Jahjaga: Drejtësia duhet t’u dalë në mbrojtje grave të dhunuara gjatë luftës
Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës mbajtën sot një takim përbashkët, në të cilin i dorëzuan presidentes Atifete Jahjaga fustanet, të cilët i kanë mbledhë për të kontribuar në instalacionin artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa. Ky instalacion artistik iu dedikohet viktimave të dhunuara gjatë luftës.
Fustani i parë për këto gra është dhuruar ditë më parë nga presidentja Jahjaga, në kabinetin e saj, e cila e pranishme ishte edhe sot në grumbullimin e këtyre fundeve dhe fustaneve.
Me këtë rast, presidentja Atifete Jahjaga para të pranishmëve tha se gratë kosovare janë tërësisht të pafajshme. Ato duan drejtësi dhe drejtësia duhet të vihet në anën e tyre.
“Faji nuk është mbi to, faji është mbi ata që kanë kryer këtë vepër makabër dhe neve vetëm me punë të përbashkët mes veti duke përkrahur njëra tjetrën ne do ta shmangim fajin nga to, ne do ta tërheqim stigmën nga to, nga shoqëria jonë duke e vendosur tek ata që e kanë kryer këtë krim makabër dhe ato kërkojnë vetëm një çështje. Ato kërkojnë drejtësi dhe neve duhet t’ua japim këtë drejtësi”, tha presidentja Jahjaga.
Jahjaga më pas ka përmendur edhe Samitin e Gruas, i cili ishte organizuar për herë të parë në Kosovë në vitin 2012, ku kishin marr pjesë më shumë se 100 shtete. Nga ky Samit, sipas presidentes janë nxjerr numër i madh i parimeve, ndër to edhe përfshirja e 50 për qind të grave në shërbimin civil deri në vitin 2050.
“Nga ky samit janë nxjerr një numër i konsiderueshëm i parimeve të cilat për këto dy vite e gjysmë me radhë pas përfundimit të samitit janë shkrirë në ligje, janë shkrirë në udhëzime të caktuara dhe rregullore të punës duke përfshirë edhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës që deri në vitin 2050 të kyçen 50 për qind e grave në shërbimin civil sepse shoqëria jonë përbën përmbi 50 për qind dhe ne kërkojmë një trajtim të barabartë”, tha Jahjaga.
Presidentja theksoi se dy çështjet në të cilat ajo është fokusuar në Samitin e Gruas të vitit 2012, kanë qenë shkollimi i vajzave dhe qasja e tyre në pronë dhe trashëgimi. Sipas saj shkollimi është çelësi për të thyer barrierat dhe për të kërkuar të drejtat e tyre ndërsa sa i përket qasjes në trashëgimi dhe pronë, dhe femrat janë qenie njerëzore dhe duhet të kenë pavarësinë e tyre ekonomike.
Fustane për këto gra, ditë më parë kanë dhuruar edhe disa nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, si Donika Kadaj-Bujupi, Blerta Delia-Kodra, Teuta Sahatçiu etj, ndërsa deri më 6 qershor, ditën kur do të përmbyllet ky instilacion, pritet që të mblidhen rreth 6 mijë fustane për këto gra.