Importet e akulloreve me rritje dyshifrore, 70% nga Italia, 30% nga Greqia
Megjithatë, në krahasim me periudhën 2014-2015, importet e akullores në sasi janë rreth 4 herë më të ulëta. Në pesë vitet e fundit, importet e akulloreve kanë qenë më të larta gjatë 2015-s, ku u importuan 2200 tonë me akullore. Gjithsesi importet kanë hyrë sërish në trendin rritës.
Duke qenë se akullorja është një produkt që konsumohet kryesisht në stinën e verës, edhe rritja e numrit të turistëve që kanë vizituar vendin gjatë sezonit, ka ndikuar që ky produkt të konsumohet më shumë. Përveç importeve, edhe prodhimi vendas ka shfaqur tendenca rritëse, ku po kthehen sërish në modë prodhimi i akullores në mënyrë artizanale.
Akullorja e importuar hyn me një çmim mesatar prej 3 dollarësh për kilogram.
Në vitin 2017, shqiptarët konsumuan zyrtarisht 1588 tonë akullore (prodhim vendas + import), ose rreth 0.6 kg për frymë. Kjo sasi llogaritet ndër më të ulëtat në Europë. Sipas të dhënave të Statisca.com, rekord për konsum akulloresh në Europë mbajnë vendet nordike, Suedia, Finlanda, Norvegjia me 10-12 kg për frymë në vit. Në shtetet e tjera, konsumi luhatet mes 4-7 kg. Më i ulët është në Bullgari, me 0.9 kg në vit. Në botë kryeson Zelanda e Re, me më shumë se 20 kg për frymë në vit dhe pas saj vijnë SHBA me rreth 20 kg në vit.
Italia, mbreti i tregut jo vetëm botëror
Italia është vendi i origjinës së akullores, e cila bëhet kryesisht me qumësht dhe sheqer. 70% e importeve të akulloreve në Shqipëri kanë origjinën nga Italia, por edhe një pjesë e prodhuesve kryesore në vend, kanë sjellë traditën e prodhimit në vendin fqinj. Pjesa tjetër e akullores së importuar, pra rreth 30% vjen nga Greqia.