Iluzioni i shumicës së heshtur: beteja e vërtetë e Revolucionit të Flamingove
Një nga idetë që qarkullon rreth Revolucionit të Flamingove është se ai duhet të bëhet përfaqësuesi i një “shumice të heshtur”, ende të papërfaqësuar nga partitë ekzistuese.
Sipas kësaj logjike, ekziston një masë e madhe qytetarësh që nuk ndihen të përfaqësuar nga askush dhe që presin vetëm një lëvizje të re për t’u rreshtuar pas saj.
Është një ide tërheqëse, por e rreme.
Ajo të jep ndjesinë se ndryshimi është shumë pranë dhe se mjafton të organizosh një rezervuar votash që tashmë ekziston për të përmbysur elitën politike.
Pikërisht këtu fshihet një nga iluzionet më të mëdha të politikës shqiptare.
Problemi nuk është se shqiptarët nuk kanë përfaqësim, por se shumica e tyre kanë një shtëpi politike, tek e cila vazhdojnë të identifikohen, edhe kur janë të pakënaqur prej saj.
Ky dallim është thelbësor.
Një vështrim më i kujdesshëm mbi të dhënat demografike dhe zgjedhore të Shqipërisë sugjeron se kjo “zonë gri” është shumë më e vogël nga sa besohet, për të mos thënë e papërfillshme.
Shqipëria karakterizohet nga një luhatje elektorale e ulët, krahasuar me shumë vende të tjera postkomuniste: shumica e votuesve shqiptarë nuk i ndryshojnë lehtësisht preferencat e tyre politike.
Rezultatet zgjedhore tregojnë se partitë e reja që hynë në parlament në zgjedhjet e vitit 2025 nuk mobilizuan ndonjë “zonë gri” të madhe qytetarësh politikisht të paangazhuar, por kryesisht tërhoqën votues nga partitë ekzistuese, veçanërisht nga PD-ja e turbulluar nga konflikti i brendshëm dhe pamundësia për t’u reformuar.
Prandaj, gabimi kryesor për “mitin e zonës gri” lidhet me mënyrën se si interpretohen statistikat e pjesëmarrjes në zgjedhje. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, pjesëmarrja e votuesve brenda vendit ishte rreth 41%.
Kjo shifër krijon përshtypjen se pothuajse 60% e shqiptarëve nuk votuan dhe, rrjedhimisht, përbëjnë një rezervuar të madh votash të pashfrytëzuara që mezi presin ofertën e duhur politike.
Por ky interpretim nuk merr parasysh realitetin demografik të Shqipërisë. Sipas regjistrimit të popullsisë 2023, rreth 48% e shtetasve shqiptarë jetonin jashtë vendit. Projeksionet e fundit të popullsisë tregojnë se tashmë rreth 54% e popullsisë së regjistruar në gjendjen civile jeton jashtë vendit.
Le të supozojmë se edhe brenda moshave votuese kemi të njëjtën shpërndarje—edhe pse shifrat tregojnë që në moshat votuese përqindja jashtë vendit është më e madhe.
Pra le të marrim të mirëqenë, për hir të ilustrimit, që fizikisht në Shqipëri gjendet rreth 46% e shtetasve që përfshihen në listat e votimit.
Kjo do të thotë se pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2025 ishte mbi 90% e popullsisë votuese që jeton në Shqipëri.
Kjo do të thotë se ne kemi një ndër pjesëmarrjet më të larta në botën demokratike.
Të merremi vesh, kjo përllogaritje është shumë e përafërt dhe mbështetet në të dhënat më të mira që kemi, jo në një regjistër të plotë të elektoratit që banon në Shqipëri.
Meqenëse Shqipëria nuk ka statistika të sakta për numrin e shtetasve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, shifra synon të ilustrojë përmasat e jashtëzakonshme të fenomenit, jo të përcaktojë një përqindje përfundimtare.
Thelbi i këtij vlerësimi është të tregojë sa gabim është të imagjinohet se ekziston një oqean qytetarësh politikisht neutralë, që presin vetëm të gjejnë partinë e tyre.
Shqipëria nuk është një vend pa identitete politike.
Përkundrazi, tranzicioni 35-vjeçar ka krijuar identitete të forta, besnikëri familjare, lidhje rajonale, rrjete klienteliste dhe narrativa historike që vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si qytetarët e shohin politikën.
Këto lidhje nuk zhduken brenda natës vetëm sepse lind një lëvizje e re.
