☀️
Tiranë 27°C · Kthjellët 14 July 2026
S&P 500 7,551 ▲0.47%
DOW 52,474 ▼0.05%
NASDAQ 26,150 ▲1.07%
NAFTA 79.11 ▲1.24%
ARI 4,064 ▲1.47%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122 EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122
₿ CRYPTO
BTC $64,498 ▲ +3.7% ETH $1,869 ▲ +5.48% XRP $1.1022 ▲ +3.32% SOL $77.0800 ▲ +2.32%
S&P 500 7,551 ▲0.47 % DOW 52,474 ▼0.05 % NASDAQ 26,150 ▲1.07 % NAFTA 79.11 ▲1.24 % ARI 4,064 ▲1.47 % S&P 500 7,551 ▲0.47 % DOW 52,474 ▼0.05 % NASDAQ 26,150 ▲1.07 % NAFTA 79.11 ▲1.24 % ARI 4,064 ▲1.47 %
EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122 EUR/USD 1.1397 EUR/GBP 0.8527 EUR/CHF 0.9265 EUR/ALL 93.7664 EUR/MKD 61.6220 EUR/RSD 117.3452 EUR/TRY 53.5778 EUR/JPY 184.99 EUR/CAD 1.6122
14 Jul 2026
Breaking
Opinion

Protesta nuk matet me fotografinë që poston Taulanti

Nga THOMA GËLLÇI

Pothuajse çdo ditë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikon në Facebook fotografi të protestës të marra nga droni. Zakonisht zgjedh një moment kur në shesh ka më pak njerëz dhe e shoqëron fotografinë me tallje. Mesazhi është i qartë: protesta po zvogëlohet, protestuesit u lodhën dhe gjithçka po merr fund.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe mbështetës të tjerë të qeverisë. Sapo shohin një pamje me pak njerëz, shpallin se protesta mbaroi.

Një fotografi tregon vetëm një çast. Ajo nuk tregon sa njerëz kanë qenë aty më herët, sa do të vijnë më vonë, sa kanë marrë pjesë ditët e tjera dhe sa qytetarë e mbështesin protestën pa qenë çdo mbrëmje në shesh. Një miku im nga Tirana më dërgoi një video të protestës, ku kishte dalë edhe vetë. I shkrova: “Si duket protesta sot?” Më shkroi: “Është i njëjti intensitet që ndihet kudo. Bie pak, ngrihet prapë, ndryshojnë fytyrat. Kur thonë që ka rënë, e kanë gabim, thjesht njerëzit kanë angazhime. Në fundjavë ka shumë më tepër! Por proteston çdo njeri, edhe kur nuk është në shesh.”

Në një protestë të përditshme, pjesëmarrja ndryshon sipas orarit, motit, temperaturës, ditës së javës dhe angazhimeve të njerëzve. Qytetarët kanë punë, familje dhe detyrime. Disa qëndrojnë disa orë. Të tjerë vijnë për pak kohë. Disa dalin gjatë javës, të tjerë gjatë fundjavës.

Prandaj, luhatja e numrit të pjesëmarrësve nuk tregon dështim. Ajo është normale për një protestë që po zhvillohet çdo ditë dhe po i afrohet 50 ditëve.

Ky është fakti kryesor që Taulant Balla dhe të tjerë që e marrin frymëzimin prej tij përpiqen ta anashkalojnë. Protesta vazhdon. Thirrjet janë të njëjta. Kërkesat janë të njëjta. Qëndrimi i protestuesve nuk ka ndryshuar.

Shqipëria ka parë protesta shumë të mëdha që kanë zgjatur vetëm disa orë. Njerëzit janë mbledhur, kanë dëgjuar fjalimet dhe janë larguar. Pas disa ditësh, protesta është harruar. Kjo protestë është ndryshe. Ajo është zhvilluar çdo ditë për disa javë. Edhe kur pjesëmarrja ka qenë më e vogël, ajo nuk është ndërprerë. Qytetarët janë kthyer përsëri ditën tjetër.

Vazhdimësia është një tregues shumë më i rëndësishëm se një fotografi e zgjedhur me kujdes. Një protestë që arrin të vazhdojë për afro 50 ditë ka krijuar një bazë të qëndrueshme dhe ka fituar rëndësi politike.

Edhe vetë përpjekja e përditshme e pushtetit për ta tallur tregon se protesta e shqetëson. Një protestë pa rëndësi nuk do të kërkonte fotografi të përditshme nga droni, komente nga zyrtarë të lartë dhe një fushatë të vazhdueshme për ta paraqitur si të dështuar.

Çështja nuk është vetëm sa njerëz ndodhen në shesh në një minutë të caktuar. Pjesëmarrës janë të gjithë ata që kanë qenë në protestë qoftë edhe një herë. Askush nuk mund të kërkojë që një qytetar të dalë çdo mbrëmje për të provuar kundërshtimin e tij.

