Kronika

Konferenca e përbashkët me policinë italiane/ Veliu: Kontrolle me dronë e helikopterë, u asgjësuan mbi 137 mijë bimë narkotike

137 mijë bimë narkotike të asgjësuara, 206 zyrtarë policie të proceduar penalisht. Këto janë disa nga rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit Shqiptare, që u prezantuan këtë të hënë nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë konferencës së përbashkët me Policinë Italiane, “Shqipëria pa kanabis”.

Gjatë konferencës kreu i Policisë së Shtetit prezantoi rezultatet e arritura falë dhe bashkëpunimit me partnerët italianë.

Veliu në fjalën e tij, vuri në dukje faktin se për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Polica e Shtetit veç funksionit të saj kundrejt rendit dhe sigurisë ka qenë e fokusuar dhe në zbatimin e protokolleve të miratuara nga qeveria.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se për vitin 2020 u kryen rreth 144 mijë kontrolle dhe u asgjësuan mbi 137 mijë bimë narkotike, nga të cilat 18 mijë e 828 kubikë. Sipas tij, në bashkëpunim me Italinë në Shqipëri janë asgjësuar 58 mijë e 423 bimë narkotike, 32 mijë e 704 më shumë se një vit më parë.

Veliu nënvizoi se në bazë të informacioneve të Policisë italiane, në shtetit fqinj është ulur me 37% trafiku i lëndëve narkotike si dhe çmimi i marijuanës u rrit nga 800-900 euro për kg në 2019, 1400-1500 euro për kg në 2020. Sa i përket ndëshkimeve, 3 policë u përjashtuan në 2020 për përfshirjen në kultivimin e kanabisit, 17 u proceduan dhe 72 u ndëshkuan me masa disiplinore. Nuk shpëtuan as 206 zyrtarë vendorë.

“Në total për vitin 2020, Policia e Shtetit realizoi gjithsej 143.844 kontrolle duke kryer 413.357 orë shërbimi; U intensifikua kontrolli i territorit nëpërmjet flotës së dronëve të policisë. Për vitin 2020 janë përdorur 38 dronë, nga 24 dronë që ka qenë flota e tyre për vitin 2019; U përdorën në mënyrë efikase për monitorim ajror edhe helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes. Për këtë vit janë kryer 90 orë fluturimi, ndërsa në vitin 2019 ishin 60 orë fluturimi”,- tha Veliu.

“Ndërtuam harta digjitale të sipërfaqeve të tokave, pyjeve dhe kullotave, ku ishin kultivuar bimë narkotike përgjatë viteve, ose potencialisht mund të kultivoheshin bimë narkotike gjatë vitit 2020. Vazhdoi implementimi dhe funksionimi i sistemit elektronik “GIS – NARKOTIK” i Policisë së Shtetit. Ky sistem na siguroi të dhëna të plota dhe na mundësoi raporte analitike për: Kontrollin e territorit;Informacionet e dërguara nga agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe ndjekja e këtyre informacioneve; Raportet e monitorimit ajror dhe e ndjekjes në terren të këtyre të dhënave; Rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike”,- shtoi ai.

“Për vitin 2020 u morën dhe u trajtuan 4376 informacione policore për kultivim të bimëve narkotike ose 148 më shumë se një vit më parë; U ndoqën 131 përgjime parandaluese për subjektet e dyshuara për veprimtari kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, 49 më shumë se një vit më parë; Gjithashtu u referuan 109 procedime proaktive me metoda speciale të hetimit për kultivim të bimëve narkotike dhe u realizuan 38 prej tyre ose 33 procedime me shumë se një vit më parë; U evidentuan 11 raste të sekuestrimit të farave të bimës narkotike cannabis sativa ku u sekuestruan 14.877 fara të bimës kanabis sativa, ose 7 raste dhe 6060 fara me shumë se viti i kaluar”,- tha Veliu.

“I kemi kushtuar vëmendje të veçantë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke e parë fenomenin e kanabisit si një shqetësim real rajonal dhe ndërkombëtar. Kemi vendosur tashmë standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe informacionit me policitë e rajonit. Ajo që bie në sy për shkak të mënyrës së bashkëpunimit dhe arritjes së suksesit është bashkëpunimi me partnerët italianë. Ndaj gjej rastin dhe më lejoni sot këtu që të falënderoj përzemërsisht Qeverinë Italiane, Ministrinë e Brendshme dhe taksapaguesit italianë, që bujarisht kanë dhënë kontributin dhe ndihmën e tyre të çmuar për popullin dhe Policinë e Shtetit Shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve. Falënderoj gjithashtu Departamentin e Sigurisë Publike, misionin Interforza, Guardia di Finanza-n dhe gjithë kolegët italianë të angazhuar në këtë luftë të përbashkët”,- sqaroi Veliu.

