☀️
Tiranë 28°C · Kthjellët 14 July 2026
S&P 500 7,545 ▲0.4%
DOW 52,429 ▼0.13%
NASDAQ 26,128 ▲0.98%
NAFTA 79.28 ▲1.46%
ARI 4,067 ▲1.53%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122 EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122
₿ CRYPTO
BTC $64,698 ▲ +3.88% ETH $1,871 ▲ +5.58% XRP $1.1032 ▲ +3.24% SOL $77.2100 ▲ +2.52%
S&P 500 7,545 ▲0.4 % DOW 52,429 ▼0.13 % NASDAQ 26,128 ▲0.98 % NAFTA 79.28 ▲1.46 % ARI 4,067 ▲1.53 % S&P 500 7,545 ▲0.4 % DOW 52,429 ▼0.13 % NASDAQ 26,128 ▲0.98 % NAFTA 79.28 ▲1.46 % ARI 4,067 ▲1.53 %
EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122 EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122
14 Jul 2026
Breaking
Opinion

Konsumatori si qytetar dhe nota e tij në sjelljen sociale të bizneseve

DORIAN MATLIA

Kompanitë e biznesit nuk veprojnë në boshllëk. Ato përdorin fuqi punëtore, infrastrukturën publike, mjedisin, tregun, besimin e konsumatorëve dhe, jo rrallë, edhe marrëdhëniet me institucionet shtetërore. Për këtë arsye, prej dekadash në botën perëndimore është zhvilluar koncepti i përgjegjësisë sociale të kompanive. Ajo është ideja se një biznes nuk duhet të gjykohet vetëm nga produktet, shërbimet apo fitimi që prodhon, por edhe nga ndikimi që ka mbi punonjësit, konsumatorët, komunitetin, mjedisin dhe jetën publike.

