Kosovë, komisioni hetimor për dëbimin e shtetasve turq përfundoi raportin
Komisioni parlamentar që po heton operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, një vit më parë, miratoi të mërkurën projekt raportin mbi operacionin dhe bëri thirrje që çështja të trajtohet nga prokuroria e posaçme e Kosovës.
Kryesuesi i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, tha se komisioni ka konstatuar dhjetëra shkelje nga institucionet e vendit ndërsa, sipas tij, urdhrin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq e ka dhënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Mund të them lirisht se janë mbi 31 shkelje, por të faktuara nga dy e më shumë burime janë 31 shkelje të cilat janë evidentuar nga komisioni. Pak a shumë duke marrë parasysh edhe sjelljen e presidentit edhe reagimet si të tij, si të njerëzve përreth tij, tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë që ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi, i cili në mënyrë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe arrogante parandaloi raportimin para komisionit”, tha ai.
Muajin e kaluar në këtë komision ishte thirrur të raportojë presidenti Thaçi, por paraqitja e tij ishte përshkruar me përplasje të ashpra dhe akuza të ndërsjella duke çuar edhe në dështimin e seancës dëgjimore. Presidenti Thaçi kërkoi në atë takim hetim ligjor për ekspertin ndërkombëtar që ka hartuar raportin mbi dëbimin e shtetasve turq.
Presidenti Thaçi hodhi kërkesën që të hetohet edhe vet komisioni pasi që sipas tij ka bërë shkelje ligjore me punësimin e ekspertit ndërkombëtarë duke vlerësuar se ai ka qenë i njëanshëm.
Por, anëtari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha sot se e gjitha kjo ishte përpjekje e presidentit për ta penguar punën e tyre.
“Mbi 51 profesorë të Harvardit dhe të shumë universiteteve amerikane na kanë dërguar letra neve në mbrojtje të ekspertit. Por, ky skenar i tyre shihej qartazi që është tendencë për ta penguar dhe denigruar përfundimin e kësaj pune. Por ne jemi të bindur dhe tashmë e dëshmuam që kur ekziston vullneti maksimal i politikanëve dhe i kujtdo qoftë, nuk ka person as faktor që mund ta ndalë një proces, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, dhe e gjitha kjo në funksion të vetëm një gjëje; që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, tha ai.
Raporti përfundimtar i komisionit do të hidhet për diskutim në parlamentin e Kosovës, tha zoti Sveçla, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të trajtojë seriozisht këtë çështje.
“Unë mendoj që shkelja më e rëndë është shkelja me vetëdije e institucioneve kryesore të udhëhequra nga presidenti i Kosovës, të të drejtave të njeriut, të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por edhe të konventave ndërkombëtare,të cilat edhe vet sipas Kushtetutës i mbivendosen Kushtetutës së Kosovës. Është faktuar se me vetëdije të plotë janë bërë këto shkelje, motivet ne pak a shumë mund t’i supozojmë dhe besoj që prokuroria duhet t’i thërrasë të gjithë këta bartës të institucioneve veç e veç për të dhënë dëshminë e tyre dhe në bazë të këtyre gjetjeve si dhe gjetjeve të mëtutjeshme të prokurorisë, të ngritën aktakuzat e para”, tha ai.
Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.
Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Komision parlamentar për hetimin e operacionit, që u themelua në korrik të vitit të kaluar, kishte pohuar edhe më herët se shkeljet më të mëdha, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Këto gjetje, nxitën edhe reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila kishte tërhequr vërejtjen se “trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.