Kosova

Kë ka kontraktuar Kosova për lobim në SHBA?

Kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës për lobim në SHBA – Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal – nuk kanë pasur asnjë marrëveshje lobimi të regjistruar më parë në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në deklarimet e tyre, pronarët e dy kompanive, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj, thonë se janë të angazhuar me orar të pjesshëm në detyrën e tyre për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.

Bazuar në kontratat e nënshkruara më 26 qershor dhe të vlefshme për një vit, Rakipi dhe Mustafaj do të paguhen nga 147 mijë euro nga MPJD-ja për aktivitetet e tyre.

Shuma edhe më të mëdha janë ndarë në të kaluarën për kompani lobuese në SHBA, të cilat zakonisht kanë qenë të huaja dhe me përvojë në lobim.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Rakipin dhe Mustafajn lidhur me kontratat e tyre, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje prej tyre.

As MPJD-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me këto kontrata – se pse janë bërë pikërisht tani dhe si janë zgjedhur të kontraktuarit.

Megjithatë, për Rakipin dhe Mustafajn ka disa informacione në platformat digjitale.

Kush janë Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj?

Kërkimi i emrave të tyre në rrjete sociale dhe ueb-faqe të tjera tregon se të dy kanë qenë veprimtarë për çështjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA dhe për Kosovën, para dhe gjatë luftës së vitit 1999.

Rakipi, e lindur në Miçigen të SHBA-së, e ka njohur ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, edhe para kontraktimit për lobim. Nëntë vjet më parë, Gërvalla e ka etiketuar atë në një sfidë leximi përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Në llogarinë e saj në Twitter, Rakipi nuk ka bërë ndonjë postim origjinal prej se presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në fillim të vitit 2021. Por, që atëherë, Rakipi i ka shpërndarë disa postime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Për pesë vjet, katër njohje

Ajo, gjithashtu, ka shpërndarë postime ku kritikohet qëndrimi i SHBA-së lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane”, thuhet në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.

Marrëveshja për lobim është nënshkruar rreth një muaj pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Në atë zonë – të banuar me shumicë serbe – banorë lokalë serbë protestojnë nga fundi i majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

Hyrja e tyre në objektet komunale në veri është asistuar nga Policia e Kosovës dhe ky veprim është kritikuar nga përfaqësues të SHBA-së, por edhe të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e SHBA-së i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i ulë tensionet në veri të vendit dhe kanë ndërmarrë masa ndëshkuese kundër saj, përfshirë përjashtimin nga një stërvitje e madhe ushtarake. Ngjashëm ka vepruar edhe BE-ja.

Të gjitha propozimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

Aktualisht, në llogarinë e tij në Twitter, edhe Mustafaj shfaqet kritik ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin e mbajtur ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Duke reaguar ndaj një postimi të Departamentit amerikan të Shtetit për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, Mustafaj shprehet kritik edhe ndaj SHBA-së.

“Amerikës, në të vërtetë botës, i mungon mençuria dhe guximi i Madeline Albrightit për ta bërë atë që është e drejtë. Më duhet të besoj se ajo do të ishte tmerrësisht e zhgënjyer që SHBA-ja nuk po qëndron fort prapa Kosovës në vend që ta qetësojë [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq – një diktator. Populli i Kosovës meriton më mirë”, shkroi ai në Twitter.

A ka nevojë Kosova për një Ligj për lobim?

Mustafaj, i lindur në Nju Jork të SHBA-së, ka qenë person kyç në Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), si dhe anëtar i organizatës Germin në Kosovë, që merret kryesisht me çështje të diasporës.

Sipas përshkrimit të dhënë nga Germin, Mustafaj ka udhëhequr delegacionet amerikane në negociatat për çështjen e Kosovës në Rambuje të Francës, më 1999. Aty ka marrë pjesë edhe Rakipi, e cila gjithashtu ka qenë pjesë e NAAC-it.

Në mars të vitit 1999, të dy ata kanë marrë pjesë në një takim me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton, në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 2012, Mustafaj, si drejtor ekzekutiv i NAAC-it, është takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kë tjetër paguan Kosova në SHBA?

Departamenti amerikan i Drejtësisë i bën publike marrëveshjet përmes të cilave persona apo kompani angazhohen nga shtete të huaja për lobim apo aktivitete të ndryshme politike brenda SHBA-së.

Në ueb-faqen e tij zbulohet se Kosova ka edhe një kontratë tjetër aktive, përveç dy kontratave të nënshkruara nga ministrja Gërvalla.

Ambasada e Kosovës në SHBA lidhi marrëveshje konsultimi me kreun e kompanisë Civica, Ilir Zherka, në vlerë prej 35 mijë dollarësh për një takim me “liderët e komunitetit shqiptaro-amerikan”.

“Civica do të ndihmojë në përcaktimin e objektivave dhe rezultateve të eventit; do t’i përgatitë materialet për punishtet; do ta lehtësojë eventin dhe më pas do të japë një raport”, thuhet në marrëveshjen e publikuar.

Sa ka paguar Kosova për lobim në të kaluarën?

Që nga 19 nëntori i vitit 1992, entitete të caktuara nga Kosova – si parti politike e institucione qeveritare – kanë shpenzuar miliona euro.

Historiku i kontratave të lobimit tregon se, në shumicën e rasteve, të kontraktuara kanë qenë kompani të njohura lobimi amerikane, si për shembull Ballard Partners dhe Podesta Group.

Ka pasur edhe rast si lobimi për Qeverinë e Kosovës nga Bardhyl Tirana, gjatë viteve 1993-1999, kur ai është paguar me 1 dollar në vit.

A lobojnë vendet e Ballkanit Perëndimor?

Nga Serbia, aktualisht aktive është vetëm një kontratë lobimi nga Oda serbe për Tregti dhe Industri. Ky entitet ka kontraktuar kompaninë Yorktown Solutions për “shërbime këshillimore strategjike” për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe Serbisë.

Kjo kontratë, që skadon më 8 nëntor të këtij viti, i ka kushtuar Odës serbe për Tregti dhe Industri 840 mijë dollarë.

E, përderisa nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kontratë aktive, nga Bosnje dhe Hercegovina janë tri aktive – të tria në lidhje me entitetin serb, Republika Sërpska.

Nga Shqipëria është vetëm një kontratë aktive: Prime Policy Group kryen shërbime falas për ish-kryeminstrin Sali Berisha, të cilin Departamenti amerikan i Shtetit e ka shpallur person të padëshiruar (person non grata) në vitin 2021, shkaku i akuzave për korrupsion.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button