Kosova

Kurti: Rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. T’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë

Albin Kurti ka folur një natë pasi u rrëzua nga pushteti që e mbajti për 50 ditë. Kurti nis shkrimin e tij duke thënë se “ishte rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i rrëzuar me 82 vota pro, shkruan se “ne do të fitojmë” dhe “e ardhmja është e jona”.

Ai thotë se kuptimi i mosbesimit ishte porosia e emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Sipas kryeministrit në detyrë, me votimin dje, u kuptua se 80 deputetë janë të gatshëm për një marrëveshje për shkëmbim të territorit të Kosovës, që Kurti beson se është arritur mes Presidentit të Kosovës dhe të Serbisë.

POSTIMI I PLOTË

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.
Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button