Kronika

Lleshaj i prerë: Nuk ka ndryshim të listave zgjedhore, qytetarët do votojnë në qendrat e mëparshme

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Real Story” se nuk ka ndryshim të listave zgjedhore. Sipas tij, qytetarët shqiptarë do të votojnë në qendrat e mëparshme të votimit. Lleshaj theksoi se tashmë po iu jepet identitet dhe adresë qytetarëve shqiptarë duke i cilësuar stuhi në gotë akuzat e opozitës.

“Nuk ka ndryshim të listave zgjedhore. Nuk ka asnjë ndryshim. Ekstrakti i parë i tyre do të publikohet më 5 tetor. Kushdo do ketë mundësi ta verifikojë dhe do kuptojë se sa e pakuptimtë është kjo stuhi në gotë.

Kjo temë nuk ekziston. Nuk ka ndryshim të listave zgjedhore. Qytetarët që ankohen? Nuk iu ka ndodhur asgjë. Nëse do bëja një shpjegim të thjeshtë, në Shqipëri kemi një nga dokument themelor, regjistri i gjendjes civile, në të janë 32  atribute të dhëna, të hedhur në këtë regjistër. Sa herë duam të prodhojmë diçka, p.sh. certifikatën personale, marrim aty të dhëna. Prodhojmë listën e zgjedhësve e cila ka ndër të tjera dhe zyrën e gjendjes civile, qendrën e votimit dhe kodin e adresës.

Shqipëria për fatin tonë të keq që nga viti ‘90 i është shkatërruar një nga kolonat esenciale të shtetformimit që është regjistri. Nga ‘90 me fillimin e lëvizjes kaotike, njerëzit e humbën këtë referencë të adresës dhe humbën nga regjistrat. Vijmë në shek. e 21 me një situatë ku qytetarët e këtij vendi nuk kanë adresa.

Një rast absurd dhe paradoksal për kohën dhe vendin ku jetojmë, certifikata e gjendjes civile e vitit 2017, ka emër mbiemër, nr. personal, ditëlindja, vendbanimi thuhet Tiranë, ndërsa në certifikatën e vendbanimit thuhet e detajuar.

Kjo që po ndodh sot nga një turmë anonime pa adresë po iu jepet adresë, identitet për qytetarët e një vendi normal. Ky proces ka nisur në vitin 2019 dhe është detyrim ligjor”, deklaroi Lleshaj.

A e prek kjo qendrën e votimit? Lleshaj tha se kjo nuk ka lidhje për arsye se qytetarët shqiptarë kanë dhe një adresë të dytë, që është adresa zgjedhore, një kod. “Do duhej të ishin dy por për fat të keq është vetëm e para, një gjysmë adrese. Adresa zgjedhore përbëhet nga këto blloqe numrash, ai me të kuqe që shpjegon zyrën e gjendjes civile, blloku i dytë qendra e votimit dhe i treti, adresa e banimit. Ishin 300 mijë qytetarë me kodin 999. Brenda kësaj qendre votimi kishte një nr. të madh qytetarësh pa adresë.

Dhe në zgjedhjet e ardhshme do të jemi me këtë adresë. Asnjë qytetari nuk po i ndryshohet qendra e votimit pse ndryshohet regjistrimi. Ose janë lajthitje, ose keqdashje e ligë, ose projekt i keq. Ne po verifikojmë cila nga këto është e vërtetë. Gjithë kjo punë që është bërë, është bërë për 2-3 raste”, tha ministri Lleshaj.

Lleshaj sqaroi dhe rastin e qytetarit që u ankua për adresën duke folur për keqkuptim, pasi sipas tij adresa ishte ndryshuar nga bashkëshortja.

“Kam emrin e një qytetari Lulzim Ajazaj dhe kam të dhënat e tij. Ka dy adresa, njërën në Mëzez dhe tjetrën tek Rruga e Durrësit. Qendra e votimit nuk ka ndryshuar. Qytetari vetë është i keqkuptuar por ata që e kanë instrumentalizuar, më bën të mendoj jo mirë për autorët e saj. Ne do ta verifikojmë në rrugë ligjore. Për të tre rastet. Në rastin në fjalë, adresa është përditësuar nga bashkëshortja. Adresat e votimit nuk ndryshohen nga këta proces. Bërja e qytetarëve me adresë është një proces esencial shtetformues për të cilin jam i motivuar dhe ndihem krenar që emrit të çdo qytetari t’i vëmë një adresë sepse qyt shqiptarë nuk janë nomadë, por kanë identitet dhe adresë”, deklaroi Lleshaj.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button