Llalla: Angazhim maksimal të gjithë Prokurorisë
Prokurori i Përgjithshëm është shprehur për angazhim maksimal të gjithë Prokurorisë së Shqipërisë, referuar zhvillimeve të shumta në aspektin penal. Gjatë një takim analize me drejtuesit lokalë të prokurorive, Llalla tha se shumë partnerë seriozë e mbështesin këtë institucion si një paradhomë kryesore për zhvillimin e Shqipërisë.
“Ka zhvillime të shumta në aspektin penal, të cilat kërkojnë angazhim maksimal të të gjithë strukturës së Prokurorisë Shqiptare. Aktiviteti i Prokurorisë Shqiptare, si në çdo kohë, vijon të ketë vëmendjen kryesore nga faktorë vendas dhe ndërkombëtarë. Ka shumë partnerë seriozë që mbështesin institucionin tonë dhe e konsiderojnë si një ndër paradhomat kryesore për zhvillimin të Shqipërisë”, është shprehur Llalla..
Pas një analize mbi çështje proceduriale z. Llalla kërkoi nga vartësit e tij që të kenë komunikim më të hapur me qytetarët, duke kërkuar masa periodike për të mos lejuar vonesa në hetime.
“Nga kontrollet periodike të Prokurorisë së Përgjithshme janë konstatuar raste të vonesave të pajustifikuara në veprimet hetimore nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Çdo rast i konstatuar do të jetë pjesë e vlerësimit vjetor si për personat përgjegjës, ashtu edhe për drejtuesit e prokurorive. Qytetarët presin zgjidhje ligjore në një kohë sa më optimale dhe për këtë arsye ne do të vijojmë të marrim masat ndëshkuese për prokurorët që nuk respektojnë parimet bazë të punës”, tha kryeprokurori i Shqipërisë.