“Ky bashkëpunim gjatë këtij viti u konkretizua me marrëveshjen që u nënshkrua me Guardia Di Finanza-n “Për ndjekjen në vijimësi të zbatimit të Protokollit – Operativ miratuar më datë 16.05.2012 nga Ministria e Brendshme e Italisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit “Për Mbështetje të Strategjisë Anti Kanabis – Mbikëqyrje Ajrore 2017-2019”, për “Parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për vitin 2020”,-shton Veliu.

“Në muajin qershor të vitit 2020, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer gjithsej 67 misione fluturime monitorime ajrore me 185 orë. Në total për vitin 2020, nga monitorimet ajrore janë identifikuar e asgjësuar 58.423 bimë narkotike cannabis sativa, ndërsa në vitin 2019 u identifikuan e asgjësuan 25.719 bimë ose 32.704 bimë më shumë”,- shprehet ai.

“Punë të pandërprerë kemi bërë për goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të veprimeve operacionale për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Evidentuam 577 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, nga të cilat 505 janë raste kultivimi dhe 109 procedime proaktive. Janë implikuar 468 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 284 shtetas. Janë konstatuar e janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2019 janë: Evidentuar 453 vepra penale, nga të cilat 409 raste kultivimi dhe janë procedime proaktive; Janë implikuar 507 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 357 shtetas; Janë konstatuar janë asgjësuar 90175 bimë narkotike, nga të cilat 14886 në kubikë. Gjatë këtij viti në ndryshim nga vitet e mëparshme tendenca ka qenë kultivimi në zonat e thella malore, në pyje dhe në sipërfaqe të vogla”,- tha Veliu.

“Pavarësisht nga sa shpreha më lart, do të ishte e pakuptimtë dhe puna e Policisë së Shtetit do të konsiderohej gjysmake nëse ajo nuk do t’i kushtonte të njëjtën vëmendje si goditjes së kultivimit të bimëve narkotike edhe fazave të tjera të veprimtarisë kriminale, goditjes së trafikimit të saj dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga kjo veprimtari. Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 37%, nga 1447 kg e 982 gr. vitin e kaluar, në 911 kg e 500 gr. këtë vit. Mungesa e lëndës narkotike në treg është reflektuar edhe në çmimin e saj, i cili është rritur nga 800-900 euro për kg në 2019 në 1400-1500 euro për kg në 2020. Ajo që në themel e bëri të suksesshëm punën tonë këtë vit, ishte integritetit i punonjësve të Policisë të ngarkuar me detyra në fushën e parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe vendosmëria për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që do abuzonte me detyrën apo do bëhej palë me shkelësit e ligjit”,- theksoi Veliu.

“Me vendosmëri reaguam ndaj çdo konstatimi të moszbatimit të detyrave funksionale, implikimi apo shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit. Si rezultat gjatë vitit 2020 u përjashtuan 3 punonjës nga Policia dhe janë ndjekur penalisht 17 punonjës policie që janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu janë dhënë 72 masa për shkelje të rënda disiplinore, 71 masa për shkelje të lehta disiplinore, si dhe janë transferuar 11 punonjës policie në nivele drejtuese. Gjithashtu, shembull i vendosmërisë së punës tonë, për plotësimin e detyrimeve të Planit Kombëtar të Veprimit në luftë ndaj kanabisit, është edhe procedimi penalisht i 206 zyrtarëve vendorë, administratorë të njësisë administrative, kryetarë fshati dhe inspektorë të shërbimit pyjor, roje ujësjellësi etj., për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi””,- shtoi ai.

“Për Policinë e Shtetit viti 2021 është një sfidë e madhe, pasi do të kemi përpara disa zhvillime, të cilat kërkojnë impenjim maksimal, devotshmëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për të bërë të mundur ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve për ofrimin e parametrave optimale në fushën e rendit e të sigurisë publike, para, gjatë dha pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, për masat ndaj pandemisë COVID-19, si dhe gjatë sezonit turistik”,- garantoi Veliu.

Në konferencë marrin pjesë edhe, Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë – Ministria e Brendshme e Republikës Italiane, Gjeneral Brigade, Giuseppse SPINA, si edhe Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, si edhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button