Bota

Britania voton, masa të larta sigurie në qendrat e votimit

Në Britani mbahen sot zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të përcaktojnë se kush do t’i udhëheqë negociatat për daljen e këtij vendi nga Bashkimi Evropian. Britania ka vendosur të largohet nga blloku në një referendum, të mbajtur vitin e kaluar.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 lokale dhe do të mbyllen në 22:00 (23 me tonën), me masa të përforcuara të sigurisë pas sulmeve të fundit terroriste.

Analistët politikë thonë se zgjedhjet mund të kenë ndikim edhe në vendimin e Skocisë, për të mbajtur ose jo referendum të ri për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar.

Votuesit – rreth 46.9 milionë të regjistruar – do të zgjedhin 650 deputetë. Partia Konservatore e kryeministres Theresa May pritet të zgjerojë shumicën në Parlamentin britanik, por jo sa ka shpresuar.

Sondazhet më 4 qershor e kanë nxjerrë atë në epërsi me rreth 43 përqind të votave, përballë Laburistëve me 36 deri në 37 përqind. Theresa May ka thënë se i duhet të rrisë fuqinë e Partisë Konservatore, me qëllim që të forcojë pozicionin e saj në negociatat për Brexit.

Këto negociata do të ndikojnë punësimin në Britani, pagat, çmimet e banesave, normat e interesit, migrimin, nivelin e tregtisë, mbrojtjen dhe sigurinë, financat publike dhe shërbimet pubike. May ka thënë se opozita do që të pengojë vullnetin e popullit britanik për dalje nga BE-ja.

Laburistët opozitarë, me në krye Jeremy Corbyn, ndonëse me ton më të butë ndaj BE-së, kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga procesi i Brexit-it nëse i fitojnë zgjedhjet e 8 qershorit.

Dy partitë tjera kryesore në këto zgjedhje – Partia Kombëtare Skoceze e udhëhequr nga Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, dhe Partia Liberal-Demokrate e udhëheqr nga Tim Farron, i kundërshtojnë planet për dalje nga BE-ja dhe nga tregu i përbashkët evropian.

 

Zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit janë thirrur nga kryeministrja May në fillim të prillit – tre vjet përpara se të skadojë mandati i deputetëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button