Film

Josh Brolin, djaloshi i roleve të këqija

Teksa e sheh të shtrirë përtokë, mendon se ka nga ata aktorë që në rrjedhën e viteve i gjen në dhjetëra e dhjetëra filma me karrierë të zakonshme, por asnjëherë të jashtëzakonshme. Pikërisht këta lloj aktorësh rrezikojnë të hyjnë në atë grup që gjendet gjithmonë në shënjestër, mes mediokritetit dhe madhështisë. Ata nuk shpërthejnë kurrë me të vërtetë, deri kur mbërrin roli i jetës së tyre, që për një çast u jep vëmendjen të cilën kurrë nuk e kanë pasur në gjithë këto vite. Brolin është njëri prej tyre, me ndryshimin se rolet e jetës atij po i ndodhin njëri pas tjetrit. I pari ishte George W. Bush, në filmin ‘W’, të regjisorit Oliver Stone, që tregon historinë e Presidentit amerikan: shumë befasues për nga ngjashmëria dhe zotësia. Pastaj erdhi “Milk”, drejtuar nga Gus Van Sant: një tjetër provë e jashtëzakonshme, në rolin e politikanit konservator Dan White. Më vonë u bë Roy, një prej protagonistëve në filmin e Woody Allen, “Do të takosh burrin e ëndrrave të tua”, ku tregohet historia e dy çifteve në krizë (Anthony Hopkins e Gemma Jones), i pari prej të cilëve përbëhet nga Alfie e Helena, ndërsa i dyti nga vajza, Sally (Naomi Watts) dhe nga bashkëshorti i saj, Roy. Ky i fundit, një personazh shumë negativ: shkrimtar me një libër në qarkullim, i kalon ditët duke u ankuar për botën dhe nuk i njeh meritat që ai mendon se ka. I mërzitur nga një martesë e lodhur, ndahet nga Sally dhe fejohet me një vajzë ekzotike dhe të re, që është fqinja e shtëpisë së tij (Freida Pinto), ku rigjen suksesin duke kryer një krim shumë të rëndë: bëri sikur ishte i tiji një dorëshkrim i mikut të tij në koma. 

Je mësuar tashmë të interpretosh personazhe antipatike: Bush nuk ishte një hero pozitiv… 
Tek filmi “W”, sfida më e madhe ishte të nxirrja në dritë anën e tij njerëzore. Eh, në fakt, nëse kaq shumë njerëz e kanë dashur të jetë President për dy mandate rresht, duhet të kenë parë diçka pozitive tek ai. 

Mendon se e fitove atë sfidë? 
Besoj se po. Ishte një operacion i vështirë, por jo i pashpresë. Unë vetë nuk besoj se Bush ka qenë një njeri i keq, thjesht që ishte duke bërë një profesion jo të përshtatshëm për të. Trajner bejsbolli, ajo po që do të ishte një punë perfekte. 

E ke pyetur ndonjëherë veten, përse regjisorët të thërrasin për të interpretuar personazhe kaq të urryer? 
Shpjegimi që i kam dhënë vetes ka qenë ai se ata shohin tek unë mundësinë për të nxjerrë gjëra që as unë nuk i njoh. Të më thërrasin, për shembull, për të interpretuar pjesën e një budallai, është komplimenti më i madh që mund të më bëjnë: do të thotë se besojnë në aftësitë e mia për të gërmuar në thellësi dhe për të nxjerrë anë të panjohura të miat. 

Ishte i lodhshëm fakti që t’u desh të shëndosheshe dhe shëmtoheshe për filmin? 
Bukuria ime u vu në një provë të vështirë: kalova gjashtë javë në Londër dhe asnjë grua nuk m’i hodhi sytë. 

Ti ke një zë të mrekullueshëm, mund të mbështeteshe tek ai… 
Edhe zëri nuk ishte më i njëjti. Mënyra se si flet Roy nuk është e imja: ka një ton më akut dhe ankues, me të vërtetë të padurueshëm. O Zot, sa e urrej atë personazh! 
Nuk u argëtove aspak duke e interpretuar? 
Pak po, edhe pse të aktrosh nuk është edhe aq zbavitëse. Më krijon shumë stres. Skenat që përsëriten dhe ambientet e zhurmshme. Studimi i personazhit, ai po që më pëlqen, dhe më merr shumë kohë nga vetja. 

Do të thotë se ke ende pasiguri si aktor? 
Gjithmonë, para se të shkoj në sheshin e xhirimeve i them vetes: Përse e bëj, përse? 

Ti je fëmijë artistësh. Babai yt (James Brolin) është aktor dhe vajza jote, Eden është e interesuar për kinemanë. Je i kënaqur? 
Në fillim nuk isha. A mund t’i uroj fëmijëve të mi një jetë me refuzime dhe poshtërime të vazhdueshme? Por, nëse kjo është vërtet ëndrra e saj, do e mbështes. Pastaj, ime bijë është shumë kokëfortë. Është rritur në fshat, është shumë e zgjuar dhe inteligjente. 

Pse thuaj poshtërime? Kështu e sheh karrierën tënde? 
Kur janë të rinj, të gjithë duan të jenë të bukur dhe të dashur. Refuzimet është vështirë të pranohen. I kam kaluar vetë, dhe e di se për çfarë flas. Tani, sinqerisht nuk më interesojnë më.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button