Mbarëvajtja e sezonit turistik, ministria apel bizneseve për sigurinë ushqimore
Ministria e Bujqësisë u ka kërkuar bizneseve ushqimore, angazhim maksimal në ofrimin e kushteve të nevojshme të sigurisë ushqimore konsumatorëve, për një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit turistik veror.
Përmes një letre informuase, Ministria e Bujqësisë i është drejtuar 1400 bizneseve, restorante, fast foode, etj që janë kryesisht përgjatë zonave bregdetare, për kushtet që duhet të plotësojnë, në garantimin e sigurisë ushqimore.
Ministria i kërkon atyre që të fokusohen te kushtet higjeno-sanitare, në lëndën e parë që blejnë, zbatimin e sistemit të gjurmueshmërisë si dhe të mbajnë dokumentacionin e nevojshëm për çdo hallkë të procesit.
Masat informuese sipas ministrisë kanë si synim që operatorët ekonomik të kryejnë një vetëkontroll, që në rast inspektimi nga AKU të shmangin penalitetet që nisin nga paralajmërimi, vijojmë më gjoba nga 50 deri në 500 mijë lekë dhe në fund është masa për mbyllje të aktivitetit.
AKU në Durrës bllokon 22,8 kg mish jashtë kushteve të sigurisë
Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar te Ushqimit, e Qarkut Durrës, gjatë inspektimit që ka zhvilluar ditën e djeshme në zonën e Gjirit të Lalzit, ka gjobitur në shumën 200.000 lek dhe ka konfiskuar një sasi prej 22,8 kg mish në subjektin I.K, sepse tregtonte mish të pasigurt, konkretisht pa certifikatë veterinare dhe pa gjurmueshmërinë përkatëse.
AKU Durrës njofton se, se e veçanta e këtij inspektimi është fakti se, ai është zhvilluar ne kuadrin e denoncimit te ardhur ne Drejtorinë e Përgjithshme të AKU, nga qytetarë që kanë konstatuar rastin dhe e kanë fotografuar atë.
Me këtë rast AKU, falenderon dhe inkurajon çdo qytetar që ndeshet me ruajtjen, tregtimin, apo transportimin e ushqimeve të çdo lloji, në kushte të papërshtatshme në adresën : info@aku.gov.al, si dhe pranë portalit te bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”
Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët për të gjithë, citon njoftimi në Facebook i AKU Durrës