Intervista

Lubonja: Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin

Në një intervistë për gazetën Express, analisti Fatos Lubonja, duke folur për incidentet që shpërthyen gjatë ndeshjes Shqipëri –Serbi ka folur për fluturaken që barte flamurin e “Shqipërisë së Madhe” dhe thirrjet e tifozëve serbë për vrasjen e shqiptareve.“…sipas meje atë akt dhe ato festime ne nuk duhet t’i kryenim, ashtu sikurse tifozët serbë nuk duhet të bënin ato që bënë, jo për të huajt, por për respekt për veten tonë mbi të gjitha” thekson Lubonja.“Ne jemi dy popuj të frustruar dhe në raste të caktuara, siç qe ky i ndeshjes, bëhemi pasqyrë e njëri- tjetrit. Prandaj më duket e vështirë të mas se cili e urren më shumë tjetrin” shton ai.

lubonja

 

Z.Lubonja i fajësuat edhe shqiptarët edhe serbët për atë që ndodhi në stadiumin ku u luajt ndeshja Shqipëri –Serbi duke thënë se të dy palët do të marrin dënimin e merituar për atë që ndodhi. A nuk filluan të parët serbët me racizëm me thirrjet ‘Vrite, vrite shqiptarin, dhe thirrjen tjetër ‘Vrite shqiptarin që kroati të mbetet pa vëlla”?

Pyetja juaj më duket në vazhdën e thellimit të konfliktit. Jam kundër një gjëje të tillë e prandaj edhe në atë që shkruaj nuk merrem aq shumë me atë se kush e filloi i pari (ndonëse nuk e le pa vënë në dukje se ishin serbët) por se edhe ne kemi përgjegjësi për atë që ndodhi e se nuk po ndalemi as edhe një çast për të menduar për këtë, por vazhdojmë të merremi sot e kësaj dite vetëm me temën se sa të poshtër janë armiqtë tanë, se ata janë vetëm xhelatë dhe ne vetëm viktima që vetëmbrohen. Ngjarja pati një pikë kulminante e cila e bëri edhe lajm botëror: e ky ishte fluturimi i hartës së Shqipërisë së Madhe mbi stadium dhe incidentet që e pasuan atë. Unë them se ai akt ishte i dënueshëm, duke patur parasysh kontekstin ku jetojmë, dhe ne duhet ta dënonim e jo ta festonim me një ethe nacionaliste revanshiste siç e festuam në Tiranë e Prishtinë.

 

Ju thatë se ata që kishin përgatitur kundërpërgjigjen me atë fluturaken me flamur- hartë nuk kishin menduar se kjo mund të nxisë një valë antishqiptare në Serbi, a duhet tifozët, të cilëve nuk u interesojnë debatet intelektuale për nacionalizmin, është dashur të mendojnë për diçka të tillë?

Më vjen keq por unë nuk them se kjo do të nxiste një valë antishqiptare në Serbi vetëm, por edhe në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dmth. kudo ku jetojnë shqiptarë në rajon dhe po ashtu do të na vinte në vështirësi edhe me Evropën. Dhe kështu ndodhi, apo jo? A duhet tifozët ta mendojnë se një akt i tillë përkeqëson marrëdhëniet e shqiptarëve që jetojnë në këto vende me të tjerët dhe në përgjithësi vonon normalizimin dhe demokratizimin e rajonit? Kjo është njëlloj sikur të pyesësh: a duhet tifozët serbë të mendojnë se nuk duhet të ulërasin “vdekje shqiptarëve” në fushë. Sigurisht duhet ta mendojnë sepse para se të jenë tifozë janë qytetarë të një vendi. Dhe dua të shtoj se sipas meje atë akt dhe ato festime ne nuk duhet t’i kryenim, ashtu sikurse tifozët serbë nuk duhet të bënin ato që bënë, jo për të huajt, por për respekt për veten tonë mbi të gjitha. E keqja është se këta tifozë kanë një vetëdije politike dritëshkurtër dhe edhe më e keqja është kur politikanët nacionalistë ndjekin frymën e tyre të stadiumit në vend se ta dënojnë atë në emër të njerëzve që kërkojnë të jetojnë në paqe me njëri tjetrin e që jam i bindur se janë më të shumtit, pa çka se kjo frymë agresive nacionaliste shumë vetë i bën të heshtin e struken.

 

Sigurisht që nuk ka një matës të nacionalizmit, për të matur urrejtjen ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por cili është opinioni juaj, i urrejnë serbët më shumë shqiptarët apo e kundërta?

