Politika

KVV: 18 Qershori në gjendjen e aktuale po projekton një standard antidemokratik

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) në vazhdën e ndjekjes së proceseve politike, ligjore e institucionale që afektojnë çështjet zgjedhore, dhe veçanërisht në vazhdën e monitorimit të përgatitjeve për procesin zgjedhor të 18 Qershorit, po ndjek me shqetësim ecurinë e konfliktualitetit politik në vend. Konflikt, që ndonëse me ndihmën dhe ndërhyrjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë, nuk po arrin të gjejë zgjidhje dhe po shkon në mënyrë të paprecedentë drejt një procesi zgjedhor me mungesën e partive opozitare.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka kritikuar me forcë dhe në vijimësi përvojën e deri më sotme politike, ku lidershipet kryesore politike kanë imponuar dakortësitë e ngushta dritëshkurtra në ndërmarrjen e proceseve më madhore të vendit. Në këtë frymë, edhe pranimi i dykahshëm i rezultateve të proceseve zgjedhore është shndërruar në një standard të domosdoshëm dhe të mjaftueshëm për legjitimimin e vetë zgjedhjeve për stadin e demokracisë shqiptare.

Ndërkohë, procesi zgjedhor i 18 Qershorit në gjendjen e aktuale po projekton, ndër të tjera, një standard të ri dhe antidemokratik, atë të mosdakortësisë. Në një përvojë gati 30 vjeçare, lidershipet politike kryesore pasi u imponuan si çertifikuesit suprem të proceseve zgjedhore, tanimë po shkojnë drejt një precedenti akoma më të rrezikshëm, të vetëmjaftimit me mbajtjen thjesht të një dite zgjedhore.

Në traditën e mospërfshirjes reale të të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe civilë në proceset madhore të vendit, një garanci për përmbajtjen e dakortësive politike kanë qenë aktorët ndërkombëtarë. Prezenca ndërkombëtare, jo vetëm si ndërmjetës, ka vendosur disa garanci, ndonëse artificiale dhe jo në kontekstin e një demokracie të shëndetshme, por që kanë imponuar për aq sa ka qenë e mundur parime demokratike në thelbin e dakortësive.

Vizita e sotme e Zëvendës/Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, një prej vendeve kryesore partnere të Shqipërisë, si për sa është treguar në të shkuarën si dhe aq sa shpresohet në të ardhmen, është një moment pa të dytë. Ky moment për dakordësi të domosdoshme, në një mungesë thelbësore kulture dialogu, vlen jo vetëm në rrethanat e brendshme, por edhe në ato të jashtme. Për më tepër, në këndvështrimin e një konteksti gjeostrategjik ku Shqipëria duhet të përballet dhe paraqitet si një referencë stabilizuese, refuzimi i një ftese për dakordësi është një hap që zhbën kredencialet e vendit tonë.

Integriteti dhe asistenca e fortë e treguar në vijimësi nga SHBA-të është mundësia më e arrirë e mundshme për një dakordësi të arritur mbi parime dhe në ndihmesë reale të demokracisë shqiptare.

Duke evidentuar rëndësinë e maturisë politike të treguar në momente madhore si dhe të një ndërgjegje qytetare thelbësore, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bën thirrje të gjitha palëve, veçanërisht Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Opozitës Basha, për shfrytëzimin e momentit të paraqitur si një shans madhor dhe të fundit për dakordësi dhe për të mos lejuar vetëshkatërrimin e stadit aktual të demokracisë shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button