Kosovë: Pesë të akuzuar për terrorizëm
Në Kosovë, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzë kundër pesë personave të arrestuar në nëntor të vitit 2013, nën dyshimet për përfshirje në veprime terroriste.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës, bëri të ditur se ka ngritur një aktakuzë kundër pesë personave nën dyshimet për përfshirje në veprat penale, organizim dhe drejtim i një grupi terrorist; pjesëmarrje në grup terrorist; përgatitje të veprave penale terroriste; prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese; posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare dhe për sulm të rëndë në territorin e Kosovës, si edhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.
Në një njoftim të prokurorisë së posaçme thuhet se të pandehurit janë arrestuar në Prishtinë duke u përpjekur të blejnë një numër të madh të armëve dhe municionit sulmues ushtarak.
Të gjithë këta janë arrestuar në nëntor të vitit 2013, në dyshimet për përgatitje të veprimeve terroriste dhe veprave tjera kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë. Arrestimet qenë kryer në Prishtinë dhe Gjilan, gjatë një operacioni që pasoi një hetim disamuajsh, që sipas policisë është kryer në bashkërendim me agjencinë e zbulimit të Kosovës.
Dy nga të akuzuarit ngarkohen për sulm fizik ndaj dy shtetaseve amerikane me tre nëntor të vitit 2013. Të sulmuarat i takojnë kishës evangjeliste dhe ishin sulmuar derisa po shpërndanin fletushka me përmbajtje fetare. Të paktën njëri nga të akuzuarit mund të ketë marrë pjesë në luftimet në Siri.
Agjencitë e zbulimit thonë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndonëse askush në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e tyre. Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.
Të premten, parlamenti i Kosovës me 74 vota për dhe 12 kundër, miratoi në parim projektligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Projektligji parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.
Krahas aspektit ligjor, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin çdo përfshirje në luftërat ne lindjen e Mesme. Thirrjeve u është bashkuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës e cila pohon se luftërat në ato zona, nuk kanë të bëjnë asgjë me shqiptarët e as me besimin islam.