Pjesë e lëvizjes janë edhe ata që kanë shkruar në rrjetet sociale, kanë bërë një shkrim, kanë shpërndarë informacion ose kanë kundërshtuar propagandën e qeverisë. Mbështetje kanë treguar edhe qytetarët që kanë përshëndetur nga kafenetë, ballkonet dhe makinat ose u kanë rënë borive kur protestuesit kanë kaluar.

Protesta është masive edhe për një arsye tjetër. Ajo nuk lidhet vetëm me një projekt ndërtimi ose me një zonë të caktuar. Kundërshtimi ndaj projekteve në Zvërnec, Sazan dhe zonat e mbrojtura ka hapur një debat më të gjerë mbi mënyrën se si qeveriset vendi.

Qytetarët po kërkojnë të dinë si merren vendimet, si jepet prona publike, si zgjidhen investitorët dhe pse ligjet ndryshohen pa debat të plotë publik. Ata nuk po kundërshtojnë zhvillimin ekonomik. Po kërkojnë rregulla, transparencë dhe mbrojtje të interesit publik.

Një investim nuk bëhet i mirë vetëm sepse quhet strategjik ose sepse ka një vlerë të madhe financiare. Qeveria duhet të tregojë se çfarë përfiton shteti, çfarë prone jepet, çfarë detyrimesh ka investitori dhe çfarë pasojash ka projekti për banorët dhe mjedisin. Prandaj protestuesit kërkojnë shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për investitorët strategjikë, të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe të së ashtuquajturës Paketë e Maleve.

Por kërkesat më të rëndësishme janë politike. Protesta po kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe fundin e modelit të krijuar nga marrëveshja Rama–Berisha e vitit 2008.

Ky sistem u ka dhënë kryetarëve të partive kontroll të madh mbi listat e kandidatëve. Në praktikë, deputetët varen vetëm nga kryetari që i vendos në listë dhe jo nga qytetarët që duhet të përfaqësojnë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë me zgjedhje ku kandidatët zgjidhen nëpërmjet kulisave, pa një proces politik, dhe zgjedhjet janë formale. Qytetarët duhet të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe kandidatin. Kjo e bën deputetin më të përgjegjshëm ndaj zgjedhësve dhe e dobëson kontrollin personal të kryetarëve mbi parlamentin.

Një kërkesë tjetër e rëndësishme është kufizimi i mandateve. Një kryeministër nuk duhet të qëndrojë më shumë se dy mandate në pushtet. Duhet të diskutohet seriozisht edhe kufizimi i mandateve të deputetëve dhe drejtuesve të tjerë të lartë. Qëndrimi i gjatë në pushtet krijon kontroll mbi administratën, institucionet, ekonominë dhe median. Sa më gjatë qëndron një drejtues, aq më e vështirë bëhet ndarja ndërmjet shtetit dhe partisë. Dhe arrijmë, siç kemi arritur, që kryeministri i vendit merret edhe me skenën e një koncerti, edhe me shitjen e biletave, edhe me pastrimin e plehrave në plazhe.

Tetë vjet janë të mjaftueshme që një kryeministër të zbatojë programin e tij. Nëse nuk e ka realizuar, nuk mund të kërkojë kohë pa kufi. Demokracia kërkon jo vetëm zgjedhje, por edhe ndryshim të rregullt të pushtetit.
Këto kërkesa nuk mund të futen përsëri në sirtar. Shqipëria nuk mund të zhvillojë zgjedhje të tjera me të njëjtin sistem, me të njëjtin kontroll të kryetarëve dhe me të njëjtat lista të përgatitura larg qytetarëve.
Protesta nuk i ka realizuar ende të gjitha kërkesat. Qeveria nuk ka dhënë dorëheqjen. Sistemi zgjedhor nuk ka ndryshuar. Ligjet e kundërshtuara nuk janë shfuqizuar.

Por një protestë nuk vlerësohet vetëm nga fakti nëse qeveria largohet menjëherë. Ajo vlerësohet nga aftësia për të vazhduar, për të bashkuar qytetarë dhe për ta vendosur një problem në qendër të debatit publik.
Kjo protestë e ka bërë këtë. Ajo ka hapur diskutimin për sistemin zgjedhor, kufizimin e mandateve, pronën publike, investitorët strategjikë dhe mënyrën se si merren vendimet në Shqipëri.

Taulant Balla mund të vazhdojë të publikojë fotografi nga droni. Mund të zgjedhë orën dhe këndin që i përshtaten më shumë. Edhe të tallet me popullin që proteston. Por nuk mund ta ndryshojë faktin se protesta po vazhdon prej javësh dhe se kërkesat e saj kanë mbështetje të gjerë. Ai nuk përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes se pse qytetarët vazhdojnë të protestojnë pas afro 50 ditësh. Nuk e fsheh dot që problemet që ngritën janë reale, kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje dhe sistemi politik nuk mund të vazhdojë më si deri tani.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.