Incidenti në Bulqizë, arrestohet kreu i komisionit dhe sekretari i QV-së
Policia ka arrestuar kreun e komisionit dhe sekretarin e QV-së numër 1067 në Bulqizë, pas incidentit në fshatin Gjuras me rrëmbimin e dy kutive të votimit.
Gjithashtu, është ndaluar edhe polici i qendrës së votimit.
Partia Demokratike akuzoi LSI-në për tentativën e rrëmbimit të dy kutive të votimit në këtë QV.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, deklaroi se, në lokalitetin e Gjurasit, militantë të LSI kanë rrëmbyer kutinë e votimit: “Kutia e votimit po transportohej me furgon, por militantët e LSI i kanë dalë para furgonit, kanë marrë kutinë dhe e kanë futur në një fuoristradë të tyre. Por, militantët e PD e kanë ndaluar fuoristradën”.
Ndërkohë, ky incident u cilësua nga nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, si fare banal. Ai i bëri thirrje Partisë Demokratike që të mos sillet si parti guerrilase.