Kosova

Kosovë: Arrihet marrëveshje koalicioni për qeverinë e re

LDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat, arrijnë marrëveshje për krijimin e qeverisë re të Kosovës. Vetëvendosje e Albin Kurtit, paralajmëron se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe komisonin e Venecias.

Lidhja Demokratike e Kosovës po përmbyll marrëveshjet e koalicionit qeverisës me partitë politike – AAK, Nisma, AKR dhe pakicat, me të cilat po synon ta krijojë qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin. Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, u rrëzua në Parlament me 25 mars, me një mocion mosbesimi të inicuar nga LDK-së. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në qeverinë e re do të ketë një post të zëvëndëskryeministrit dhe katër ministri, njoftoi vet Haradinaj pasi nënshkroi marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

AAK 4 ministri

“Zëvendëskryeministër i parë pritet të jetë Besnik Tahiri, pastaj ministre e Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, sa për opinion nuk është familjare e imja se zakonisht keqkuptohet. Për ministër të Drejtësisë do të kandidohet Selim Selimi. Ministër i Zhvillimit Ekonomik është Blerim Kuqi dhe ministër i Arsimit është profesor Ramë Likaj”, bëri të ditur Haradinaj.

Marrëveshje koalicioni LDK, nënshkroi edhe me partinë Nisma Socialdemokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj.

“Pas zhvillimeve të fundit që të gjithë jemi dëshmitarë, Nisma beson se vendi ka nevojë për institucione legjitime të zgjedhura nga Kuvendi. Kosova në situatën që është ka nevojë për qeveri të mandatuar nga Parlamenti. Nisma Socialdemokrate më e interesuar ka qenë si të vihet te mundësia që të gjendet zgjidhja. Sipas marrëveshjes na takojnë dy ministri dhe zëvendëskryeministri. Por kjo vjen në plan të dytë”, tha Fatmir Limaj.

Marrëveshje edhe me pakicat

Marrëveshje koalicioni është arritur edhe ndërmjet LDK-së dhe listës Srpska, por akoma nuk janë bërë publike detajet. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pakicat serbe dhe jo serbe që kanë 20 deputet nga 120 sa i ka Parlamenti, duhet të jenë pjesë e qeverisë së Kosovës dhe do të udhëheqin me të paktën 3 ministri.

Kandidati i Lidhjes Demokratike për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, i cili së bashku me kreun e partisë LDK Isa Mustafa po negocion të gjitha marrëveshjet, tha “për aq kohë sa mund të bëhet një shumicë parlamentare nuk ka nevojë për zgjedhje të reja”. Prandaj ai beson që së shpejti do të thirret seanca e jashtëzakonshme dhe të votohet qeveria e re e Kosovës.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që të bëjmë bashkë një koalicion qeverisës funksional për t’i dalë vendit zot në këtë kohë të pandemisë, për t’u marrë me rimëkëmbjen ekonomike, për të marrë përsipër seriozisht procesin e dialogut dhe për të rikuperuar marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë ju siguroj që do të ketë një komunikim si asnjëherë më përpara në mes të pozitës dhe opozitës, për të lejuar opozitën që të luajë rolin korrektues dhe mbikëqyrës, por edhe duke qenë plotësisht transparent karshi opozitës dhe duke kërkuar mbështetjen e tyre në proceset e mëdha siç është dialogu”, tha Avdullah Hoti.

PDK në opozitë

Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Kadri Veseli, tashmë është deklaruar se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, por do të qendrojë në opozitë.

Presidenti Hashim Thaçi të merkurën serish i shkroi një letër Lidhjes Demokratike të Kosovës  që zyrtarisht ta propozoi mandatarin për krijimin e qeverisë së re. Në përgjigjen e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, siç shkruan ai ne profilin e tij social, thotë se “ia ka kthyer letrën duke e njoftuar për angazhimet dhe takimet intenzive të LDK-së, për të krijuar shumicën parlamentare, si dhe ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për kryeministër të Kosovës”.

Kurti kërkon zgjedhje të reja

Nga ana tjetër, kryeministri  në detyrë Albin Kurti, që është edhe kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, vazhdon të kërkojë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë. Ndërkohë që përpjekjet e partive parlamentare  për krijimin e qeverisë së re, pa Vetëvendosjen i quan antikushtetuese. Kjo parti doli e para në zgjedhje e fundit parlamentare, por, nuk e ka shumicën në kuvend.

Alulena Haxhiu, nga Vetëvendosje, shkruan se Presidenti dhe as LDK, nuk po i bëjnë publike letrat që shkëmbejnë ndërmjet vete dhe është e bindur se ata po bëjnë shkelje kushtetuese.

“Të bindur edhe vetë se janë duke bërë shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës, po përpiqen të mos lënë gjurmë dhe të zhdukin ato, duke fshehur letrat dhe bazën kushtetuese që nuk e kanë. As sot e asaj dite, as Presidenti dhe as LDK, nuk i kanë publikuar këto letra, përmbajtjen e tyre dhe se në cilin nen apo paragraf të Kushtetutës është bazuar Presidenti për një veprim të tillë. Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti mendojnë se kanë bazë kushtetuese për veprimet e tyre, atëherë pse nuk po i bëjnë publike letrat dhe pse po i ikin transparencës?!”, shkroi Haxhiu.

Qeveria e Albin Kurtit ku ishte pjesë e  saj edhe LDK, u rrezua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i inicuar nga vet LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Kurti ka paralajmëruar se do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, nëse partitë tjera krijojnë një qeveri të re pa VV.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button