Kosova

Isa Mustafa: Kam kërkuar miratimin e Këshillit të LDK për koalicion me AAK, NISMËN dhe pakicat nëse VV nuk…

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet e para për koalicionin e ri qeverisës, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk e dorëzon emrin për mandatarin apo dështon të sigurojë votat që i duhen në Kuvend.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka thënë Gazetës Express se për koalicionin me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe pakicat, Këshilli i përgjithshëm do të vendosë përmes votës deri nesër në orën 16:00.

Tashmë kanë kaluar dy javë prej kur presidenti i vendit ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të bëjë propozimin e emrit të ri për mandatarin, pasi që qeveria aktuale u rrëzua në kuvend me mocion mosbesimi.

Edhe pse partia e Albin Kurtin ka deklaruar se do t’i përgjigjen presidentit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur se nuk dihet afati kohor kur mund të dorëzohet emri për mandatarin.

Derisa LVV nuk po tregon sinjale për formimin e Qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar një propozim në organin më të lartë të partisë.
Mustafa tha se ka kërkuar miratim nga Këshili i Përgjithshëm për një koalicion me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe komunitetet joshumicë.

Kjo sipas Mustafës do të bëhet nëse shterohen rrugët kushtetuese me partinë e parë që ka dalë nga zgjedhjet.
“Unë kam iniciuar marrjen në parim të pajtueshmërisë nga Këshilli i përgjithshëm për një koalicion qeverisës me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë e komuniteteve jo shumicë, në rast se pas shterjes së rrugëve kushtetuese me partinë fituese relative të zgjedhjeve, LVV, i ofrohet mandati LDK-së, si pari e dytë”, ka deklaruar ai.

Mustafa thotë se Këshilli i Përgjithshëm do të vendos më së largu deri nesër në orën 16:00.
“Përgjigjen nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm duhet ta kem nesër deri ne ora 16:00. Nuk do të marr asnjë veprim pa pajtimin e organit (KP), i cili vendos për koalicionet në nivel qendror”, ka shtuar ai.

Nga LDK-ja kanë kërkuar prej partisë së Albin Kurtit që të marrin përgjegjësi qytetare dhe të provojnë që të sigurojnë shumicën në Kuvend.
“Radha është që Lëvizja Vetëvendosje ta marrë mandatin si përgjegjësi qytetare dhe të provojë ta sigurojë një shumicë. Nuk ka arsye të mos veprojë, sepse vendi nuk mund të drejtohet në këtë situatë nga një qeveri në detyrë e cila nuk mund ti adresohet Parlamentit për masat e nevojshme, Sa i përket kohës, është institucioni i Presidentit që vendosë mbi bazën e interpretimit të Kushtetutës”, bëri të diutr Mustafa.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci tashmë iu është drejtuar me anë të dy letrave kreut të Qeverisë në detyrë e liderit të LVV-së duke i kërkuar emrin për mandatarin.
Nga LVV kanë deklaruar se një gjë e tillë do të ndodhë, në përputhje me Kushtetutën, që s’jep afate se kur duhet të dorëzohet emri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button