Kosova

Kosovë: Nuk përmbushen kërkesat e opozitës – të martën sërish protesta

Qeveria e Kosovës nuk përmbushi kërkesat e opozitës për shkarkimin e një ministri serb dhe shndërrimin në ndërmarrje publike të kompleksit të minierave Trepça.

Kryeministri i Kosoves Isa Mustafa
Kryeministri i Kosoves Isa Mustafa

Lëvizja Vetëvendosje e mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare, do të hidhet nesër në mesditë në protestë në Prishtinë me kërkesën për shkarkimin e ministrit për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviç dhe qartësimin e statusit të kompleksit të minierave Trepça.

Qeveria e Kosovës nuk përmbushi “ultimatumin” e shtruar në protestën e së shtunës, që këto kërkesa të përmbushen deri të hënën në orën 16.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Isa Mustafa tha se kjo qeveri respekton të drejtën e protestës si një e drejtë e shprehjes së shqetësimeve dhe mendimit qytetar. Ajo konsideron se vendi po përballet me shumë probleme zhvillimore, të papunësisë së lartë dhe varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat duhet të zgjidhen me përparësi. Por ai tha se zgjidhjet institucionale janë të vetmet zgjidhje të qëndrueshme.

Republika e Kosovës me demokraci parlamentare, institucionet qeverisëse i ndërton mbi votën e lirë të qytetarëve, prandaj vetëm vota e lirë vendosë mbi legjitimitetin e këtyre institucioneve. E konsiderojmë të papranueshme dhe jo kushtetuese çdo tentativë që Parlamenti i Kosovës të zhvendoset dhe të zëvendësohet me parlament të shesheve”, tha kryeministri Mustafa.

Qeveria i dënoi incidentet e së shtunës, kur policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup të protestuesve që hodhën gurë mbi ndërtesën e qeverisë dhe mbi disa prona private në përfundim të protestës. Ajo bëri thirrje për maturi politike dhe tolerancë.

Deklaratat individuale nuk mund të shërbejnë si pretekst për të eskaluar situata. Eskalimi i situatës iu konvenon vetëm armiqve të Kosovës dhe e dëmton rrugën e saj për zhvillim dhe drejt integrimeve evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Shume qytete të Kosovë u përfshinë në protesta gjatë ditëve të fundit kundër ministrit për komunitete dhe kthim, Aleksandër Jablanoviç, i cili i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Ai sot në mbledhjen e qeverisë tha se nuk kishte për qëllim të fyente askënd.

Më vjen shume keq që deklarata ime është keqkuptuar dhe këtë jam përpjekur ta shpjegojë disa herë. Posaçërisht më vjen keq që një deklaratë e tillë shfrytëzohet si shkas për protesta dhe dhunë”, tha ai

Qeveria ritheksoi se fati i kompleksit të minierave Trepça sikurse edhe të gjitha pasurive tjera të Kosovës, do të vendoset nga institucionet e saj.

Të hënën e kaluar parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të Trepçës. Por, qeveria hoqi dorë nga synimi për ta shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike. Ajo tha se e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që  ajo të hyjë në procesin e likuidimit. Ajo tha se për Trepçën do të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet prej 1 miliardë e 400 milionë eurosh  që ka ky kompleks. Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit

Opozita akuzoi qeverinë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se ai është pronari kryesor i Trepçës dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe.

Diplomatët perëndimorë kërkojnë shmangie të dhunës

Ambasadorët Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë të përbashkët, theksojnë, sic thuhet, “të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë jo të dhunshme. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t’iu bashkuar në mënyrë vullnetare bashkëqytetarëve për të demonstruar është vendimtare për një demokraci funksionale. Megjithatë dhuna në protesta është jo ligjore dhe e papranueshme. Për këtë arsye ne i dënojmë aktet e vandalizmit nga një grup protestuesish më 24 janar ndaj pronës publike dhe private si dhe frikësimin e ekipeve televizive, që po ashtu është në kundërshtim me parimet e lirisë së medieve. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës për të ushtruar me përgjegjësi të drejtat e tyre demokratike”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Incidentet e së shtunës janë dënuar sot edhe nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar. Në një deklaratë të tij thuhet se “protesta paqësore është e drejtë fondamentale dhe e pamohueshme e qytetarëve. Ata qё kryejnë akte tё dhunës dhe shkatërrojnë prona jo vetëm që kryejnë shkelje, por gjithashtu janë abuzues tё kësaj tё drejte nё dëm tё kauzës sё tyre dhe tё demokracisë nё Kosovë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button