Teknologji

Japonia do të ndërtojë hekurudhën më të shpejtë magnetike në botë

timthumbKombi simbol i hightech-ut, Japonia, ka shënuar një hap të ri cilësor në kalimin drejt një epoke të re të trenave të shpejtësisë së lartë. Hekurudha me fushë magnetike “Maglev”, me një shpejtësi prej më shumë se 500 km/h, është ajo që do ta lidhë deri në vitin 2027 kryeqytetin e Japonisë, Tokio, me qytetin industrial, Nagoya.

Qeveria ia akordoi lejen shoqërisë hekurudhore “Central Japan Railway” (JR Tokai) për ndërtimin e trasesë. Sipas planit, deri në vitin 2045, linja duhet të jetë gati për të transportuar udhëtarë deri në qytetin miliona-banorësh të Osakës. Kostot e përgjithshme për projektin madhor mendohet se do të kapin paraprakisht shifrën e nëntë miliardë jenëve japonezë (ose 66 miliardë eurove).

Punimet për ndërtimin e linjës në fjalë, mund të nisin – sipas njoftimeve nga kompania fituese – këtë muaj. Pjesa më e madhe e linjës 286 kilometra të gjatë deri në Nagoya, do të investohen te tunelet.

Pjesë të qytetit duhet të shpohen për të arritur në tunele nëntokësore që shkojnë deri në 40 metra thellësi. “JR Tokai” është e bindur se kostot e mëdha do mund t’i përballojë e vetme. Ndërmarrja regjistron shuma të majme prej të ashtuquajturve “Shinkansen”, treni më i shpejtë aktualisht në Japoni. Me Shinkansen, para 50 viteve, ia nisi dhe era e trenave të shpejtësisë së lartë në Japoni.

Kurse “Maglev” do të mund ta shkurtonte kohën e udhëtimit nga stacioni qendror “Shinagawa” në Tokio dhe atij të Nagoya-s, në thuajse 40 minuta. “Shinkansen”, për momentin, ka nevojë për, le të themi, dyfishin e kohës për të përshkuar një distancë të tillë.

Mes Tokios dhe Osakës, koha e udhëtimit nga aktualisht 145 minuta me Shinkansen, do të zbresë në 67 minuta me Maglevin.

Së fundmi “JR Tokai” e testoi me sukses trenin magnetik e kësisoj arriti një shpejtësi provë prej 500 km/h. Ky rezultat është qartazi më i madh se sa treni aktual i shpejtësisë më të lartë që rrëshqet mbi shinat e Japonisë “Hayabusa”, me një shpejtësi maksimale prej 320 km/h.

Franca e Gjermania janë përpjekur, por duket pa sukses. Kështu, në Gjermani u nis një projekt për ndërtimin e një hekurudhe magnetike “transrapide”, që nuk u çua deri në fund. Shkak u bë, në fakt, edhe një aksident i rëndë me 23 të vdekur në Emsland në Saksoninë e Poshtme, gjatë shtatorit 2006.

Qysh prej atëherë, duket se jo vetëm Gjermania, por edhe Europa i ka lënë projektet për trena transrapidë tashmë në sirtar, pasi në kushtet aktuale, marrja me to, do të ishte vetëm një luks i tepruar e madje nga një këndvështrim tjetër, një utopi aspak zbavitëse.

Por Japonia nuk është Europa. Duket se ajo ecën shumë shpejt dhe gjërat nuk i lë në mes.

Hekurudha magnetike, një shpikje gjermane

Në fakt, këto lloj hekurudhash me shfrytëzim të fushave magnetike, u menduan njëherë e një kohë të përdoreshin së pari në Gjermani. Qysh në vitin 1934, inxhinieri Hermann Kemper, kishte regjistruar për këtë qëllim, patentën e tij. Projekti ambicioz “transrapid”, megjithatë dështoi, edhe pse nisi nga zbatimi shumë dekada më vonë. Arsyeja ishin kostot e stërmëdha, si dhe një aksident me 23 të vdekur në shtator 2006. E vetmja linjë komerciale e deritanishme për një hekurudhë të tillë, gjendet në Kinë. Ajo është vetëm 30 km dhe lidh aeroportin me Stacionin Qendror të Shangait. Republika Popullore planifikon sipas njoftimeve më të fundit të mediave, që së bashku me Rusinë, të ndërtojë një linjë rekord të shpejtësisë së lartë, gjithsesi me shina normale. Pas ndërtimit të kësaj linje, mendohet që në më pak se dy ditë të përshkohet distanca mes Pekinit dhe Moskës prej 7000 kilometrash.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button