Tiranë 23°C · Pjesërisht vranët 20 May 2026
S&P 500 7,354 ▼0.67%
DOW 49,364 ▼0.65%
NASDAQ 25,871 ▼0.84%
NAFTA 102.31 ▼1.77%
ARI 4,490 ▼0.47%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1612 EUR/GBP 0.8666 EUR/CHF 0.9157 EUR/ALL 95.4726 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4090 EUR/TRY 52.9302 EUR/JPY 184.70 EUR/CAD 1.5963 EUR/USD 1.1612 EUR/GBP 0.8666 EUR/CHF 0.9157 EUR/ALL 95.4726 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4090 EUR/TRY 52.9302 EUR/JPY 184.70 EUR/CAD 1.5963
₿ CRYPTO
BTC $77,588 ▲ +1.02% ETH $2,132 ▲ +0.78% XRP $1.3704 ▼ -0.31% SOL $84.9500 ▲ +0.3%
S&P 500 7,354 ▼0.67 % DOW 49,364 ▼0.65 % NASDAQ 25,871 ▼0.84 % NAFTA 102.31 ▼1.77 % ARI 4,490 ▼0.47 % S&P 500 7,354 ▼0.67 % DOW 49,364 ▼0.65 % NASDAQ 25,871 ▼0.84 % NAFTA 102.31 ▼1.77 % ARI 4,490 ▼0.47 %
EUR/USD 1.1612 EUR/GBP 0.8666 EUR/CHF 0.9157 EUR/ALL 95.4726 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4090 EUR/TRY 52.9302 EUR/JPY 184.70 EUR/CAD 1.5963 EUR/USD 1.1612 EUR/GBP 0.8666 EUR/CHF 0.9157 EUR/ALL 95.4726 EUR/MKD 61.6948 EUR/RSD 117.4090 EUR/TRY 52.9302 EUR/JPY 184.70 EUR/CAD 1.5963
20 May 2026
Breaking
Bota

Kriza e fshehur e Japonisë, si ripyllëzimi i pas Luftës së Dytë Botërore po shkakton alergji masive

Një vendim i marrë më shumë se 70 vite më parë për ripyllëzimin e zonave të gjera të Japonisë vetëm me dy lloje pemësh po shndërrohet sot në një problem serioz kombëtar për vendin aziatik.

Në muajin shkurt, në rrjetet sociale në Japoni u bënë virale video që tregonin atë që dukej si re tymi që dilnin nga pyjet me gjelbërim të përhershëm. Në të vërtetë, nuk bëhej fjalë për tym, por për sasi masive poleni që shpërndaheshin në ajër, një sinjal i qartë për miliona japonezë se sezoni i alergjive kishte nisur dhe se duhej të përgatiteshin me maska dhe ilaçe.

Çdo pranverë, rrugët e qyteteve japoneze mbushen me njerëz që mbajnë maska për shkak të etheve të sanës, ose rinitit alergjik, i shkaktuar kryesisht nga poleni i pemëve. Problemi po përkeqësohet edhe më tej nga ndryshimet klimatike, pasi sezoni i polenit po nis gjithnjë e më herët. Sot, rreth 43% e popullsisë japoneze përjeton simptoma të moderuara ose të rënda alergjie, një përqindje shumë më e lartë krahasuar me vende si Mbretëria e Bashkuar apo SHBA.

Përveç shqetësimeve fizike, alergjitë sezonale ndikojnë edhe në cilësinë e jetës, duke shkaktuar probleme me gjumin, ulje të përqendrimit dhe rritje të rrezikut për astmë apo alergji të tjera. Vetëm gjatë kulmit të sezonit të polenit, ekonomia japoneze humbet rreth 1.6 miliardë dollarë në ditë për shkak të mungesave në punë dhe rënies së konsumit.

Origjina e këtij problemi lidhet drejtpërdrejt me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës, Japonia përdori në masë të madhe pyjet si burim energjie për shkak të mungesës së naftës dhe gazit. Kjo solli shpyllëzim të gjerë, duke lënë zona të tëra malore të zhveshura pranë qyteteve si Tokio, Osaka dhe Kobe.

Për të parandaluar erozionin e tokës dhe rrëshqitjet e dheut, qeveria japoneze nisi në vitet 1950 dhe 1960 një program masiv ripyllëzimi. Autoritetet zgjodhën të mbillnin kryesisht dy lloje pemësh vendase me rritje të shpejtë: kedrin japonez “sugi” dhe selvine japoneze “hinoki”. Përveç rikthimit të pyjeve, këto specie do të shërbenin edhe si burim druri për industrinë e ndërtimit.

