Ligji për pronat, Komisioni i Venecias jep ‘OK’-in
Ligji “Për Trajtimin e Pronës” është vlerësuar në përputhje të plotë me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga Komisioni i Venecias. Gjykata Kushtetuese i kërkoi mendim Komisionit pas ankimit pranë kësaj gjykate nga shoqatat e pronarëve. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Ligji ‘Për Trajtimin e Pronës’ kaloi me sukses Komisionin e Venecias. Përgjatë shqyrtimit të këtij ligji, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i kërkojë një opinion zyrtar Komisionit të Venecias. Ky Komision e ka vlerësuar si të drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Mbetet që gjykata jonë ta pranojë këtë opinion dhe ta bëjë pjesë të vendimit të saj. Ndërkohë ne vazhdojmë zbatimin e ligjit. E vetmja keqardhje: Sa keq që nuk e bëmë më shpejt një ligj të tillë! Duhej ta bënim që në vitin 1991″, shkuan Manjani në “Facebook”. Postimit të tij, ministri i Drejtësisë i bashkëngjit edhe faksimilen nga faqja e parë e vendimit të Komisionit të Venecias.
Argumenti
Në një dokument prej 11 faqesh, Komisioni i Venecias ka argumentuar se ligji për trajtimin e pronave është në përputhje me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Argumenti është shpjeguar në 55 pika, ndërkohë që Komisioni shprehet se është në dispozicion për t’i ofruar sërish ndihmë Gjykatës Kushtetuese në rast se kjo e fundit do ta ketë të nevojshme.
Vënia në dispozicion të pronarëve të një fondi prej 50 miliardë lekësh për një periudhë 10-vjeçare është përcaktuar me kujdes në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Zbatimi i ligjit me përpikëri dhe shpërndarja e fondeve të parashikuara sipas Komisionit të Venecias do t’i shërbejnë zgjidhjes së çështjes së pronave.
Kundërshtitë
Shoqatat e Pronarëve kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pronat me pretendimin se bie ndesh me Kushtetutën dhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pika kryesore që kundërshtojnë pronarët ë shtë : “Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral”.
Llogaritja
Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Këtë pikë e kundërshtojnë fort pronarët, pasi sipas tyre zhvlerëson pronën.
Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës.
Neni 8, pika a, e ligjit nr. 133/2015, për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.
Kompensimi financiar dhe fizik
Agjencia e Trajtimit të Pronave vijon procedurat duke administruar aplikimet e pronarëve, të cilët duhet të cilësojë faktin se kërkojnë kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet: Kërkesa për kompensim financiar/fizik, konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës, vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar apo i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët, vërtetim numër llogarie, vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore, dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik