Kosova

Jahjaga: FAK duhet të marrë detyrat e KFOR-it

jahjagaPresidentja Atifete Jahjaga priti sot në takim sekretarin e forcave detare të SHBA-së, Ray Mabus, i cili shoqërohej edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Jahjaga e vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, posaçërisht në ndërtimin e paqes, të stabilitetit dhe përparimit për të gjithë qytetarët e saj. Ajo tha se Kosova sot është e ndërtuar mbi parimin qytetar, një shtet gjithëpërfshirës me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.
Sipas njoftimit për medie, ajo tha se Kosova po bën përpjekje për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në gjithë territorin e saj, duke u ndërtuar si një shtet i së drejtës, me luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe me përpjekje të shtuara në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj.

Po ashtu tha se Kosova ka nisur procese të rëndësishme, përfshirë atë të krijimit të Gjykatës Speciale, për të cilën duhet të vendosë Kuvendi dhe njëkohësisht është e angazhuar edhe në dialogun me Republikën e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

“Perspektiva evropiane e Kosovës, sikur edhe e gjithë rajonit të Ballkanit, duhet të jetë e qartë dhe e plotë dhe përmendi përkushtimin e institucioneve dhe të shoqërisë së Kosovës në rrugën evropiane”, citon njoftimi presidenten Jahjaga.

Presidentja theksoi se as Kosova nuk është kursyer nga sfidat e shumta globale posaçërisht në fushën e sigurisë, dhe nga kërcënimet ekstremiste dhe radikale, por ka bërë hapa të rëndësishëm në parandalimin e tyre.

Ajo tha se prania amerikane në Kosovë dhe në veçanti përmes forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it, kanë ndihmuar në stabilitetin dhe vendosjen e paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon në përgjithësi. Jahjaga tha se vazhdimi i pranisë ushtarake amerikane dhe kampit ushtarak Bondsteel është e një rëndësie të posaçme jo vetëm për Kosovën.

Presidentja Jahjaga e njoftoi sekretarin Mabus edhe për punën e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në vend në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe theksoi se me përmbylljen e procesit të rishqyrtimit të sektorit të sigurisë në Kosovë është rekomanduar transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, një force mbrojtëse të armatosur lehtë, që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës.

“Forca e Armatosur e Kosovës duhet të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë”, tha presidentja Jahjaga.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button