Prandaj, sfida nuk është të gjesh njerëz pa parti.
Sfida është shumë më e vështirë: të bindësh njerëzit të braktisin partinë që kanë mbështetur deri dje.
Ky është ndryshimi mes një analize romantike dhe një analize realiste.
Dëgjohet—edhe gjatë kësaj—se “populli është me ne, por ai nuk ka ende një alternativë”.
Kjo fjali tingëllon optimiste, por fsheh një gabim strategjik.
Populli nuk është një masë homogjene që pret të zgjohet.
Ai është i ndarë në bindje, interesa, identitete dhe përvoja të ndryshme.
Kush dëshiron ta ndryshojë politikën shqiptare duhet ta pranojë këtë realitet, jo ta anashkalojë.
Prandaj, fusha ku do të vendoset fitorja e ndryshimit është krejt tjetër.
Revolucioni i Flamingove nuk do të fitojë duke u bërë partia e atyre që nuk kanë parti.
Ai do të fitojë vetëm nëse arrin t’i bindë qytetarët të heqin dorë nga partitë që kanë mbështetur deri sot.
Në vend që të pyesim, “si t’i organizojmë ata që nuk përfaqësohen?”, duhet të pyesim, “çfarë duhet të ndodhë që një socialist të mos votojë më Partinë Socialiste apo një demokrat të mos e shohë më Partinë Demokratike si të vetmen alternativë?”, “çfarë duhet të ndodhë që një qytetar besnik ndaj një partie ta vendosë për herë të parë interesin publik mbi identitetin partiak?”
Këto janë pyetjet që përcaktojnë të ardhmen.
Për këtë arsye, Revolucioni i Flamingove nuk duhet ta shohë veten si një parti në pritje. Ai duhet ta shohë veten si një proces transformimi shoqëror.
Historia tregon se ndryshimet e mëdha politike nuk kanë filluar duke krijuar menjëherë parti të reja fituese. Ato kanë filluar duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit mendojnë.
Ato kanë ndryshuar normat shoqërore, kanë ndryshuar atë që konsiderohej e pranueshme dhe atë që konsiderohej e papranueshme. Vetëm më pas kanë ndryshuar edhe votat.
Prandaj, beteja kryesore nuk është elektorale. Është kulturore, është sociologjike.
Kur një lëvizje arrin ta bëjë korrupsionin moralisht të papranueshëm, ajo ka fituar një betejë.
Kur arrin ta bëjë arrogancën e pushtetit objekt talljeje, ajo ka fituar një tjetër.
Kur arrin ta bëjë normale rezistencën qytetare dhe jo nënshtrimin, ajo ka ndryshuar terrenin ku zhvillohet politika.
Vetëm pas kësaj fillojnë të lëkunden edhe besnikëritë partiake.
Kjo është arsyeja pse Revolucioni i Flamingove nuk duhet ta masë suksesin vetëm me numrin e njerëzve që dalin në protestë apo me demonstrimin e forcës përballë policisë.
Duhet ta masë me numrin e njerëzve që ndryshojnë mendim, që fillojnë ta shohin ndryshe pushtetin dhe vendosin të mos jetojnë më në mashtrim.
Nëse ndodh kjo, atëherë ndryshimi politik bëhet vetëm çështje kohe. Nëse nuk ndodh, atëherë edhe protesta më e madhe mund të mbetet vetëm një moment emocional.
Prandaj, Revolucioni i Flamingove nuk duhet të bjerë në kurthin e “shumicës së heshtur”.
Ai nuk duhet të kërkojë votues imagjinarë, por të fitojë besimin e qytetarëve realë. Sfida nuk është të zbulosh një popull të fshehur.
Sfida është të ndikosh njerëzit ashtu siç ata janë me mendimet, besimet dhe ndjenjat e tyre.
Çdo lëvizje shoqërore është një betejë për zemrat dhe mendjet.
Jo sepse krijon qytetarë nga hiçi, por sepse bind qytetarët të ndryshojnë bindjet e tyre.
Jo sepse shpik një shumicë të re, por sepse arrin ta shndërrojë shumicën ekzistuese në mbështetëse të një vizioni të ri.
Kjo është misioni i vërtetë i Revolucionit të Flamingove: të transformojë shumicën ekzistuese.
Lëvizjet që çojnë përpara shoqëritë nuk triumfojnë kur rrëzojnë një qeveri, por kur qytetarët braktisin mënyrën e vjetër të të menduarit dhe të votuarit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.