Për herë të parë para publikut, Muzeu Etnografik i Beratit ekspozon dy nga objektet më të hershme të zbuluara në Kala
Nga Juljana Vrapi
Dy nga objektet më të hershme arkeologjike të zbuluara në territorin e Kalasë së Beratit janë ekspozuar në Muzeun Etnografik të qytetit. Të zbuluara nga arkeologia Hëna Spahiu gjatë kërkimeve të viteve ’70-të, këto objekte kanë qëndruar për dekada në fondin arkeologjik të këtij muzeu pa u ekspozuar. Ndërsa Muzeu Etnografik i Beratit po kthehet në një nga pikat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj, nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat këto ditë bëhej me dije edhe për ekspozimin e këtyre dy objekteve arkeologjike.
“Për herë të parë para publikut! Muzeu Etnografik i Beratit prezanton dy nga objektet më të hershme arkeologjike të zbuluara në territorin e Kalasë së Beratit: një sëpatë guri dhe një çekan guri të periudhës së bronzit të hershëm. Të zbuluara nga arkeologia Hëna Spahiu gjatë kërkimeve të viteve ’70, këto objekte kanë qëndruar për dekada në fondin arkeologjik të muzeut pa u ekspozuar, ndërsa sot dalin për herë të parë para publikut”, thuhej nga QKMB, që ka ndarë dhe foto të objekteve në faqen e saj. Këto artefakte të zbuluara gjatë kërkimeve të viteve ’70-të përbëjnë një dëshmi të rrallë të hershmërisë së jetës në Berat dhe dëshmojnë se ky qytet është një nga vendbanimet më të vjetra të njohura në vendin tonë.
Krijimi i një paneli të ri arkeologjik në Muzeun Etnografik
Muzeu Etnografik që ka një koleksion të pasur objektesh, është dëshmi e rëndësishme e kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Beratit. Ndërsa ekspozimi i këtyre objekteve kontribuon në pasurimin e rrëfimit historik të Beratit, sipas Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat është një moment i veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit, që nuk duhet humbur. “Ekspozimi i tyre hap gjithashtu rrugën për krijimin e një paneli të ri arkeologjik në Muzeun Etnografik, duke pasuruar më tej rrëfimin historik të Beratit dhe duke sjellë pranë vizitorëve dëshmi të reja të së kaluarës sonë.
Një moment i veçantë për trashëgiminë kulturore të qytetit, që nuk duhet humbur!”, thuhet më tej nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat. Pas një procesi restaurimi dhe konservimi, Muzeu Etnografik i Beratit rihapi dyert këtë qershor, duke pasuruar ofertën turistike të një prej qyteteve më të vizituara të vendit. Muzeu Etnografik në Berat ndodhet shumë pranë qendrës historike dhe lagjes Mangalem. Ndërtesa e muzeut ka dhe statusin monument kulture kategori e parë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.