Meka dhe Arnautët
Nga Auron Tare
Me fillimin e pelegrinazhit në vendin e shenjtë të Mekës, disa radhë mbi historinë e shqiptarëve me këtë vend të shenjtë.
Mbërritja e shqiptarëve për pelegrinazhin e shenjtë në Mekë nuk ka një datë të caktuar, pasi mbajtja e shënimeve nga ana e shqiptarëve ka qenë një nga “mallkimet” e mëdha të këtij kombi. Edhe pse pjesëmarrës në shumë ngjarje historike, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, fatkeqësisht burimet shqiptare janë shumë të pakta. Megjithatë, falë protagonizmit të tyre, si dhe veshjeve që i dallonin nga kombet e tjera të Perandorisë Osmane, shpesh udhëtarë apo artistë të huaj kanë kapur momente të veçanta të arnautëve në hapësirat lindore.
Prania e arnautëve në Mekë duhet të ketë filluar me ndikimin e Stambollit në Gadishullin Arabik dhe marrjen në mbrojtje të Mekës dhe Medinës nga sulltanët osmanë. Karvanët e shenjtë të pelegrinëve sulmoheshin dhe grabiteshin nga fiset beduine të shkretëtirës, të cilat krijonin një problem shumë të madh për autoritetet e Stambollit. Masakra e vitit 1750, ku beduinët masakruan mbi 20 mijë pelegrinë, e bënte rëndësinë e ruajtjes së karvanëve një nga problemet më të mprehta të sulltanatit.
Për rëndësinë e madhe që kishte pelegrinazhi i përvitshëm, Stambolli krijoi një “zyrë” të posaçme që merrej me organizimin dhe mbrojtjen e karvanëve që shkonin në Mekë. Amir al-Hajj ishte përgjegjësi kryesor për mbarëvajtjen e pelegrinazhit dhe, me gjasa, në këtë periudhë, për famën e tyre si luftëtarë të pamëshirshëm, ruajtja e karvanëve të pelegrinëve iu dha arnautëve.
Një prej emrave të parë që kam hasur si përgjegjës i karvanëve të Mekës është Abdullah Pashë Qypriliu në vitin 1716, nga dinastia e famshme shqiptare e Qyprilinjve. Në periudhën e Mehmet Aliut dhe kontrollit të tij mbi territoret egjiptiane dhe siriane, roli i shqiptarëve u bë edhe më i dukshëm, ku kemi edhe pikturat e njohura me motive shqiptare të Leon Gérôme. Një veçori shumë interesante ishte fakti që, nën Mehmet Aliun, karvanët e pelegrinëve mund të përdornin vegla muzikore, një element ky i ndaluar nga vahabistët arabë.
Një nga shënimet më interesante mbi shqiptarët në Mekë, ende i panjohur nga studiuesit, është dëshmia e eksploratorit të famshëm britanik Sir Richard Burton, i cili udhëtoi i maskuar si tregtar persian në një karvan të nisur nga Kajro. Njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe zakoneve orientale, ai ishte i krishteri i parë i dokumentuar që kishte mundur të hynte në Mekë, ku kishte kryer të gjitha ritet fetare.
Me shumë mundësi, Sir Richard Burton, anëtar i Royal Geographical Society dhe një nga eksploratorët më të mëdhenj të shekullit XIX, qëndroi në Kajro për një kohë të gjatë. I influencuar shumë nga kultura myslimane, ai duhet të jetë konvertuar në bektashi, por ky mbetet një fakt i pakonfirmuar.
Gjithsesi, në librin e tij me kujtime Personal Narrative of a Pilgrimage to Al-Madinah and Meccah, Sir Richard Burton, i cili i njihte mirë shqiptarët nga koha e kaluar në Egjipt, ku kishte lidhje me dy nga djemtë e Mehmet Aliut që kishin financuar ekspeditën e tij për zbulimin e burimeve të lumit Nil, shkruan se administrata egjiptiane ishte e dominuar nga shqiptarët. Sipas tij, ata ishin edhe njerëzit që përgjigjeshin për karvanët e pelegrinëve drejt Mekës. Me mbritjen e tij në Mekë Sir Richard shkruan se atje rastësisht takon një familje të madhe arnautësh nga Kajro që me vete kishin një të ri me emrin Giorgo i krishterë shqiptar i kapur rob nga piratët e Algjerit dhe hyrë në shërbim të arnautëve në Egjypt. Burton me një lloj trishtimi të dukshëm shkruan se “ai nuk ishte i krishteri i parë në Mekë”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.