Sot, pyjet me sugi dhe hinoki mbulojnë rreth 10 milionë hektarë, ose afro një të pestën e territorit të Japonisë. Megjithatë, këto pemë prodhojnë sasi shumë të mëdha poleni të lehtë, i cili përhapet lehtësisht drejt zonave urbane. Situata është përkeqësuar edhe më shumë pasi pemët fillojnë të prodhojnë më shumë polen pas moshës 30-vjeçare, ndërsa shumica e këtyre pyjeve tashmë e kanë arritur këtë fazë.

“Alergjitë ndaj polenit janë kthyer në një problem kombëtar shëndetësor në Japoni dhe adresimi i tyre është urgjent”, thotë Noriko Sato, studiuese e pylltarisë në Universitetin Kyushu.

Në vitin 2023, qeveria japoneze e shpalli zyrtarisht krizën e alergjive një problem kombëtar dhe prezantoi një plan ambicioz për të ulur nivelin e polenit me 50% brenda 30 viteve. Si pjesë e planit synohet edhe reduktimi me 20% i sipërfaqeve të mbjella me sugi.

Por kjo nuk është një detyrë e lehtë. Japonia është një nga vendet më të pyllëzuara industriale në botë, me pyje që mbulojnë 68% të territorit. Rreth një e treta e tyre janë plantacione monokulturore me sugi dhe hinoki. Këto pyje shpesh përshkruhen si monotone: pemë me pothuajse të njëjtën lartësi, pak dritë që depërton në tokë dhe biodiversitet shumë të ulët.

Në kontrast, pyjet natyrore japoneze dikur ishin të pasura me lloje të ndryshme pemësh, zogjsh dhe insektesh, duke e bërë Japoninë një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në botë. Për këtë arsye, shumë projekte lokale kanë nisur tashmë transformimin gradual të plantacioneve monokulturore në pyje më natyrale dhe më të larmishme.

Qyteti Kobe, për shembull, ka nisur një projekt 15-vjeçar për të kthyer mbi 180 hektarë plantacione në pyje natyrore me pemë gjetherënëse. Çdo vit, autoritetet presin në mënyrë selektive pemët sugi dhe hinoki, ndërsa lejojnë rigjenerimin natyror të specieve të tjera. Sipas zyrtarëve lokalë, rezultatet e para kanë qenë pozitive.

“Po shohim rikthimin e shumë kafshëve dhe insekteve, përfshirë specie të rralla, gjë që është shumë inkurajuese”, thotë Atsushi Okada nga Byroja Mjedisore e qytetit Kobe.

Përveç uljes së nivelit të polenit, pyjet më të larmishme ndihmojnë edhe në mbrojtjen nga rrëshqitjet e dheut dhe fatkeqësitë natyrore, të cilat pritet të shtohen si pasojë e ndryshimeve klimatike. Druri i pemëve të prera përdoret për mobilie, ngrohje dhe prodhimin e qymyrit tradicional japonez.

Ndërkohë, projekte të ngjashme po zhvillohen edhe në rajone të tjera të vendit, ku pyjet monokulturore po zëvendësohen gradualisht me pyje të përziera dhe livadhe natyrore.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ritmi i ndryshimeve mund të mos jetë i mjaftueshëm. Edhe nëse Japonia arrin objektivin për të reduktuar 20% të plantacioneve, pjesa më e madhe e pyjeve problematike do të mbetet ende.

Për këtë arsye, vendi po eksperimenton edhe me metoda të tjera për të luftuar alergjitë, si parashikimi i përhapjes së polenit, përdorimi i robotëve për monitorimin e tij dhe zhvillimi i trajtimeve të reja mjekësore.

Shkencëtarët japonezë po testojnë madje edhe terapi imunologjike afatgjata dhe eksperimente me oriz të modifikuar gjenetikisht për të lehtësuar simptomat e alergjive.

Një tjetër sfidë lidhet me klimën. Ngrohja globale po ndikon në shpërndarjen e polenit dhe Japonia regjistroi në vitin 2025 sezonin më të hershëm të polenit në historinë e saj.

Në të njëjtën kohë, pyjet japoneze luajnë një rol të rëndësishëm në thithjen e karbonit dhe në objektivat klimatike të vendit. Pemët e vjetra thithin më pak karbon, ndaj ekspertët argumentojnë se pyjet duhet të rinovohen me specie më të reja dhe më të larmishme.

Para viteve 1960, Japonia nuk kishte asnjë term për ethet e sanës. Alergjia ndaj polenit të kedrit japonez u identifikua për herë të parë në vitin 1963 dhe konsiderohej një fenomen i ri. Sot, pas dekadash politikash pyjore që favorizuan monokulturën, Japonia po përpiqet të rikthejë ekuilibrin natyror të pyjeve të saj, me shpresën që një ditë pranvera të mos shoqërohet më nga maskat, ilaçet dhe teshtimat e vazhdueshme.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.