Ekonomia

Janar 2016: Të ardhurat në buxhet u rritën 25%

cTë ardhurat buxhetore u rritën me 25% (apo me 6.5 miliardë lekë) në janar të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 32.2 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave. Performanca është shumë më e mirë se e njëjta periudhë e një viti më parë, kur të hyrat buxhetore ranë me gati 4%, si rrjedhojë e problemeve me sistemin e ri të deklarimit online. Në raport me janarin 2013, rritja e të ardhura është 16%.
Në janar 2016, efektin kryesor në zgjerimin e të ardhurave e ka dhënë të ardhurat tatimore, konkretisht akziza, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe sigurimet shoqërore, ndërsa TVSH kishte një ecuri më të dobët. Në total, të ardhurat nga tatimet e doganat u rritën me 35% në 21 miliardë lekë. TVSH pati performancën më të dobët, duke u zgjeruar me 7.5% në 10.1 miliardë lekë.

Të ardhurat nga tatim fitimi pothuajse u trefishuan në gati 1.5 miliardë lekë dhe këtu ka dhënë një ndikim të ndjeshëm edhe kësti mujor i Bankes Petroleum, i cili në bazë të marrëveshjes me qeverinë shqiptare për zgjidhjen e një konflikti tatimor ka rënë dakord të paguajë 4.2 milionë dollarë (rreth 500 milionë lekë) çdo muaj për shlyerjen e detyrimit prej 57 milionë dollarësh. Edhe të hyrat nga akciza u shtuan ndjeshëm, me 57% në 2.8 miliardë lekë, ndryshe nga viti i kaluar, kur ky zë ishte vazhdimisht në rënie.
Të ardhurat personale gjithashtu u zgjeruan me 66% në 3.2 miliardë lekë për dy arsye. Së pari ato kishin rënë ndjeshëm në janar 2015 për shkak të problemeve me deklarimin on line dhe së dyti, tatimet nisën në janar kontrollin e pagave te biznesi privat, në bazë të analizës së riskut.
Taksa nacionale gjithashtu u dyfishua në gati 3.1 miliardë lekë.

Ecuri pozitive shënuan dhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, në rritje me 26%, duke arritur në 7 miliardë lekë, edhe këto një reflektim i kontrolleve tatimore mbi deklarimin e pagave. Ndërsa sigurimet shëndetësore rezultuan me rënie prej 25%.

Të ardhurat jo tatimore ishin në nivele pothuajse të njëjta me janarin 2015, rreth 2.7 miliardë lekë.

tabela fiskale

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button