“Kathimerini”: Të kandidojë djali i Fredi Belerit, për Bashkinë e Himarës. Rama po e mbron Shqipërinë nga islamizimi
Në një opinion të botuar në gazetën “Kathimerini”, Stavros Tzimas, që shkruan shpesh për marrëdhëniet greko-shqiptare, vë në dukje se me afrimin e ditës së gjykimit për Fredi Belerin, pakicës greke në Shqipëri i mbeten dy rrugë: të gjejë një kandidat tjetër, ose të bojkotojë.
Në rastin e parë, Tsimas shkruan se djali i Belerit, që së fundmi është shfaqur në media, mund të jetë një kandidaturë, çka do ta shndërronte Himarën në një bastion politik dhe elektoral.
Gazetari Stavros Tzimas thotë se pavarësisht përpjekjeve dhe kërcënimeve të Athinës për vendosje të vetos në integrimin e vendit, Rama vijon të ruajë linjën e tij duke e konsideruar rastin si një çështje të institucioneve të reja të drejtësisë.
Në këtë përballje, në krah të Ramës, sipas Kathimerini, janë tashmë edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara pasi ai ka arritur t’i bindë se kjo është një mosmarrëveshje dypalëshe që nuk lidhet me reformat e BE-së.
Në shkrim ngrihet pyetja nëse Greqia është tani aleati më i rëndësishëm dhe më i besueshëm në Evropën Juglindore i Perëndimit dhe perse Perëndimi është gati ta sakrifikojë për Ramën?
Gazeta shkruan se ka edhe një panoramë rajonale ku Rama shihet si bashkëbiseduesi i preferuar i BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor:
“Me dinakëri, Rama vazhdon ta projektojë veten si lideri që mund të garantojë stabilitetin e brendshëm politik dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Ai e paraqet veten si një politikan me ndikim me cilësitë drejtuese të nevojshme për të kontrolluar zhvillimet e rrezikshme në Kosovën e trazuar sipas dëshirës së Perëndimit. Të gjithë e kuptojnë se pa Tiranën dhe Beogradin, pra pa Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka pak shpresa për përmirësim të situatës në Kosovë”.
Gazeta greke thotë se Perëndimi mund të mos e thotë me zë të lartë, por sheh te Rama një kryeministër pro-evropian, i cili pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, po e mbron Shqipërinë nga islamizimi dhe nga shndërrimi i saj në urën e Turqisë për në detin Adriatik. Në fund të fundit, ai ka treguar se do të bëjë atë që i kërkohet, të tilla si, për shembull, pranimi i skemës së kryeministrit italian Giorgia Meloni që Shqipëria të presë disa mijëra emigrantë dhe refugjatë që përpiqen të arrijnë në Evropë nga Afrika.