Kur nuk kalon stekën nuk i kërkohet Duplantis të tërhiqet
Nga Shpëtim Luku
Pak kohë më parë kam bërë një krahasim mes kryeministrit Edi Rama dhe atletit suedez Armand Duplantis. Për ata që nuk e njohin, Duplantis është kërcyesi me shkop që ka thyer mbi 15 rekorde botërore. Është një nga më të mirët e historisë së atletikë, një atlet fenomenal. Ai nuk hyn në garë për të pyetur e sqaruar veten nëse do të fitojë apo jo. Kjo është pothuajse e ditur. Sfida e tij është nëse do të thyejë edhe një rekord tjetër.
Shumë vetë mund të nënqeshin me këtë krahasim. Por ai nuk synon të ngrejë në piedestal një figurë politike. Ai synon të përshkruajë një realitet. Në CV-në politike të Edi Ramës figurojnë tre fitore si kryetar bashkie dhe katër fitore si kryeministër, pa llogaritur beteja të tjera elektorale të fituara në krye të Partisë Socialiste. Ai regjistron vetëm një humbje, edhe atë në një garë ku rezultati fillestar e nxirrte fitues me një diferencë minimale ndaj Lulëzim Bashës, për t’u përmbysur më pas në një proces administrativ tepër të debatueshëm.
Mund të ketë shumë njerëz që nuk e pëlqejnë Edi Ramën. Mund të ketë të tjerë që e konsiderojnë përgjegjës për një sërë problemesh të vendit. Këto janë qëndrime legjitime në një shoqëri demokratike. Por një gjë mbetet fakt: në terrenin politik shqiptar, ai është lojtari më i fortë i dy dekadave të fundit.
Të mos e pranosh këtë realitet do të thotë të gënjesh veten. Por politika është fusha ku vetëgënjimi ndëshkohet më shpejt se kudo tjetër.
Pikërisht për këtë arsye, nuk mund t’i kërkohet atij të largohet. Nuk mund t’i thuhet: “Ik!”. Jo sepse është i pazëvendësueshëm, por sepse në demokraci askush nuk zëvendësohet duke i kërkuar të lërë vendin bosh. Kundërshtari duhet mundur në fushë.
Në sport askush nuk do ta merrte seriozisht një atlet që, duke mos qenë në gjendje të kapërcejë stekën, do t’i kërkonte Duplantisit të tërhiqej nga garat. Askush nuk do të pranonte që kampioni të largohej vetëm sepse të tjerët nuk arrijnë të konkurrojnë me të. Përkundrazi, atletët përpiqen të stërviten më shumë, të përmirësohen dhe të gjejnë mënyra për t’u afruar me nivelin e tij.
Politika nuk funksionon ndryshe. Nëse mendon se qeverisja është e gabuar, atëherë duhet të ndërtosh një alternativë më të mirë. Nëse beson se një lider ka konsumuar misionin e tij, atëherë duhet të prodhosh një lider më bindës. Nëse pretendon se shumica e shqiptarëve duan ndryshim, atëherë duhet t’i bindësh ata me ide, me ekip dhe me vizion.
T’i kërkosh kundërshtarit të largohet pa e mundur është, në thelb, pranimi i paaftësisë për ta sfiduar atë.
Protestat e fundit në Tiranë tregojnë se ekziston një pakënaqësi reale dhe se ka ende “brumë” për të gatuar një forcë të re politike. Por mes pakënaqësisë dhe pushtetit ekziston një rrugë e gjatë. Zemërimi nuk mjafton. As entuziazmi nuk mjafton. Thirrjet për largim jo e jo.
Duhet organizim. Duhet program. Duhet lidership. Duhet besueshmëri. Dhe, mbi të gjitha, duhet aftësia për të fituar besimin e shumicës.
Demokracia nuk është arti për të zbrazur fushën e lojës nga kundërshtari. Demokracia është aftësia për ta mundur atë në një garë të ndershme, duke respektuar rregullat që vetë loja ka vendosur.
Derisa kjo të ndodhë, Edi Rama do të vazhdojë të jetë ai që është sot: lojtari që fiton garat. Dhe ata që duan ta zëvendësojnë do të duhet të bëjnë atë që bëjnë të gjithë sfidantët e vërtetë: të përgatiten për ta mundur, jo t’i kërkojnë të largohet.
Sepse kampionët nuk ikin nga pista. Ata zbresin prej saj vetëm kur dikush arrin t’i mposhtë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.