Rama tjetër reagim për Ibrin: Sa herë më sulmojnë, e quaj të kryer me sukses detyrën time
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas debatit të ditëve të fundit lidhur me çështjen e lumit Ibër dhe qëndrimeve të Serbisë, duke u ndalur edhe te kritikat, që ka marrë në rrjetet sociale pas deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama i cilëson kritikët e tij në Prishtinë si “trolla të turbofolkut nacionalist”, duke thënë se reagimet e tyre janë një tregues se qëndrimet e tij kanë qenë të sakta.
“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit “, shkruan ai.
“Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do ta mbështesim gjithmonë këtë të drejtë”, tha Rama.
Rama u ka rikujtuar liderëve serbë se Kosova nuk komandohet më nga ata.
“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja e asaj që nuk e humbi ndoshta mund ta kthejë humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por për fat të keq hartat janë më pak të përshtatshme. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, tha Rama.
Në lidhje me lumin Ibër, ku presidenti serb Vuçiç përmendi devijimin e rrjedhës së tij, Rama argumentoi se ekziston e drejta ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
“Ibëri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentohet është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, tha Rama.
Rama ka arsyetuar edhe qëndrimin e Shqipërisë.
“Nuk ka asgjë të fshehtë në qëndrimin e Shqipërisë: respektojmë Serbinë, duam marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duam të gjithë rajonin brenda Evropës, përfshirë padyshim edhe Serbinë”, tha Rama.
Në fund kryeministri Rama përsërit mbështetjen për Kosovën si shtet të lirë, ndërsa thekson se e ardhmja evropiane e Ballkanit kërkon pranimin e kufijve ekzistues.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.