Përgjegjësia sociale nuk shfaqet vetëm kur ofrohet një bamirësi, një bursë studentore apo kur mbillen simbolikisht disa pemë. Ajo përfshin mënyrën se si kompania trajton punonjësit, nëse respekton të drejtat e njeriut, nëse përdor apo toleron punën e të miturve, nëse dëmton mjedisin, nëse mashtron konsumatorët, nëse përfiton nga korrupsioni apo privilegjet politike dhe nëse merr përgjegjësi për pasojat që shkakton aktiviteti i saj dhe pronarëve të saj.
Në një shoqëri demokratike, konsumatori nuk është vetëm dikush që paguan dhe merr një produkt. Ai është edhe qytetar. Ai ka të drejtë të vendosë se kujt ia jep paratë, cilin biznes mbështet dhe cilin refuzon. Mund të zgjedhë një produkt jo vetëm për çmimin apo cilësinë, por edhe për mënyrën se si është prodhuar, për sjelljen e kompanisë dhe për vlerat që ajo përfaqëson.
Historia moderne është plot me raste reagimi qytetar ndaj bizneseve, jo për produktet por pikërisht për vlerat që përfaqësojnë. Lëvizja kundër aparteidit u mbështet për vite me radhë nga bojkotimi i produkteve të Afrikës së Jugut. Konsumatorët refuzonin t’i blinin dhe u kërkonin dyqaneve t’i hiqnin nga raftet. Nestlé u përball me një bojkot ndërkombëtar për shkak të kritikave ndaj mënyrës së reklamimit të qumështit artificial për foshnjat në vendet e varfra. Nike u vu nën presion të madh publik për kushtet e punës dhe dyshimet për shfrytëzimin e punëtorëve në fabrikat e furnitorëve të saj. Kritikat, protestat dhe bojkotet e detyruan kompaninë të ndryshonte politikat e kontrollit të zinxhirit të prodhimit. Shell u përball me një bojkot të gjerë për planin e fundosjes së platformës Brent Spar në Atlantik dhe, nën presionin e opinionit publik, u tërhoq nga projekti.
Edhe lufta kundër përdorimit të punës së fëmijëve në prodhimin e topave të futbollit dhe produkteve të tjera është ndikuar fuqishëm nga frika e kompanive se konsumatorët do të refuzonin mallrat e tyre.
Në asnjë prej këtyre rasteve reagimi i konsumatorëve nuk ishte i këndshëm për kompanitë. Përkundrazi, synimi ishte pikërisht t’u shkaktonte atyre kosto reputacioni dhe ekonomike, në mënyrë që të ndryshonin sjellje. Kjo është natyra e një bojkoti, ku qytetari përdor fuqinë e tij si konsumator për të ushtruar presion paqësor.
Në këtë kuptim duhet parë edhe lëvizja e fundit në Shqipëri, ku qytetarë të ndryshëm kanë vendosur vlerësime negative ndaj bizneseve që i perceptojnë si të lidhura me interesa politike, si përfituese të privilegjeve ose si të pozicionuara kundër një kauze publike, apo edhe kur ka indicje për shfrytëzimin e punës së të miturve.
Është e debatueshme nëse kjo formë proteste është e drejtë, efektive apo e dobishme. Mund të kritikohet moralisht. Platformat private, si Google, mund të vendosin se cilat vlerësime përputhen me rregullat e tyre dhe mund t’i heqin ato që i konsiderojnë të koordinuara ose të pabazuara në një përvojë të drejtpërdrejtë.
Por këto janë çështje të debatit publik dhe të administrimit të platformës privat (si Google). Ato nuk e shndërrojnë automatikisht reagimin në krim.
Vlerësimi me një yll nga pesë, shprehja e një opinioni negativ, deklarimi se nuk do të blesh më në një biznes apo thirrja që edhe të tjerët ta bojkotojnë nuk përbëjnë, në vetvete, vepër penale. As fakti që shumë njerëz veprojnë njëkohësisht, të ndikuar nga njëri-tjetri, nuk e bën sjelljen penale. Protestat, peticionet, bojkotet dhe fushatat publike janë, nga vetë natyra, veprime kolektive dhe të koordinuara.
Kufiri ligjor mund të kalohet në raste të veçanta, kur për shembull dikush e bën për konkurencë, për t’i ulur vlerën një hoteli ngjitur me hotelin e vet, apo kur kërcënon, kërkon para në këmbim të heqjes së vlerësimeve ose përhap me dijeni akuza konkrete dhe objektivisht të rreme ndaj një kompanie. Por përgjegjësia në këto raste është individuale dhe lidhet me përmbajtjen ose mënyrën konkrete, jo me faktin e përgjithshëm se është dhënë një vlerësim negativ.
Një biznes nuk ka të drejtë të garantuar nga ligji për të marrë vlerësim me pesë yje. Nuk ka as të drejtë që publiku ta pëlqejë, ta financojë ose të heshtë përballë sjelljes së tij. Reputacioni në një shoqëri të lirë nuk mbrohet duke ndaluar kritikën, por duke fituar besimin.
Kompanitë shqiptare duhet të mësohen me një realitet që prej kohësh është normal në demokracitë moderne, që konsumatorët do t’i gjykojnë jo vetëm për cilësinë e produktit, por edhe për etikën, marrëdhëniet me pushtetin, ndikimin mjedisor, trajtimin e punonjësve dhe qëndrimin ndaj çështjeve publike.
Kjo mund të jetë e pakëndshme. Mund të jetë e padrejtë në raste të caktuara dhe mundet t’i drejtohen gjykatave civile. Mund të kërkohet reagim, sqarim dhe dialog nga kompania. Por pakënaqësia e biznesit nuk është kriter për kriminalizimin e qytetarëve.
Përgjigjja e një shoqërie demokratike ndaj kritikës nuk mund të jetë kurrsesi Policia. Përgjigjja duhet të jetë transparenca, argumenti, përgjegjësia civile dhe, kur ka pretendime konkrete të paligjshme, përdorimi i mjeteve të zakonshme juridike nga vetë personi i cenuar (si rastet e shpifjes dhe fyerjes). Bizneset duhet ta kuptojnë që kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe se ata nuk janë thjesht blerës apo punëtorë. Nëse futet Policia në lojë, ajo detyrimisht vendoset kundër qytetarit si mendje, duke e parë atë vetëm si krahë apo stomak. Vetëm diktaturat e shohin kështu qytetarin.
Kjo lëvizje, sado e debatueshme për aspektin etik, tregon se në Shqipëri konsumatori po fillon ta kuptojë fuqinë e vet si qytetar. Kompanitë mund të mos e pëlqejnë këtë zhvillim, por duhet ta marrin seriozisht. Sepse në një demokraci, tregu nuk përbëhet vetëm nga shitës dhe blerës. Përbëhet nga njerëz që kanë bindje, ndërgjegje dhe të drejtën që notën që i vënë një biznesi nuk është vetëm për produktet e shërbimet, por edhe“notë në sjellje“, si dhe për të thënë që paratë e mia nuk do të mbështesin një biznes që nuk përfaqëson vlerat e mia.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.