Urrejtja është një ndjenjë e të dobëtit ndaj të fortit, që buron nga shtypja dhe frustrimi ndaj atij që të dhunon. Është një ndjenjë individuale më së shumti por që mund të marrë edhe përmasa kolektive, kur individët identifikohet me popullin tyre të viktimizuar. Po ashtu urrejtja vjen edhe kur ndjehesh keq i parealizuar, pa respekt për vetveten e për këtë kërkon të gjesh një fajtor të cilit i vesh tërë fajet për gjendjen e keqe. Në këtë aspekt ne jemi dy popuj të frustruar dhe në raste të caktuara, siç qe ky i ndeshjes, bëhemi pasqyrë e njëri- tjetrit. Prandaj më duket e vështirë të mas se cili e urren më shumë tjetrin. Varet nga periudhat historike. Ne në Shqipëri psh. kemi urryer diktaturën dhe diktatorin Enver Hoxha dhe veglat e tij më shumë se çdo gjë dhe i kemi pasur zili shqiptarët që jetonin në Jugosllavi. Atje shqiptarët kanë pasur të tjera ndjenja urrejtjeje. Unë mendoj se sa më shumë të realizohemi si shoqëri dhe si individë, sa më shumë të fitojmë respekt për vetveten aq më shumë do të çlirohemi nga kjo ndjenjë e kur të vijë puna për të urryer nuk do të urrejmë popuj apo individë por të keqen, ato fenomene, siç është nacionalizmi psh. që prodhojnë dhunë dhe shtypje të njeriut mbi njeriun dhe frustrim, kudo qofshin këto. Kjo do të na bëjë të jemi edhe më të hapur ndaj njëri tjetrit.

 

A po e helmon Kosova me nacionalizëm Shqipërinë, pasi disa në Kosovë po thonë se Shqipërisë ‘nuk po i shkon për fytyre’ nacionalizmi?

Shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë nacionalistë sepse ideologjia e Enver Hoxhës ka qenë nacional stalinizmi që i ka bërë shqiptarët të jetojnë – siç e kam shkruar në një ese – “midis lavdisë së një bote virtuale dhe mjerimit të një bote reale”. Kam parasysh me këtë vetëmburrjet e asaj kohe, historitë e trimërisë së popullit shqiptar në shekuj, nën shembullin e të cilave ne i rezistonim imperializmit dhe social imperializmit, qëndronim si shkëmb graniti apo si kështjellë ndaj sulmeve të armiqve… e të tjera si këto që nuk na linin të kuptonim se si pastaj ndodheshim kaq poshtë nën thundrën e një diktature mizore e në një gjendje varfërie ekstreme. Ka qenë një ideologji pushteti kjo që i shërbente atyre që në fakt e kishin izoluar Shqipërinë nga bota. E kam quajtur këtë një nacionalizëm vetëshkatërrues që vriste më së shumti shqiptarët brenda në emër të atdheut sesa armiq të jashtëm. Dështimin e tij e tregoi eksodi tragjik i shqiptarëve në vitet 90 – 91. Nacionalizmi që shoh sot në Tiranë është një variant i këtij nacionalizmi vetëshkatërrues. Ata që e promovojnë më së shumti janë njerëz që, sikurse e them dhe në shkrim, nuk i kam parë të bëjnë një akt të vetëm sakrifice për këtë vend, por veç çfarë t’i zhvatin atij. Duke tundur një flamur e duke thënë “oh sa mirë me ken shqiptar” duan të na mbushin mendjen se janë njerëz të mirë e që e duan atdheun. Por ju siguroj unë se janë teatralë, se thellë thellë nuk kanë respekt as për këtë vend, as për njerëzit e tij e as për veten e tyre se po t’i kishin këto nuk do të bënin bëmat që kanë bërë. E keni dëgjuar besoj Berishën që shkoi e tha në Mynich se është e papranueshme që shqiptarët të jetojnë në pesë shtete, duke lënë pa gojë kryeministrat evropianë. Është e lehtë të lëshosh mufka të tilla, veçanërisht kur s’të marrin as seriozisht. Por nëse ka pasur njeri që mund të bënte diçka për Shqipërinë në këta njëzet e kusur vjet ka qenë Berisha dhe çfarë bëri. Në vitet 90 e çoi vendin në greminë dhe shqiptarët të mbyten në det nga etja e tij e shfrenuar për pushtet. Në tetë vjetët e dyta nuk la lum, e mal, e kodër të këtij vendi pa shitur nga etja e panginjur për para e pushtet. Prandaj them unë se nacionalizmi është streha e fundit e horrave. E për këta horra nuk kemi pasur nevojë t’i importojmë nga Kosova se kemi boll vetë. Sigurisht duke u bërë bashkë bëhen edhe më të rrezikshëm për shqiptarët si këtej edhe andej kufirit.

“Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin.” Ja, kjo thënie e Nënë Terezës – që ia tha një gazetareje shqiptare si përgjigje kur ajo i tha se “feja e shqiptarit është shqiptaria” u duhet sot shqiptarëve dhe jo hartat me një Shqipëri të Madhe që në realitet po vazhdojnë ta braktisin këtej dhe andej kufirit pikërisht nga kjo mungesë dashurie për njëri tjetrin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button