i përgjigjet çdo roli që do të marrë. Përveç kësaj, edhe regjisori krijon idenë për personazhet kur merr veprën dhe bën përshtatshmërinë psikofizike të aktorit për të marrë atë rol. Unë si natyrë, si Ilirian, më kanë pëlqyer gjithmonë rolet e karaktereve, sepse kështu është natyra ime. Më pëlqen komedia, më pëlqen humori, më pëlqen edhe drama. Të gjitha këto unë i kam lëvruar.
-Në një kohë kur publiku është i rrethuar nga platformat digjitale dhe rrjetet sociale, çfarë e bën teatrin ende të pazëvendësueshëm?
Për të qenë realistë në kohën që zhvillohet sot, teatri është e vështirë të përballet me këtë gjë, ky është një problem kudo, jo vetëm në teatrin tonë por në gjithë teatrot e botës, sepse vetë bota është e mbytur në rrjete sociale dhe nëpërmjet inteligjencës artificiale. Më përpara, kur kemi jetuar ne, njerëzit shkonin në teatër dhe kinema, nuk kishte gjë tjetër. Ndërsa tani, mendja e njeriut është e mbytur dhe e ngarkuar nga rrjetet sociale, që e kanë bombarduar trurin e njeriut dhe është e vështirë të shkëputet. Në këtë kohë të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, teatri e ka shumë të vështirë.
Kjo ndihet në përgjithësi, secili mban kokën mënjanë duke parë celularin, YouTube apo gjëra të tjera që kanë të bëjnë me internetin. Në këtë aspekt unë e shikoj si problematike çështjen e teatrit në ditët e sotme në raport me publikun, me spektatorin. Mbase në të ardhmen do të ndryshojnë edhe më tepër, sepse atë që krijon aktori në teatër përpara publikut me një emocion të gjallë nuk i gjen dot në një film që shikon në televizor. Teatri krijohet përpara spektatorit, aktori krijon përpara publikut dhe nuk mund të jetë njësoj si të shikosh në internet.
-Çfarë ju tërheq më shumë te poezia dhe pse e shihni atë si pjesë të domosdoshme të punës së aktorit?
Misioni i aktorit është letërsia, sepse pa të nuk mund të ecësh, baza e teatrit është letërsia dhe brenda letërsisë është edhe poezia. Unë lexoj poezi sepse më pëlqen, duke e mbajtur veten time në dinamikën e përditshme. Kam një impenjim që sot do të lexoj një poezi të një autori.
-A ka ndonjë poet shqiptar ose të huaj, që e keni më të afërt në mënyrën si e ndjeni tekstin?
Idhullin unë kam Dritëro Agollin, ndoshta ngaqë poezia e tij është më pranë meje, ka jetë, ka ngrohtësi në poezinë e tij. Më pëlqen, sepse ai është popullor, ka shkruar për shtresën e gjerë, për njerëzit, për fshatarët, për bujkun, për prindërit, për ata që luftuan. Por ka edhe të tjerë, përmend këtu poetin Petrit Ruka, që është një nga më të mirët. Një tjetër autore është Adriana Dragoi, poezia e saj është e veçantë dhe tepër njerëzore dhe unë gjej veten te poezia e saj, apo Anila Toto, Arben Abazi, etj. Unë i lexoj gjithmonë poezitë e tyre, më mbajnë gjallë, më frymëzojnë.
-Kur lexoni një poezi, çfarë ju bën ta zgjidhni një tekst dhe jo një tjetër?
Poezia më pëlqen në radhë të parë për mesazhin që përcjell, për mendimin që sjell. Më pëlqen vargu i lirë, por edhe me rimë, por kryesisht mua më pëlqen mendimi që përcjell poeti. Unë poezinë e kam pasur që kur kemi qenë studentë. Në fjalën artistike unë kam pasur Vera Zhenjin, dhe atëherë kishte një program, ditën e premte ose të shtunë, më duket se ishte “Fjala poetike në program”. Dhe ne dilnim si studentë me poezi që bënim në fjalën artistike. Kemi bërë edhe cikël poemash satirike me Vera Zhenjin në Televizionin Shqiptar. Unë si duket që në atë kohë i kam pasur qejf dhe më pëlqen poezia satirike, poezia romantike apo epike. Madje unë edhe tregimet e skicat i kam interpretuar, sepse më pëlqejnë.
-Jeni duke punuar për një monografi mbi teatrin e Vlorës. Çfarë ju shtyu të ndërmerrni këtë nismë?
Unë shikoj që ka shumë njerëz që shkruajnë për teatrin sipas mënyrës dhe shijeve të tyre. Unë kam 45 vjet në teatër dhe kam bashkëpunuar me miq dhe kolegë. Kam menduar që historikun apo memorien e teatrit ta bëj në një mënyrë tjetër, apo në një këndvështrim tjetër. Nga dëshira ime po punoj, sepse herë pas here publikoj në faqen time portrete të miqve, shokëve apo artistëve që kam punuar me ta dhe që janë ndarë nga jeta. Unë dua të sjell një memorie të gjithë aktorëve të teatrit të Vlorës, që nga kur kam filluar unë punë në vitin 1978 e pak më përpara sa mbaj mend, deri në ditët e sotme, por sipas mënyrës sime, sipas konceptit tim, sipas marrëdhënies sime me këta persona. Shpresoj që të kem mundësi dhe ta botoj.
Intervistoi: Juljana Vrapi




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.