Kievi: Prioritet i qeverisë, integrimi euroatlantik!
Joe Biden mbyll vizitën në Ukrainë: “Do të jemi në anën tuaj, për aq kohë sa do ta doni!”
Koalicioni i ri qeverisës në Ukrainë, i përbërë nga pesë parti, ka theksuar dje si qëllim madhor të vetin, anëtarësimin në NATO. Partitë e koalicionit kanë firmosur marrëveshjen kuadër në ndërtesën e Parlamentit në Kiev, ndërsa nënshkrimi zyrtar pritet të bëhet në seancën e parë të legjislaturës së re të Parlamentit më 27 nëntor. Partitë, sipas marrëveshjes, thuhet se kanë arritur pajtueshmëri për të punuar së bashku edhe në procesin e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Europian.
Çfarë kanë premtuar tjetër partitë pro integrimit?
Ukraina ka formuar një koalicion qeverisës të përbërë nga pesë parti, të cilat nominalisht janë ajo e bllokut të Petro Poroshenkos, “Fronti Popullor”, “Samopomiç”, “Partia Radikale” dhe “Batkivshçina”. Sipas mediave ukrainase, ndër të tjera, palët janë pajtuar po ashtu që të anulojnë imunitetin për ligjvënësit, të reformojnë sistemin zgjedhor, të ndalojnë përdorimin e simboleve naziste e sovjetike, si dhe të decentralizojnë strukturën e pushtetit në vend. Në mesin e prioriteteve të tjera, është edhe krijimi i bazave të përhershme ushtarake në Lindje të vendit dhe ndarja e të paktën 3 për qind të GDP-së së vendit, për nevoja ushtarake.
Ukraina me festë të re kombëtare
Ndërkaq, Ukraina ka shënuar dje, më 21 nëntor, festën e re të saj kombëtare, e cila është një homazh përkujtimor ndaj fillimit të protestave në Kiev, nj vit më parë, që çuan në përmbysjen e ish-regjimit pro-Kremlinit. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, e pati nënshkruar dekretin që e sillte këtë ditë në kalendarin e festave më të rëndësishme kombëtare, qysh më datë 13 nëntor, duke e emëruar zyrtarisht atë si ‘Dita e Dinjitetit dhe Lirisë’. Me aktin në fjalë, Poroshenko ka dëshmuar se edhe simbolikisht i ka goditur fort shpresat e një pjese të politikës vendase që mund të kishin iluzione për lidhje të afërta me Moskën në një të ardhme të afërt apo të mesme. Më 21 nëntor 2013, disa qindra njerëz ua nisën protestave në një shesh në Kiev, të zhgënjyer nga Presidenti i atëhershëm, Viktor Janukoviç, i cili refuzoi të firmoste një marrëveshje historike me Bashkimin Europian, në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë. Pas ditës së parë, ndërsa protestat shpejt u rritën në dhjetëra mijëra demonstrues, filluan edhe përpjekjet brutale të policisë për të shpërndarë turmat me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Megjithatë, turma e qytetarëve vetëm sa rritej, duke bërë thirrje për përmbysjen e Janukoviçit, gjë e cila edhe ndodhi në shkurt 2014. Vetëm se ajo u kushtoi jetën më shumë se 100 personave, të vrarë në përleshjet me policinë, e cila dështoi për t’u dhënë fund demonstratave.
Biden: Jo rivendosjes së kufijve me forcë
Po ashtu, dje zëvendëspresidentni amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Kiev, tha se “është e papranueshme për vendet që të përpiqen t’i rishënojnë kufijtë me forcë në Europë ose të ndërhyjnë ushtarakisht, meqë atyre nuk u pëlqen vendimi që ka zgjedhur fqinji i tyre”. Komentet në fjalë, Biden i bëri dje në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko. Më tej, Biden theksoi se nëse Rusia do t’i plotësojë detyrimet që i takojnë nga marrëveshja e Minskut për përfundimin e krizës dhe do ta respektojë integritetin territorial të Ukrainës, atëherë “ne mund ta fillojmë diskutimin racional për sanksione”. Megjithatë, theksoi zyrtari i lartë amerikan, “ne kemi parë mosrespektim të paturpshëm për marrëveshjen e Minskut nga ana e Moskës”. “Bëni atë për të cilën keni rënë dakord ta bëni, zoti Putin”, ishte porosia e zëvendëspresidentit Biden. Më tej, Joe Biden, theksoi se “Amerika nuk do ta njohë kurrë okupimin rus dhe përpjekjen për aneksim të Krimesë” dhe do të këmbëngulë që edhe të tjerët të mos e njohin këtë veprim të Moskës. Ai përmbylli duke theksuar se Shtetet e Bashkuara “do të jenë në anën” e Ukrainës, për aq kohë sa këtë e dëshiron Kievi.