Ekonomia

Koncesioni për kolaudimin e pompave të naftës, Konkurrenca rekomandime për tarifat

Koncesioni 20-vjeçar i kolaudimit të pompave ka mbërritur për mendim në tryezën e Autoritetit të Konkurrencës dhe këtë herë bëhet fjalë për draft-kontratën mes kompanisë që ka fituar këtë koncesion dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në vendimin e dhënë në fund të korrikut por zbardhur vetëm tani, Konkurrenca nënvizon se kontrata parashikohet të lidhet midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shoqërisë “Noa Control” SHPK.

“Vlerësimi i investimeve që do të kryhen nga koncesionari është në vlerën prej 70 milionë lekë. Shoqëria koncesionare është e detyruar që të raportojë çdo 3 muaj me shkrim lidhur me realizimin e programit të investimeve në vlerë dhe në natyrë, për sasinë e verifikimeve si dhe çdo informacion tjetër që konsiderohet i nevojshëm nga Autoriteti Kontraktues” vlerëson AK.

Tarifat që do të zbatohen dhe kush e ka detyrimin

Në vendimin e Konkurrencës nënvizohet se tarifat që do të aplikohen nga koncesionari do të jenë të njëjtat që zbatohen sot dhe të caktuara me një udhëzim të veçantë në vitin 2013 zbatuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. “Është parashikuar se tarifat e shërbimit do të jenë tarifat e parashikuara për t’u paguar nga subjektet, të cilët kryejnë veprimtarinë e shpërndarjes me pakicë të karburantit dhe gazit të lëngshëm nëpërmjet instrumenteve matës, sipas Udhëzimit të Përbashkët të Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Tregtisë dhe Energjisë dhe Ministrit të Financave, nr.2, datë 08.02.2013. “Për Tarifat dhe pagesat e shërbimeve të Drejtësisë së Përgjithshme të Metrologjisë”, i ndryshuar” thuhet në vendim.

Nga ana tjetër, subjektet që do t’i paguajnë këto tarifa janë të gjitha subjektet të cilat ushtrojnë veprimtari në fushën e shitjes me pakicë të karburanteve dhe gazit të lëngshëm, që janë të detyruara sipas legjislacionit në fuqi dhe sipas kontratës t’i nënshtrohen shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matës, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarës të karburantit dhe gazit të lëngshëm të naftës.

Gjithsesi draft-kontrata vendos çmime dysheme, ato që janë sot duke nënvizuar se tarifat nuk mund të jenë më të ulëta sesa kaq.

Rekomandimet e Konkurrencës për tarifat

Konkurrenca ka kërkuar në vendimin e vet që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ketë parasysh që në nenin 14 të Draft-Kontratës “Tarifa e Shërbimit, tarifa koncesionare dhe mënyra e pagesës” në rast të ndryshimit të tarifave të ofrimit të shërbimit së pari të merret paraprakisht vlerësimi ligjor i Autoritetit të Konkurrencës, nëpërmjet depozitimit të dokumentacioneve shoqërues, për të cilat kërkohet ndryshimi i tarifave, për faktin se e drejta e dhënë në ofrimin e këtij shërbimi krijon një të drejtë ekskluzive.

Së dyti, ndryshimi i tarifave të shërbimit për çdo verifikim të çdo aparati/instrumenti matës të njoftohet paraprakisht për vlerësim pranë Autoritetit të Konkurrencës. Së treti, ndryshimet e tarifave të shërbimit duhet të jenë të argumentuara, të bazuara në një metodologji të përllogaritjes së tyre, dhe të jenë tarifa të orientuara drejt kostos.

Së katërti, detyrimin që si autoritet kontraktor të hartojë një metodologji për vendosjen e përqindjes për instrumentet matës të verifikuara që rezultojnë me probleme si dhe të merret paraprakisht vlerësimi ligjor i Autoritetit të Konkurrencës, për shkak të së drejtës ekskluzive që fitohet nga ndërmarrja “Noa Control” SHPK.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button