Lulzim Basha, i punësuar në Holandë, fiton 26 mijë euro
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është punësuar në Holandë, ku gjatë vitit 2014 rezulton të jetë paguar më shumë se rroga vjetore në Shqipëri.
Në deklaratën e tij të pasurisë, Basha ka deklaruar se ka përfituar rreth 1.5 milionë lekë në vit nga puna si kryebashkiak i Tiranës, por edhe një pagë të siguruar nga Holanda prej 26 mijë eurosh, si drejtuesi i programit EWCP, shkruan sot gazeta shekulli që është në pronësi të Koço Kokëdhimës, deputet nga radhët e socialistëve.
Vetë Basha ka deklaruar se ka kryer këtë punë si drejtues i programit me kohë të pjesshme, ndërsa shuma që ka marrë është të paktën dy herë më e lartë se paga vjetore si kreu i bashkisë më të madhe në Shqipëri. Mungojnë detajet rreth programit që vetë Basha ka deklaruar se drejton në Holandë, ku ai vetë ka studiuar dhe udhëton shpesh, së bashku me familjen. Megjithatë, një e ardhur e tillë nuk ka figuruar në deklaratat e pasurisë së Bashës gjatë viteve të fundit, për t’u shfaqur vetëm në vitin 2014, i pari vit kur Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nuk kontrollohej më nga demokratët.
Në këtë mënyrë, krahas punës si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe detyrës si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, rezulton të jetë i trepunësuar. Por pikërisht, puna që i ka harxhuar më pak kohë rezulton të ketë sjellë më shumë të ardhura për Bashën. Angazhimi në Holandë ka qenë fitimprurës dhe për rrjedhojë në financat familjare është shtuar shuma prej 26 mijë euro. Ndërkohë, Basha nuk merr shpërblim për drejtimin e partisë më të madhe të opozitës shqiptare, që duket të jetë edhe angazhimi i tij më i madh kohor. Deklarata e pasurisë së kryebashkiakut është bërë shpesh objekt debatesh, pas akuzave të socialistëve për fshehje të pasurive.