Politika

Kandidimi në zgjedhjet e 25 prillit/ E sigurt që Vlorën nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh

“Lista përfundimtare e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit është në proces dhe ajo do të deklarohet kur të dërgohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit politikë të qarqeve, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

I pyetur se ku do të kandidojë , kreu i qeverisë u shpreh se “është e sigurt që Vlorën nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh”.

Në lidhje me deklaratat e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, e cila u ka bërë thirrje liderëve të partive që të kenë kujdes për kandidatët që fusin në lista dhe t’i verifikojnë ata, Rama tha se “ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin, përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale, nuk është përgjegjësi partie”.

“Partitë nuk janë drejtori policie, partitë verifikojnë në bazë të ligjit dhe në bazë të ligjit ne gjithmonë kemi bërë verifikimet. Pastaj nëse dikush merr përsipër të shkojë përpara drejtësisë duke bërë vetëdeklarime të rreme është krejtësisht individuale. Nuk kemi asnjë mundësi të ngremë salla torturash nëpër selitë e partive për të nxjerrë deri në fund nëse dikush fsheh diçka që nuk figuron nëpër letrat që janë në dispozicion. Ne shohim letrat që janë në dispozicion dhe bëjmë atë që bëjmë ne”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë  i pyetur edhe për emra të veçantë tha se “emrat e veçantë janë çështje e procesit që vazhdon dhe në fund do të dalë lista e deputetëve duke bazuar edhe tek puna që secili bën edhe tani që flasim, bazuar edhe tek domosdoshmëria për të krijuar një skuadër, ku do të harmonizohet eksperienca e atyre që janë sot me energjitë e reja të atyre që do të përfshihen në skuadrën e re. Është e kotë të merremi me emra të veçanta”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button