Ekspozita

Lin Delija – “Kthehet” në atdhe

timthumbKa diçka shpirtërore në tablotë e Lin Delisë. Diçka që dukej që vinte nga larg, nga kujtimet që e çonin piktorin në oborrin e mbuluar nga lulet të Kishës së Françeskanëve në Gjuhadol në Shkodër. Rrobat e gjata të fretërve, librat që gjente në bibliotekat e tyre dhe shija e tyre artistike lanë gjurmë të përjetshme tek artisti Lin Delija. Ai nuk e harroi asnjëherë atë kënd të qytetit të tij të lindjes, të cilën e sillte me mall në mendje teksa ishte shumë larg. Dhe kur në tablo ai sillte trupin e zhveshur të një gruaje, e sillte atë bashkë me shpirtëroren që i lexohej në lëkurë. Një artist është gjithnjë një romantik i pandreqshëm dhe pavarësisht besimit katolik, Lin Delija nuk e humbi asnjëherë besimin te gjërat e thjeshta dhe thellësisht të bukura që janë brenda qenies njerëzore. Dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve, u hap ekspozita me titull “Lin Delija mes sakrales dhe profanes”. Nën kurimin e Gjon Radovanit, ekspozita erdhi në kuadër të aktiviteteve kulturore, që po organizohen në pritje të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Piktura dhe vizatime të vendosura në tri salla të Galerisë sjellin një dimension tjetër të piktorit i cili jetoi dhe krijoi në Antrodoko, pranë Romës. Tri janë temat e kësaj ekspozite, kërkimet fillestare përmes gjestit pikturor, martirët e lirisë dhe besimit dhe kërkimi i së bukurës njerëzore. Veprat e ekspozuara janë pjesë e koleksioneve të Provincës Françeskane Shqiptare në Shkodër, të Shoqatës Art Union Albania në Tiranë, të koleksioneve private dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Në një nga sallat e GKA do shfaqen gjatë këtyre ditëve dy filma dokumentarë mbi jetën dhe krijimtarinë e personalitetit të artistit, të përgatitura nga RAI. “Në ekspozitë paraqiten për herë të parë zhguni vetjak, që ka veshur gjatë jetës Lin Delija dhe çadra e firmosur prej dorës së vet. Piktura e Lin e Delisë është e sinqertë dhe e fuqishme dhe ajo pasqyron një botë të veçantë të një artisti që u largua nga vendi i tij”, tha drejtori i Galerisë së Arteve Artan Shabani. Për kuratorin Gjon Radovani, koncepti bazë i ekspozitës lindi nga përgjigjja e Papa Françeskut për gazetarët, i cili arsyetoi se e viziton Shqipërinë si një vend ku janë bashkuar martirizimi dhe bashkëjetesa. “Lin Delija kthehet sot në atdhe në këtë ekspozitë dhe duket sikur këto kulisa, këto mure të Galerisë Kombëtare janë ndërtuar posaçërisht për pikturat e tij. Ai kthehet me pikturat e tij, fatkeqësisht pas vdekjes, por duke simbolizuar udhëtimin drejt lirisë dhe kujtesës që ai ka lënë mbrapa në Shqipëri. Te Lin Delija gjenden si sakralia te profania, ashtu edhe profania te sakralia. Piktura e tij i kushtohet shpirtërores dhe kjo vihet re si te personazhet martirë të besimit, ashtu edhe te nudot që nuk janë aspak banale, por shumë shpirtërore”, tha Radovani. E pranishme në prezantimin e ekspozitës në Tiranë ishte dhe historiania e artit, dr. Silvia Cuppini. “Nuk ka një pikturë të Lin Delisë që të mos prezantojë qenien njerëzore. Shën Françesku ka thënë se në sytë e njeriut, në sytë e lebrozit, në sytë e të vuajturit, shohim Krishtin, e pra unë mendoj se Lin Delija është Shën Françesku i ri për botën. Muzeu i Antrodokos ka përjetësuar këtë vepër të tij, pikërisht shpirtin e Lin Delisë”, tha Cuppini.

Lin Delija lindi në Shkodër. Ai u rrit dhe u edukua në shkollën e Fretënve Françeskanë, ku edhe mori hov së pari talenti i tij artistik. Studioi në fillim në Herceg Novi dhe pastaj në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura. Më vonë, me ndihmën e Ernest Koliqit siguroi një bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrit e tij të mëdhenj ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik, duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik. Edhe pse studioi me mjeshtër të mëdhenj të ngjyrave, Lin Delija do të mbeste deri në fund ai që ishte, piktor origjinal me talent të rrallë të cilin nuk pranoi ta shiste dhe ta bënte pjesë të tregut. Në vitin 1969, Lin Delija themelon Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983 krijon Akademinë e Artit “Carlo Cesi” në vilën Mentuçia në Antrodoko. Piktori Lin Delija mbylli sytë më 9 prill 1994 në Romë në moshën 68- vjeçare. Sot, veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeun “Lin Delija” në Antrodoko, në Muzeun Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeun e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangenit në Gjermani, në Nju Jork etj. Në qytetin e Osimo-s ekziston një muze kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muze në vitin 2002 në qytetin që i dha strehë bujare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 tetor 2014.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button