Kosova me taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia
Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm dy javë pasi kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian me një taksë prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Vendimi u mor një ditë pasi Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e agjencisë ndërkombëtare të policisë, Interpol dhe për këtë fajësoi siç u tha “politikën agresive të Serbisë”.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se taksa ndaj Serbisë është e ligjshme dhe duhet të zbatohet 100 për qind.
“Janë bërë 20 vjet nga lufta, janë bërë 10 vjet nga pavarësia, shihet që Serbia nuk merr vesh ndonjë gjuhë tjetër vetëm kur detyrohet të merret vesh dhe këtë e dinë edhe Bashkimi Evropian edhe Amerika, që Serbia nuk po tregon mirëkuptim për normalizim, përkundrazi qasja e tyre është kundër normalizimit, pra nuk kemi zgjidhje shumë, duhet të mbrojmë interesin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai tha se me këtë vendim Kosova po e respekton vetveten dhe se taksa, sic tha ai, është vendosur “prej zorit dhe jo prej qejfit”.
“Duhet të ketë dialog mirëpo edhe mbrojtja e interesit tonë është i pashmangshëm. Pra, ne nuk e kemi bërë këtë veprim në kalkulim kohorë, nëse dikush kujton që kjo është çështje ditësh dhe largohet, është mirë të kuptoj se nuk kemi shumë dalje, jemi mbështetur për muri si Kosovë. Janë bërë dhjetë vjet, pesëshja e Bashkimit Evropian nuk na njeh, jemi bllokuar në planin tjetër ndërkombëtar, nuk ka njohje nga Serbia, çfarë të presim ne? Edhe sa kohë do të vazhdojë të jetë kështu?”, tha kryeministri Haradinaj, pak pas mbledhjes së qeverisë në të cilinë u mor vendimi për taksën e re.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkroi në rrjetin social twitter se vendimi synon mbrojtjen e interesave jetike të shtetit të Kosovës . “Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke penguar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë jetik, qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të shpallen së shpejti”, shkroi ai.