“Krishti u ngjall”, besimtarët ortodoksë luten në izolim. Simbolika e veçantë e këtyre Pashkëve
Ngjallja e Krishtit u festua mbrëmë në një mënyrë krejt të pazakontë në Shqipëri, ashtu si në gjithë botën e kycur nga pandemia e koronavirusit.
Besimtarët ortodoksë nuk mundën në mesnatë të shkojnë pranë kishave të tyre për të kryer ritualet e festës më të madhe të ortodoksisë, sic është ringjallja e Krishtit.
Në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ashtu si në të gjitha kishat e vendit, meshat u kryen pa besimtarë. Ndërsa këta të fundit e ndiqnin live në televizion “Liturgjinë Hyjnore”, duke qëndruar të izoluar në shtëpitë e tyre.
Kryepeshkopi Anastas mbajti meshën e madhe në katedralene Tiranës me fjalët e ungjillit, ndërsa besimtarët në mënyrë simbolike e ndoqen nga shtëpitë e tyre.
Në orën 12.00 kur kryepeshkopi dhe gjithë të parët e kishave të vendit shqiptuan “Krishti u ngjall”, drita e shenjtë nuk u shpërnda si zakonisht nga kisha nëpër shtëpitë e tyre.
Besimtarët në mënyrë simbolike ndezën qirinjtë në shtëpitë e tyre, dhe u përgjigjen me frazën “u ngjall vërtet”, duke u lutur për mbarësi dhe clirim nga kjo e keqe që ka pllakosur gjithë botën.
Më pas ata kanë thyer vezët e kuqe sic është traditë, dhe kanë ururar njëri-tjetrin të afërmit apo fqinjët.
Thirrja “Krishti u ngjall” u shoqërua këtë vit nga dëshira për të qenë të shëndetshëm, për të mos pasur frikë ashtu sic tha kryepeshkopi Anatstas dhe që Pashka tjetër të na gjejë të bashkuar e solidarë.
Ringjallja e këtij viti ka një kuptim më të thellë dhe një simbolikë të veçantë, pasi të gjithë jemi duke pritur që kjo krizë të tejkalohet me sa më pak humbje jetesh njerezore e dhimbje.