Urrejtësit e Veliajt që buçasin për konfliktin e interesit të Ilir Pandës dhe kyçin gojën për “lejen e ndërtimit”
Nga Hermes Kafexhiu
Ka një paradoks që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në një pjesë të medias shqiptare zelli për të kërkuar transparencë nuk shpërndahet njësoj për të gjithë. Ai ndizet me shpejtësi kur në qendër është një emër që i shërben një narrative të caktuar, por shuhet menjëherë kur pyetjet drejtohen në një tjetër drejtim.
Në rastin e Erion Veliajt, mjaftoi që në Gjykatën e Lartë të shfaqej emri i gjyqtarit Ilir Panda dhe një pjesë e medias të shpërthente në tituj, analiza dhe akuza për konflikt interesi. U rikthye në vëmendje fakti që Panda më herët ishte tërhequr nga shqyrtimi i një çështjeje që lidhej me Ajola Xoxën, duke ngritur pikëpyetje mbi paanshmërinë e tij.
Pyetja që mbetet pa përgjigje është e thjeshtë.
Pse i njëjti standard nuk u kërkua me të njëjtën forcë edhe kur në debat publik u ngritën pikëpyetje për Olsi Dadon?
Pse për disa raste aktivizohet urrejtja për të “ulur review-t” e Ilir Pandës dhe te rasti i Olsi Dados heshtim duke ia ndriçuar “star-in” që është ulur këmbëkryq aty sa një leje ndërtimi.
Nëse ekziston një dokument zyrtar që lidhet me një situatë të diskutuar si konflikt interesi në rastin e Olsi Dados, atëherë minimumi që kërkohet nga media është i njëjti që kërkohet ndaj kujtdo tjetër.
Nuk mund të ekzistojë një drejtësi mediatike me dy shina. Nuk mund të kërkosh llogari vetëm nga ata që janë në anën e kundërt të betejës politike dhe të mbyllësh sytë kur pyetjet prekin njerëz të tjerë me pushtet ose ndikim.
Drejtësia nuk mbrohet me përzgjedhje. Konflikti i interesit, nëse është një shqetësim serioz, është shqetësim kudo ku shfaqet. Nuk ka rëndësi nëse lidhet me një gjyqtar, një prokuror apo një zyrtar tjetër publik.
Media nuk duhet të jetë një zgjatim i asnjë beteje politike. Roli i saj është të kontrollojë pushtetin, jo të zgjedhë cilin pushtet do të kontrollojë dhe cilin do ta lërë jashtë vëmendjes.
Ajo që po shohim sot është një deformim i debatit publik, disa çështje fryhen sipas interesit, ndërsa disa të tjera kalojnë në heshtje. Disa emra vendosen nën lupë, disa të tjerë mbrohen.
Kjo nuk është mbrojtje për Erion Veliajn. Erion Veliaj duam apo s’duam ne ka një vendim të zbardhur të Gjykatës Kushtetuese, ku Gjykata e Lartë përballë të cilit në opinionin tim nuk ka asnjë fuqi argumentuese ta rrëzojë. Jo Panda të ishte në krye po dhe skrupuloziteti i ndonjë gjyqtari të ngjashëm si Collina në një ndeshje futbolli.
Nëse një gjyqtar duhet të japë shpjegime për çdo rrethanë që mund të krijojë dyshim mbi paanshmërinë, atëherë i njëjti standard duhet të vlejë për çdo funksionar të drejtësisë. Heshtja për njërin dhe buçima për tjetrin nuk është gazetari. Është seleksionim.
Në fund, problemi nuk është vetëm Ilir Panda dhe as vetëm Olsi Dado. Problemi është mënyra se si një pjesë e medias ka zgjedhur të ndërtojë realitetin.
Gazetaria matet pikërisht në momentet kur është më e vështirë të jesh i barabartë. Kush kërkon transparencë vetëm kur i leverdis, nuk mbron drejtësinë. Mbron narrativën e vet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.