Ekonomia

Konkurrenca: Koncesioni i Porto Romanos i parregullt; duhet ta kishim vlerësuar ne më parë

aNdërsa Komisioni i Ekonomisë i kërkon me ngulm Autoritetit të Konkurrencës të vlerësojë eficiencën e përdorimit të pasurisë publike, ai vetë nuk e ka pyetur kur ka miratuar koncesionin e Porto Romanos…

Komisioni i Konkurrencës ka shqyrtuar procedurën e miratimit të kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të portit të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”.
Nga shqyrtimi i koncesionit, Konkurrenca ka konstatuar se nuk është zbatuar “detyrimi për organet qendrore dhe vendore që të kërkojnë vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt-akt që ka të bëjë ndër të tjera me (b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara”. Këtë të drejtë Autoritetit ia jep neni 2, pika 1 germa c të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar), ku thuhet se ky ligj zbatohet “për ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet që ju janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive ose të veçanta”.

Si rrjedhojë, proçedura për dhënien e konçensionit të formës “BOT” (ndërtim,shfrytëzim dhe transferim) në pronësi të shtetit (Built-Operate-Transfer/ BOT) të një Porti të llojit MBM (Multi Buoy Mooring), në Porto-Romano, Durrës, është në shkelje të nenit 2, pika 1 (germa c) dhe atij 69, pika 1(germa b) të Ligjit, pasi nuk është zbatuar detyrimi ligjor nga Ministria e Transportit dhe Këshilli i Ministrave për të dërguar dhe marrë vlerësimin e Autoritetit Konkurencës mbi këtë projekt-akt që vendos të drejta ekskluzive dhe/ose të veçanta, në një zonë të caktuar, për ndërmarrjen të cilës i është dhënë ky konçension.
Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Konçensioneve që të zbatojë nenin 2 pika 1 gërma c dhe nenin 69 të Ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar), duke kërkuar vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt akt normativ që potencialisht mund të sjellë kufizime të konkurrencës në tregjet përkatëse.

Komisioni Ekonomisë i kërkon konkurrencës të zbatojë ligjin, pastaj nuk e pyet

Në raportin e konkurrencës theksohet se Komisioni i Ekonomise dhe i Financave, në rezulatat e vlerësimit të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës, në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar zbatimin e detyrimit ligjor nga ana e institucioneve publike për marrjen e vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës si një instrument i domosdoshëm për rritjen e eficiences se perdorimit të pasurisë publike. Më konkretisht Rezoluta për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2014, cilëson: “Kuvendi i kërkon organeve ekzekutive të të gjitha niveleve të bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës: -Duke zbatuar detyrimin për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës në dhënien e miratimin e akteve që kanë si objekt ose pasojë dhënien e të drejtave ekskluzive ose kufizimeve sasiore në tregje ose sektorë të ndryshëm të ekonomisë.”

Koncesioni i Porto Romanos, vendimi botohet në Fletoren Zyrtare

Është botuar në vletoren zyrtare ligji për dhënien me koncesion të Porto Romanos sipas formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim kundrejt bashkimit të katër kompanive që formuan koncesionin, Porti MBM (Multy Buoy Mooring).
Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë e ankorimit të anijeve cisterna, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë 6-mujore të portit off-shore të ankorimit MBM me thellësi (zhytje) 18-20 metra që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet mbi 20 000 tonë dhe që vlerësohet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion tonë në vit, nga të cilat 40% për eksport, sipas relacionit që shoqëron projektligjin e ri për dhënien me koncesion të Porto Romanos.
Zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano ku janë të përqendruar më shumë se 85% e kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, duke u integruar me infrastrukturën aktuale, do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre.

Projekti parashikon realizimin e një sistemi bovash rreth 2 500 m nga linja bregdetare në afërsi të Porto Romanos në Durrës. Në këtë largësi vihet re një thellësi rreth 20 m, e projektuar për të pritur anije me gjatësi 250 m, me një zhytje rreth 15 metra. Fushat e bovave, të quajtura MBM, përbëjnë një nga mënyrat e para të përdorura për ankorim në det të hapur. Normalisht ky sistem përbëhet nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione, në përgjithësi të zhytura (të ankoruara dhe/ose të vendosura në fund të detit) me qëllim reduktimin e rezistencave të induktuara nga deti (valë, rryma), që lidhin bovën me serbatorët në tokë, të vendosur në afërsi të bregut.
Bëhet fjalë për një kontratë 35-vjeçare. Investimi i kryer do të jetë 10.2 milionë dollarë në fillim të investimit dhe në periudhën e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës. Arsyeja e realizimit të këtij investimi ka të bëjë me një kufizim, limitim të kapaciteteve tona përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure, që kushtëzohet nga thellësia e kufizuar e porteve tona.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button